ShtEdi u bë! Paskëtaj Republikat

J L

Nga Besnik Terpollari

 

“O do gjejmë një rrugë, ose do hapim një të re” – Hanibali.

***

Me R. kam qenë shok shkolle. Do kisha vënë bast njëmijë me një që ai do emigronte dhe unë jo. Por siç ndodhin gjërat kokëposhtë, unë emigrova dhe ai ndenji në atdhe. Pas shumë vitesh e gjetëm njëri-tjetrin në Fejsbuk dhe jemi miq, mirë e bukur. Dikur n’a bashkonte pasioni për botën e librave, e patjetër historia. Tashmë gjendemi pasionalisht kundërshtarë. R. e ka gjetur veten “djathtas”. Siç lamë pas ne “të majtët” Nanon, edhe R. ka lënë pas Berishën në “shejt(a)ninë” e tij dhe ka përqafuar kauzën e Republikës së Re. Mbase dhe jo tamam, se ia do puna të shpërndajë në murin(e fejsbukut) traktet luftarake të Doktorit, që është i dorëhequri i mbetur po aty. Dukemi të ndryshëm, por në thelb jemi shembuj të dualizmit tipik alla shqiptar; kundërshtarë të apasionuar. Meqë ra fjala, jo aq për çështjet e kohëve të sotme sesa për kohët e shkuara. Biles, jo për faktet që dihen, po për ato që po zbulohen…Është një institut që sjell fakte të reja monstruoze-skandaloze-kurajoze, mbase edhe heroike. Biles aq heroike saqë drejtori iku dhe kërkoi strehim politik në Zvicër, se e kërcënuan partizanët. Sebep bëhen statuset e Edit dhe Saliut, që n’a mpleksin me hidh e prit, sejcili në llogoren e tij, por në fund gjithnjë e mbyllim me përshëndetje të ngrohta familjare. Për fat që Basha me statuse s’ia thotë po aq fort sa me shumëzimin, se do ishim dy me një. Po, siç e thashë, s’është e sotmja që ndjell kaq debat sesa e shkuara. Unë s’kam qënë partizan dhe as R. ballist, veçse pasioni për historinë me zbulimet e fundit n’a shtyn përditë të debatojmë seriozisht për hesap të llogoreve tona pasionale. R. është në sulm dhe unë në mbrojtje. Psh, seç janë ca përkujtimore betejash balliste, që R. i ekspozon me fjalë lapidare, siç bënim ne dikur për përvjetorët e inagurimeve të brigadave sulmuese. Me modesti i kujtoj se edhe partizanët tanë formuan ca brigada, mirëpo, shëëët, ” ato brigadat i formoi jugosllavi për luftë civile – më thotë – kurse nacionalistët e kishin mendjen për bashkim kombëtar…”,dmth kot qenë ato gojëdhënat me pula. S’më rrihet që s’më rrihet dhe i them që zahmet e kishim që brigadat megjithatë s’i inaguroi gjermani siç bëri me çetat e nderuara të Ballit, po kundër kujt luftuan ballistët, këtë s’e marr vesh? – Kundër kujt?! – habitet R. Po kundër pushtuesit mo, të zi e të kuq, dhe ja dëshmorët tanë… e faktet e reja bëhen përmendore, si ajo e Mit’hat beut, para të cilës kryetari ynë i madh këshilloi tre palë breza që të ulin kokën. R. s’e pranon as këtë diversion të Edit për të fituar simpatinë e të gjithëve; “Faktet janë kokëfortë”- shënon në replikë me një emoji me gojë të madhe që përqesh. Epo kjo! Mbetet që të pranojmë se gjermanët e shkretë kaluan kësaj ane për të pajtuar dy palët shqiptare të luftës civile, por u munduan më kot. Si Vranicki në ’97 -ën, 53 vjet më vonë.

E ndërkaq të varfërit ngelen prapë të varfër, të papunët gjithmonë të papunë, në kërkim të vendeve që pranojnë emigrantë. Borxhet zmadhohen e bëhen borxhe më të larta, por gjene mirë që për momentin jemi në Luftë dhe të tjerat harrohen. Dhe meqë populli do shpëtuar, t’a mbajë maskën mirë e bukur, siç lufta komandon. E të rrijë mbyllur në shtëpi për të mirën e tij. I rrethuar nga koronavirusi si Vrana Konti brenda mureve të Krujës, ndërsa Skënderbeu modern sulmon pareshtur armikun e padukshëm me statuse fejsbuku. Ndofta, për t’a mbyllur mandatin me lezet.

***

E gjen kush s’e gjen? Çfarë premtoi Edi në zgjedhjet e para? “- Hoho, 300 mijë vende pune”. Jo mo jo, jo ato. “Shëndetësi falas”. Jo jo, as kjo s’është. “Mmm… Rilindje…urbane”. Jo, as kjo. “Drejtësi”. Ëëëëëëëëëë….. “dmth reformë në sistemin…”. Jo,jo, as këto…Dorëzohesh? “- Po mor vlla, dorëzohem”. Shtet pra, shtet premtoi. Do bënte shtet. Rrup-sup. Se ishim bërë rrumpallë hesapi, Berishpallë. Dhe ja, quaje si të duash, mallkoje sa të duash por shtetin e bëri. Jo shtet sidokudo, por shtet prej hekurbetoni, ShtEdRrethim. “Rri në shtëpi”! Kurse Edin e ke kudo, ngado në luftë, me sloganin “Edi jam”! Që nga fatura e dritave dhe ujit e gjer tek bileta e avionit – Edi është. Tek rroga e Luftës, ku neopartizanët dhe neoballistët trajtohen njësoj…Pyesni Alimadhin po s’më besuat! Ti fik smartfonin dhe kujton se e kyçe aty brenda, por Edi faap del tek tv Filani dhe pastaj në darkë tek Klani. Ti me një gur vret dy zogj, fik Klanin që të shpëtosh dhe nga Fevziu po ai lë Fevziun të grijë sallatë(dmth mesazhe), dhe faap shfaqet në parlament,ku ç’është e drejta është bërë djerrë dhe të shpon murrizi… Ti e di në Paris, faap të del në Polis. Sa ngryset në Berlin, e gjen gdhirë në Delvinë. Pastaj, në ballkone, në kopshte, në takime, fjalime, inagurime, inspektime…të gjitha këto në ekranin e tij. Sa ka dalë në televizor shoku Enver në 40 vjet Edi i ka vetëm video me këshilla si të rrimë në shtëpi. Domosdo që është i pazëvendësueshëm, prandaj s’ka kush t’a zëvendësojë. Tani që koronavirusi po dobësohet  Edi e ka hak që të shkojë të pushojë. Se u bë copë, apo jo? E pikërisht kjo s’duhet të ndodhë. Kurrsesi! S’mund të lërë hapësirën bosh, që opozita të ngulë çadrat në bulevard me moton “Rri në çadër”! Tanimë, që shtEdi u bë, opozitës i nevojitet urgjentisht diçka më e madhe, që të dëshmojë se ekziston. Dje do mjaftohej të ringrohte supën e mbetur të Republikës së re, por sot kjo është pak. Doktori ka urgjencë pandemike për një kauzë dhe s’do mend që Lufta e Edit ka pjellë kauza plot, të vjetra dhe të reja. Të kushtojë sa të kushtojë! Doktorit i duhen mijërat që të duken milionë – kështu duhet populli, që askujt s’i intereson! Pastaj këta numra do hidhen si zaret në tavolinën me ambasadorë, dhe së bashku do diskutojnë nëse erdhi momenti i Rrotacionit, që është bërë aksiomë. Në finalen e bukur sepse kryetari i opozitës më ngjan me Mit’hat beun e fotos ulur në karrike; “Prisni mo, se vetë gjermani do shkojë”!

***

Ah, se harrova! Them, ç’lidhje ka debati ballisto – partizan me ShtEdrrethimin dhe republikëzën e opozitës? S’ka lidhje hiç, veç një paraleleje të vogël. Siç unë me R. kundërshtohemi për të shkuarën dhe përshëndetemi ngrohtë, kryetarët e mëdhenj kundërshtohen për pushtetin që të bien dakord. S’ka rëndësi ta kërkojnë përgjigjen gjer tek kryqi i votës së fundit, kur ujditë bëhen edhe pa to. Tani ka shtet dhe dy kryetarë, si dy dyqanet e barcaletës polake të fundviteve ’80 kur një blerës shkon në dyqan dhe kërkon të blejë gjalp. Shitësi i thotë se dyqani ku gjalpi ka mbaruar është ai përballë, ndërsa ky vetë është shitës i dyqanit ku ka mbaruar letra higjenike. Zgjidh e merr!

Share This Article
6 Comments
  • Po kete n me apostrof nga ma ke psonisur?
    Supozojme se qendron. Nese qendron forma e shkurter, duhet te qendroje dhe forma e gjate. Atehere, na bashkon, apo ne a bashkon? Sepse nese thua n’a bashkon, duhet te qendroje dhe ne a bashkon, si forma e gjate e pashkurtuar.
    Po u gdhite franceze te gjithe. Po franceze gjysmake, dhe shqiptare cerek.
    Vari leshte shkrimit

    • Mirel, shiko nje problem pa zgjidhje, zhvilluar nga B. Rusell, I quajtur Paradoksi i berberit. Kemi nje vend te vogel ku te gjithe burrat sipas ligjit duhet te jene te rruar. Per ata qe s’rruhen vete eshte nje berber. Pyetja eshte: po berberin kush e rruan? Po te lexosh ligjin, berberi rruan ata qe s’rruhen vete, rrjedhimisht s’mund te rruaje vehten. Vura h tek vehten, me korrigjo po jam gabim, sic ke bere me kete djalin. Nje tjeter s’mund ta rruaje berberin, sepse ligjerisht vetem ky eshte caktuar te rruaje ata qe s’rruhen vete. Kujdes, mos u pergjigj kot, se ketu ka ngecur Anshtajni, si psh, berberi eshte femer, apo berberit s’i rritet qimja, faqe-pa-qime. Gjersa kete problem e shtron Bertrand Russell, matematikan dhe filozof, del sé jemi ne paradoks te ligjit, qe domosdo osé berberin e perjashton nga rregulli, ose ky shkel ligjin. Mesa kuptova une nga shkrimi, ketu Paradoksi fillon nga ne, qe nuk shkeputemi nga e shkuara. Kur s’kane zgjidhje per problemet, partive, si dyqanet qe s’kane as gjalp dhe as leter per te fshire menderen, se u mbaroi, pak u mjafton te hapin ndonje histori me balliste e partizane dhe ne mbytemi e kacafytemi me nje luge uje. Atehere, kush e ka fajin? Ai qe zgjedh, ai qe shkon ne stadium dhe paguan bilete nga xhepi te shikoje e beje tifozllek per nje ndeshje te trukuar. Ok, tani s’ka futboll, o burra tek godina e Teatrit. Dhe loja vazhdon. Kryetaret me brisk ne dore po rruajne miletin, vecse jo nga mjekrra, por nga xhepat.

  • Analiza është interesante dhe e bukur për faktin se ka plot ngjyrime kuptimore dhe nuanca stilistikore.
    Nuk është e stilit gazetaresk, ndaj ngjall akoma më shumë kureshtje dhe kërshëri në të gjitha kthesat e saj. Ka një stil të vecantë të shkruari, ngaqë autori vetë ka një formim shumëplanësh, dhe shikon me një zoom të largët dhe të pakapur, dhe jo si plot të tjerë në çorbën shqiptare.
    Nis me dy personazhe, vetë autori dhe personazhi R, dhe mbyllet me paralelen e dy liderave të sotëm modern.
    Në mes të rreshtave dhe midis tyre është e vërteta allashqiptare e baterisë prapë me dy pole.
    Shumë i lezetshëm ky artikull !

    • Artikuj te tille na duhen ,qe te harrojme termetin,se kemi 6 muaj ne cader,ne shi,ne te ftohte,me femije te vegjel,gra shtatzana,pleq te semure,pa drita,pa uje,pa bere dush ,por vetem me kanoce si para 60 vjetesh etj!
      Shani diktaturen e Enver Hoxhes,por xhaxhi nuk u kerkoi te demtuarve nga termeti asnje dokument,por ua perfundoi vilat brenda 5 muajve,ndersa keta hajdutet e sotem akoma nuk kane filluar megjithese bota u dha 1.15 miliard euro!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *