Shqup-i si bunker për dy të marrë

J L

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

 

 

Në Shqipëri ka një fenomen interesant, i cili nuk besoj se ndodh diku tjetër, të paktën jo në këtë formë dhe jo në këto përmasa.

Zgjedhjet politike zhvillohen zakonisht në muajin qershor. Megjithatë, forca politike që është në pushtet, edhe kur humb zgjedhjet, ka të drejtë të qeverisë deri në mesin e muajit shtator dhe të jetë fuqiplotë; pra, të bëjë tendera, të ketë të drejtën e koncesioneve, të marrë vendime qeveritare si të jetë në pushtet të mëtejshëm, etj.

Në qershor 2013 qeveria Berisha humbi të drejtën e vazhdimit të qeverisjes. Megjithatë, deri në shtator 2013 ajo mori disa nga vendimet më të rëndësishme, organizoi dhe shpërndau tenderë shumë e shumë milionësh, u dha udhë koncesioneve të pamata, që kushtojnë te shqiptarët qindra milionë euro, nxori vendime për transformimin e pronave, pra, bëri katrahurë mizore.

Një ndër vendimet që mori në këtë periudhë ishte kalimi i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në selinë e Partisë Demokratike.

Pasi e kishte shkatërruar gjithë ushtrinë, pasi i kishte shitur tanket dhe avionët për skrap, pasi shembi depot dhe nxori në lirim ajkën e përgatitur të ushtrisë, pasi organizoi grupe mafioze të godisnin pjesë të Shqipërisë, duke kundërvënë veriun ndaj jugut dhe jugun ndaj veriut, pra, pasi bëri gjithçka ishte e mundur të shkatërronte fuqinë mbrojtëse të vendit, në fund, si plaçkitës të rëndomtë, uzurpuan edhe Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, godinë madhore, ku kishte shumë histori.

Njeriu që inicioi gjithë këtë dhe nënshkroi ishte Sali Berisha. ish kryeministri i vendit. Njeriu që shkatërroi gjithë ushtrinë shqiptare, që goditi kuadrot dhe lejoi trafikun e tankeve drejt Malit të Zi ku shiteshin për skrap, bashkë me shinat e hekurudhave.

Në grahmat e fundit të qeverisjes së tij Berisha grabiti një pasuri publike, për më tepër të Ushtrisë, dhe ia dhuroi shefit të ri të partisë së tij, Lulzim Bashës.

Sot Lulzim Basha i mbylli të gjitha dyert për Sali Berishën.

Nuk ia hapi asnjë prej tyre dhe, si duket po i blindon ato.

pesë deputetë të kësaj partie, si nuk ka ndodhur asnjëherë, qëndruan si lypacakë, duke iu sjellur dyerve për të gjetur një të çarë.

Shqup-i i opozitës është barrikaduar.

mus u çuditni, ajo parti gjithnjë ashtu ka qenë, megjithëse dyert mund të kenë qenë të hapura.

Dyert u mbyllën për Neritan Cekën dhe grupin e tij mocionist, u mbyllën për Kalakulën dhe grupin e tij djathtist, për dashamir Shehun dhe grupin e tij lëvizës, për Eduard Selamin dhe ata që mendonin se mund të bëhej diçka me mend aty brenda saj, për Azem Hajdarin që e dëbuan si sigurims dhe e bënë hero pasi e vranë tinëzisht; tani është koha që të mbyllen edhe për Sali Berishën.

Berisha mund t’i shpërthejë ato me 8 janar. Kjo mund të ndodhë. Por të gjitha e dinë tashmë se Shtëpia e Ushtrisë është kthyer në një kazermë.

Me përjashtime të rralla, as ata që janë brenda, as ata që janë jashtë nuk duan as paqe, as reformim, as arsye, as lumturi, por pasuri dhe pushtet.

Basha e do që të ketë vila të tjera, të mos i jap askujt llogari dhe qeveria burracake të heshtë para krimit të tij financiar. Sepse, të ishte BASHA, në një vend evropian dhe të mos deklaronte taksat, vilat e vlera apo të marra me qira, pagesat, të ardhurat, pasurinë, ai do të dilte vonë nga qelia.

Berisha e do që ta kthejë në një bunker, ku të strehohet familja e tij, prej këtij bunkeri të fillojë tratativat për marrëveshje të mos dënimit familjar, që të gëzojnë vilat e përgjakura, kompanitë e vjedhura, makinacionet poshtëruese, të vazhdojnë të jenë shushunja.

Një vendim absurd, që lejon qeverisjen edhe tre muaj pasi je dëbuar nga pushteti është marrëzia shqiptare e qeverisjes.

 

Share This Article
1 Comment
  • Qeveria (maxhiranca, ciladoqofte ajo), mund dhe duhet te vazhdoje qeverisjen deri ne krijimin e nje qeverie te re nga fituesit e rradhes qe mund te jene si rregull nje koalicion partish. Vakum per kete periudhe tranzitore nuk mund kete. Ama nje gje duhet rregulluar, me ligj a Kushtetute kjo duhet pare, qe qeverise se tranzicionit, pra asaj qe humbi zgjedhjet politike, i duhen lene fuqi ekzekutive shume te kufizuara. Pse nuk eshte bere kjo deri me sot? Kuptohet te dy paleve, ose ndryshe cakejve te pushtetit, si per shume te tjera, u ka leverdisur. Shembujt ne keto 30 vjet jane pambarim. Keshtu Transferimi i godines se ShQUP per seli te PD eshte nje pije uji ne detin e zullumeve te politikaneve shqiptare te tranzicionit demokraturik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *