Kur lamë pas të shkuarën, menduam se lamë pas edhe qasjen bardhë e zi ndaj ngjarjeve historike dhe personazheve të përfshira në to. 20 shkurti nuk bën përjashtim. Një datë kjo që për shkak të politikës ende nuk gjeneron kohezionin e pritshëm demokratik dhe kjo sa për shkak të referencave spekulative, ashtu dhe demagogjisë 20 vjeçare që pasoi.
Historia nuk ribëhet me inverse dhe përtej ndjeshmërive demokratike, simbolika e rrëzimit e një shtatore duhet të bashkojë dhe jo ndajë duke nëpërkëmbur ndjeshmëritë historike rreth kontributit gjysëm shekullor të një shoqërie të tërë (përpjekjet për çlirim, ndërtim, civilizim etj). 20 shkurti nuk është dita e triumfit apo revanshit të gjysmës së shoqërisë ndaj gjysmës tjetër. As dita e ‘liçensës’ për të anatemuar dhe zhbërë çdo gjë që monizmi la pas (sikundër edhe ndodhi me pasurinë publike, rrënimin e vlerave qytetare etj). 20 shkurti është dita e lënies pas së tabuve dhe miteve në politikë (për paradoks monizmi vakumin e adhurimit hyjnor e kishte zëvëndësuar me kultin ideologjik). Si i tillë, mesazhi i 20 shkurtit ishte piedestalet i takojnë qytetarit dhe se politika duhet të përulet para tij.
Por koha tregoi se tabutë që ranë u zëvëndësuan me të tjera dhe për ironi vetë 20 shkurti po ‘privatizohet’ politikisht nga ‘shtatoret’ e tranzicionit që në një ritual të përvitshëm demagogjie po e shpërdorojnë si alibi për të provokuar tensione dy dekada më pas.
Çfarë duhet mbajtur mënd dhe çfarë duhet harruar nga ajo ditë
Përtej simbolikës së ngadhnjimit të qytetarit në shesh, ‘linçimi’ deri në degradim i shtatores më pas nuk i shtoi pikë demokratike ditës më tej dhe provokoi reminishenca të së shkuarës si psh. hedhja në erë e varrit mbretëror. Nuk është as traditë dhe as zakon shqiptar. Por ndërsa mund të pritet nga një shesh në delir dhe spontanitet, e papranueshme është referenca e ‘zvarritjes’ që politika e PD lançon ende sot ndaj rivalit politik (‘neobllokmen’, ‘bijtë e etërve’ etj). 20 shkurti duhet të mbahet mënd për zbritjen e monumentit në tokë dhe jo për zvarritjen e tij dhe t’i bësh jehonë zvarritjes sot, i bën jehonë mentalitetit që ajo ditë presupozohet se la pas.
Sfida e demokracisë nuk janë shtatoret por simbolikat që përfaqësojnë. Për më tepër që ajo shtatore, edhe pa u hequr dhunshëm, ishte e pavënd në ato përmasa, në atë koncept, në atë pozicion (ndryshe nga ai i Gjirokastrës që ishte më natyral në paraqitje, përmasa dhe vëndndodhje). I atillë ai shërbeu veçse si ‘rrufepritës’ i mirëkalkuluar për një ditë të ‘keqe’ dhe një ‘çertifikatë’ para perëndimit se ‘timoni’ i politikës u kthye pakthim.
Historia nuk bëhet me ‘photoshop’
Ndonse demokracia nuk është shtatoremani, historia nuk bëhet me vakume ndaj dhe ashtu sikurse monumenti i monarkut zuri vënd në funksion të memorjes historike, rivendosja eventuale e shtatores së Hoxhës nuk ka përse të shihet si provokim demokratik por plotësim i mozaikut historik që është në vetvete standart në demokraci. Dhe kjo sepse sa hyrja në histori, ka rëndësi fakti nëse hyhet për mirë apo për keq. Sa prania e një shtatore, rëndësi ka ‘mbishkrimi’ që koha dhe brezat i vënë më pas.
Në monizëm u bënë shumë gjëra keq. U bënë edhe shumë gjëra mire dhe nëse përmëndja pa komplekse e arritjeve të bën ‘enverist’, ashtu qoftë. Standarti i demokracisë nuk është bardhë e zi dhe për më tepër etiketime të tilla nuk kompleksojnë kur bëhen nga një takëm politikanësh që duke i bërë bisht ligjit notojnë në pasuri të pamerituara duke nëpërkëmbur standartet demokratike, deri interesin kombëtar.
Përkujtimi i 20 shkurtit presupozon moral demokratik që PD me qeverisjet e saj nuk e dëshmoi. Çdo kushtrim prej saj për protestë, përveçse demagogji, provokon edhe dinjitetin qytetar teksa lyp mbështetje për një politikë që në CV qeverisëse ka Gërdecin, 21 janarin, abuzimin me Rrugën e Kombit, nëpërkëmbjen e votës, deri nëpërkëmbjen e sovranitetit kombëtar siç ishte marrëveshja detare me Greqinë (ndërkohë që Hoxha nuk përmëndet të ketë ardhur në pushtet apo mbijetuar në të duke futur kufirin në lojë) etj.
20 shkurti mbetet test për të gjithë
Përballë sfidës së protestës, qeveria nuk ka përse të përgatitet për skenare dhune dhe as nuk duhet të përcjellë këtë përshtypje. Përballë qytetarit në protestë, Kryeministria nuk ka nevojë për kordona policash pa armë, qofshin edhe femra. Dhe nëse të tillë ata duhet të jenë me kurriz sa nga turma po aq dhe nga ndërtesa sepse sesa objekti, siguria e qytetarit në protest vlen më shumë.
Institucioni duhet të ruhet siç ruhet çdo ditë. Nga personeli i zakonshëm i shërbimit. Dhe nëse turma dëshmon agresivitet dhe mësyn institucionin, dinjiteti i një shteti nuk qëndron tek mosprekja e institucionit por ndëshkimi ligjor më pas i kujtdo që nëpërkëmb sovranitetin e institucionit. Shteti nuk ka përse të ruhet nga shtetasit e tij dhe nëse turma përdoret si dekor nga provokatorët , precedentët e së shkuarës dëshmojnë se reagimi aty për aty policor vetëm komplikon më tej. Sa kohë nuk rrezikohen jetë njerëzish nga të dyja palët, pllakat dhe mobiljet vihen sërisht në vënd më pas. Ndërkohë drejtësisë i shtohet një dosje më shumë.
Qeveria Rama ka marrë përsipër shumë reforma por nëse opozita luan jashtë ‘ringut’ demokratik, fati i tyre dhe shmangja e sindromës së qeverisjes së Nolit (ndonse e ardhur në pushtet me revolucion), kalon nga zbatimi i ligjit njëlloj për të gjithë. Më 20 shkurt ra shtatorja por ‘shtatoret’ që polli tranzicioni bëjnë ende karshillëk. Dhe deri tani nuk ka ende ‘kavo’ për to.
20 Shkurti // Jam nje nga “20 shkurtaret” Plotesisht i pa-aktivizuar e i pa-interesuar nga ana politike. S’kam dashur asnjeren ane as tjetren, te dyjave jua kam pasur friken. Politikanit nuk i besoj. Qofte atij qe jeton me sandale te vjetra ne kasolle ne periferi te Montevideos. Nje guerilje ish-marksist, qe 90% te rroges ja jep te varferve e sot nuk rri ne pallat Presidencial por tek ferma vogel e gruas me 1-2 police per roje. Me teper atij, kur nje politikan normal me shtie frike, “nje i shenjte” me tmerron.
Shume vende rendesine ja japin festave kombetare, me dite te shenuara ne historine e tyre; pavaresia, festa clirimi, fetare etj. I bejne me ceremoni (4rth of July) e krenari kombetare, ca vec ne TV e s’bezdisen fare. Ka dhe si Peruanet qe per 3 dite ne vere (s’me kujtohet korrik/a gusht) kalojne ne orgji-vet-pergezimi; me flamure, vallzime, te pire ” e pak te droguar”
Ne po krijojme “Pilo Peristere” te rinj (te me fale familja nese na lexon, ashtu ishte ajo kohe) qe shetisin dere-me-dere, ne ”cdo pervjetor”. 20 Shkurti per ato qe se dine (mos u turperoni se disa e marrin apriori se duhet ta dini. Fare!) eshte kur u rrezua statuja Enverit. Ne fakt, shume mire qe nuk e dini, tregon se s’ju ka ngelur koka/ora pas.
Rrezimi i nje busti, nje pervjetor partie, nje ndryshim ideologjik a sistemi nuk eshte dhe aq per tu mbajtur mend. Mund dhe te behemi si Amerika Latine kur nje Kolonel me 4 tanke e nje batalion ben grusht shteti .. e me vone dihet; si bihen-ngrihet diktatura. E fillon me pervjetore, si ne Kili/Argjentine, per rrezime, te zhdukurit, kjo e ajo, e kurre s’ka fund. ose Kamboxhia…ose ose.
Shtatorja kishte rene, shume me para se kur e rrezuan.