Që prej pasdites së djeshme, të gjitha strukturat e shtetit kanë kaluar në gjendje gatishmërie për të t’ju gjendur pranë familjeve banesat e të cilëve u dëmtuan si pasojë e lëkundjeve të tërmetit. Tashmë fokusi është në strehimin e tyre deri në riparimin e dëmeve në banesa.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me deputetët Fatmir Xhafaj dhe Sadi Vorpsi mblodhën Shtabin e Emergjencave në Bashkinë Vorë, ku pas njohjes me situatën vizituan disa prej familjeve, ku dëmet në banesa janë të mëdha dhe ku nisi procesi i hartimit të akt konstatimeve përmes të cilave do të bëhet e mundur vlerësimi i dëmeve.
Ministrja Balluku garantoi se do të merren të gjitha masat për strehimin e banorëve në nevojë. Për familjet të cilat nuk pranuan të evakuoheshin do të bëhet e mundur sistemimi i tyre në çadra afër banesës së tyre. Familjet e tjera do dërgohen në qendrën e ngritur të strehimit.
Gjatë bisedës me anëtareve të familjeve të prekur nga tërmeti, Balluku i siguroi ata se do të nisë menjëherë puna për riparimin e dëmeve, ku prioritet do të jenë familjet që ndodhen më në vështirësi.
Në fshatin Dedej, dy të moshuar ishin në qiell të hapur bashkë me nipërit e tyre, pasi dy banesat e tyre ishin shkatërruar thuajse plotësisht.
Ministrja Balluku tha se të dyja familjet do të sistemohen menjëherë si dhe do të merren masa për sigurimin e tyre me ushqim dhe gjithçka tjetër që ata kanë nevojë. “Ne kemi ardhur këtu me inxhinierët. Do vlerësojmë një herë si është situata këtu, unë nuk do desha që ju të rrini këtu do marrim ne masa për ushqime dhe gjithçka tjetër dhe ne do fillojmë të ndërtojmë shtëpinë. Do ta ndërtojmë të gjithën”.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ish ministri Xhafaj ka përcjellë një moment emocional nga bashkëbisedimi me dy vogëlushët e famijes Dedej. Ai shkruan: “Shtëpia e familjes “Dedei” në Vorë ka marrë goditjen e fundit nga tërmeti i fortë. Tashmë që është thuajse e pabanueshme, zbrazëtira e ftohtë është mbushur nga dhimbja, frika, lotët dhe pasiguria e familjarëve. E vetmja gjë e bukur në këtë moment trishtues, ishin sytë plot shkëlqim të dy fëmijëve të vegjël, Mirko dhe Pamela. Aty shihje frikën dhe ankthin nga e sotmja, por edhe shpresën për të nesërmen. Sy që u ndriçuan plotësisht kur ministrja Belinda Balluku u angazhua për ta ndërtuar krejtësisht të re shtëpinë e tyre. Kur solidariteti, puna dhe angazhimi bëhen bashkë, çdo ëndërr përkthehet në një realitet të bukur!”.

e.ll./dita
