Aktore të mrekullueshme si Meryl Streep, Susan Sarandon dhe Glenn Close, të cilat janë vlerësuar me çmime më shumë se kushdo tjetër, kanë vëretuar se për të patur sukses, nuk është e domosdoshme të kesh një trup marramendës dhe t’u tregosh të gjithëve atë që nëna natyrë të ka dhënë: 7 prej tyre e kanë përdorur talentin si “kartvizitë” për t’u afirmuar në botën e kinemasë
1.Meryl Streep
Një ndër aktoret më të adhuruara në botë, sigurisht që nuk pati nevojë të shfaqte hiret për të çarë në Hollywood. Është gruaja që mban rekordin e kandidaturave për çmimin “Oscar”, 17 të tilla dhe 3 të fituar për filmat “Kramer kundër Kramerit”, “Zgjedhja e Sofisë” dhe “Gruaja e hekurt”. Streep ka thyer rekordin edhe për çmimin “Globi i Artë” me 27 nominime dhe 8 tw fituara. Midis filmave të saj më të vlerësuar janë: “Afrika ime”, “Djalli vishet Prada”, “Vdekja të bën të bukur” etj. Në 2004-n u nderua nga Instituti i Filmit Amerikan për kontributin e dhënë në historinë e kinemasë. Për shumë ajo është kthyer në një mit.
2. Sigourney Weaver
Talenti i Weaver iu shfaq publikut me debutimin e saj të jashtëzakonshëm në filmin “Alieni”, ku interpretonte rolin e të mbijetuarës së vetme, togeres Ellen Ripley, për këtë film mori edhe kandidimin për “Oscar” si aktorja më e mirë protagoniste. Ajo ka qenë femra e parë që ka interpretuar si protagoniste në një film fantastiko-shkencor dhe ndër të paktat që është kandiduar për çmime në këtë gjini. Në vitin 1989 mori dy nominime për “Academy Awards” si protagoniste në filmin “Gorilla në mjegull” dhe joprotagoniste te “Një grua në karrierë”. Weaver ka marrë pjesë në filmin shumë të çmuar nga kritika:“Avatar”, në rolin e doktoreshë Grace Augustine. Mbetet unik interpretimi i saj në komedinë “Zemërthyeset” në rolin e një oportunisteje të paskrupullt.
3.Helena Bonham Carter
Sigurisht që nuk është e famshme për paraqitjen e saj diskrete, por në Hollywood, ajo është një ndër aktoret më të kuotuara. E shkuara e saj është e mbushur me filma të vlerësuar nga kritika si “Frankenshtajn i Meri Shellit”, “Perëndesha e dashurisë” e regjisorit Wooddy Allen dhe “Krahët e dashurisë”, film për të cilin mori një nominim për “Oscar”. Shquhen interpretimet e saj të filmat “Nusja e kufomës”, “Berberi djallëzor i rrugës Fleet Street” dhe në rolin e shtrigës Beatrix në sagën “Harry Potter”. Te “Liza në botën e çudirave” në rolin e mbretëreshës së kuqe, ajo fitoi çmimin “Bafta” si aktorja më e mirë joprotagoniste dhe një nominim tjetër “Oscar”.
4.Sarah Jessica Parker
Suksesi i saj është i lidhur mbi të gjitha me serialin që është kthyer në mit në mbarë botën: “Sex & The City” (Seksi dhe qyteti), ku luan rolin e shkrimtares Carrie Bradshaw. Filmat e fundit në të cilat e kemi pare: “Si ia bën me të gjitha?!” dhe “Vit i Ri në Nju Jork”. Shpesh herë është kritikuar për tiparet dhe formën e fytyrës, por pa diskutim që ajo mbart në vete finesën dhe sharmin që e kanë shndërruar në një ikonë stili për të gjitha grate amerikane.
5.Susan Sarandon
E pashtershmja Susan Sarandon, e vlerësuar me çmimin “Oscar” më 1996-n për interpretimin në “I vdekuri ecën”, është një ndër aktoret që gjatë karrierës së saj është përpjekur të shmangë rolet ku duhej shfaqte lakuriqësinë e saj (edhe pse tek-tuk ka luajtur ndonjë të tillë). Bëhet një ikonë që në vitin 1991 ku interpreton bashkë me Geena Davis në filmin “Thelma & Louise” (Telma dhe Luizë) duke fituar një kandidaturë “Oscar”. Shumë i dashur nga publiku është roli i saj në filmin “Mike dhe armike” në krah të Julia Roberts. Së fundi e kemi parë në prodhimet e fundit hollivudiane“Rregulla e heshtjes” dhe “I infiltruari”.
6.Glenn Close
E jashtëzakonshmja Glenn Close, së cilës i është thënë se ka linja burrërore dhe se nuk do të kishte kurrë sukses, ka aktruar në filma si “Tërheqje fatale”, “Marrëdhënie të rrezikshme”, “101 dalmatët”, “Albert Nobbs” etj. Gjatë karrierës së saj, aktorja ka marrë 6 nominime “Oscar”, 14 për çmimin “Emmy”, 13 për “Globin e Artë”, 9 për “Satellite Awards” dhe një “Bafta”. Ajo ka pasur edhe një karrierë të shkëlqyer teatrale me 3 çmime të fituara dhe 4 nominime për “Tony Awards”. Mbetet një ndër aktoret më të dashura të shekullit edhe pse në raftin e saj mungon statuja e “Oscar”-it.
7.Tilda Swinton
Aktorja e mrekullueshme me pamje androgjene, u kthye menjëherë në muzën e regjisorit, skenaristit dhe piktorit anglez Derek Jarman, i cili i ka dhënë nga një rol në të gjitha filmat që ka drejtuar që nga viti 1985 deri më 1994-n, vit në të cilin ai ndërron jetë. Interpretime të tjera të saj kanë qënë ai prostitutës Lena në “Caravaggio”, me të cilin merr çmimin si aktorja më e mirë femër në festivalin e Venecias. Në vitin 2000 luan në krah të Leonardo Di Caprio-s te “The Beach” dhe në 2001-shin bashkë me Tom Cruise e Penélope Cruz në “Vanilla Sky”. Roli i një menaxhereje pa skrupuj në një kompani shumëkombëshe në filmin “Michael Clayton”, i dhuron një “Oscar” si aktorja më e mirë joprotagoniste./ D. Gjuzi
bjondet jane shemtaraqe te tjerat jane te mira
bjondet jane shemtaraqe te tjerat jane te mira ,bjondet jane pa pigment dhe pa JETE ME SY GJARPRI