Shtatorja e Geraldinës – një turp dhe provokim ndaj ndjenjave kombëtare

J L

Deklaratë e Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”

 

Ngritja e shtatores në qendër të Tiranës së Geraldinës, bashkëshortes së ish “mbretit” Ahmet Zogu, një turp dhe provokim ndaj ndjenjave kombëtare

Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, ngjarjen e sipërme nuk e konsideron të rastit dhe as si një akt miqësie i bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës me atë të Budapestit Hungarez, sikurse u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës në fjalën që mbajti në ceremoninë e ngritjes së shtatores (!), sepse ka plot simbolika të tjera për të patur një bashkëpunim me bashkinë e Budapestit, e jo të gjendej një rast i tillë, i cili nuk e nderon as Bashkinë e Tiranës dhe aq më pak Shqipërinë.

Përkundrazi, vendosja e asaj shtatore, e një zonje, pa asnjë kontribut dhe për faktin se në Tiranë e në Shqipëri ajo qëndroi vetëm disa muaj dhe, për më tepër, se duke qenë bashkëshorte e ish “mbretit” Zog, i cili në momentet më të vështira të pushtimit fashist më 7 prill 1939, të dy braktisën vendin, u arratisën, duke grabitur edhe Thesarin e shtetit shqiptar, të cilin në azil ku jetonin, me ato para sponsorizonin banda diversantësh e kriminelësh, të cilët i dërguan në Shqipëri, duke kryer akte të rënda vrasjeje, shkatërrime etj, e bën të papranueshëm një veprim të tillë.

Për këtë arsye, Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, veprimin e sipërm nga pushteti vendor i Tiranës dhe i qeverisë së vendit tonë, e konsideron jo vetëm të gabuar, por dhe një veprim që cenon rëndë nderin dhe dinjitetin e popullit patriot shqiptar, i cili e ka damkosur çiftin Zogu si tradhtarë dhe hajdutë.

Duke qenë se veprime të tilla, kur tradhtarë e kolaboracionistë me pushtuesit e huaj, janë rehabilituar e, madje u janë bërë ndere e ceremoni, si në rastin e Mit’hat Frashërit, Preng Calit, Hamit Matjanit etj, në një kohë që heronjve e dëshmorëve të epopesë së lavdishme të LANÇ-it që dhanë jetën në lule të rinisë, si Qemal Stafa e shumë të tjerëve, u janë hequr emrat nga institucionet, rrugët e shkollat, të ndodhura këto për fat të keq, kur pushtetin e kanë forcat e majta, përbën një shqetësim serioz, i cili duhet të tërheqë vëmendjen e të bëhet objekt analize nga Kryesia e Partisë Socialiste, e cila, në programin e saj e ka të sanksionuar mbrojtjen e idealeve e të vlerave të LANÇ-it, të gjakut të derdhur dhe sakrificave të mëdha të popullit patriot shqiptar; ashtu  dhe nga Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë si garant ligjor i fitoreve të popullit shqiptar.

Duke iu prerë rrugën këtyre veprimeve të mbrapshta do të evitohen edhe reagime e veprime që mund të ketë  në të ardhmen nga patriotët e vërtetë që u dhimbset vendi, përfshi dhe Organizatën e Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ.

Share This Article
1 Comment
  • Te nderuar veterane, deklarata juaj eshte plotesisht e drejte dhe shpreh ndjenjat e gjithe mbeshtetesve te LANC ne Shqiperi. Historikisht dhe legalisht ne Shqiperi dhe ne qarqet nderkombetare dihet se familja Zogu ka qene nje familje e korruptuar dhe e diskredituar qe grabiti pasurite e Shqiperise dhe braktisi popullin e vet ne kohen e pushtimit fashist.
    Problemi eshte se kete “thike pas shpine” po ja u japin ata kameleone politike si Veliaj dhe Rama te cilet fitojne karriket me votat tuaja. Te tille politikane nuk kane moral apo parime, ata behen llastike me kedo mjafton te kapin kolltukun qeveritar.

    Zgjidhja eshte e thjeshte; Ju dhe gjithe pasuesit tuaj nuk duhet te votojne per politikane halabake qe ju “vrasin naten dhe u bejne homazhe diten”. Ja u thoni keto gjera direket dhe hapur ketyre delenxhinjve para se te ngrejne buste per figura te inkriminuara antikombetare e para se tju kerkojne voten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *