Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Patra të Greqisë, ku një shqiptar 33-vjeçar, ka vrarë me thikë një grua dhe është dorëzuar në polici duke rrëfyer krimin. Dje rreth orës 09:00 në mëngjes, me duar të përgjakura dhe me thikë në dorë, shqiptari, emri i të cilit ende nuk është publikuar nga media helene, shkoi në polici duke pohuar se ka vrarë të dashurën Natalia Vucina, kjo një grua e martuar me një fëmijë dhe ish-bashkëshortja e një prej gazetarëve më të njohur në Greqi. Viktima ishte nënë e një fëmije 10 vjeç, që e kishte me ish-burrin e saj. Duket se para vrasjes viktima dhe agresori janë përleshur, pasi që gruaja ka rezistuar, por ka vdekur. Shqiptari pranoi se ka pasur një lidhje me 43-vjeçaren vitin e kaluar, ndërkohë që kishte punuar në shtëpinë dhe në restorantin e çiftit. Nga ana tjetër të afërmit e 43 vjecares Natalia Vucina, mohojnë që viktima dhe autori i krimit ka pasur marrëdhënie. Policia po heton për ngjarjen që ka tronditur komunitetin e Patras dhe po verifikon dëshmitë e të dyshuarit që u arrestua dhe nëse ka pasur motiv tjetër.
