Aplikacionet që gjurmojnë smartfonët tanë janë një mënyrë e mirë për t’i kërkuar ata nëse na humbasin, por për një amerikan në Las Vegas, ato janë origjina e një shqetësimi të vazhdueshëm. Uejn Dobson (Wayne Dobson) ka vendosur para shtëpisë së tij një tabelë, ku lexohet: “Këtu nuk ka telefona të humbur”. Prej dy vjetësh, pensionisti Uejn vizitohet rregullisht nga njerëz që kërkojnë i-Phone-t e tyre të humbur.
Në çdo orë të ditës dhe të natës, i moshuari është i detyruar t’i përgjigjet ziles së derës, pas të cilës qëndron një person që është në kërkim të telefonit. E gjithë kjo për faj të antenës që ndodhet prapa shtëpisë së tij.
Për të gjetur pozicionin e një smartfoni, sistemi GPS kombinon të dhënat që vijnë nga satelitët me ato që vijnë nga antenat, me të cilat lidhen celularët. Por për shkak të një gabimi teknik, të gjithë celularët e kompanisë “Sprint” duket sikur janë pozicionuar pas shtëpisë së pensionistit Uejn Dobson.
Një “torturë” dyvjeçare
Rasti i parë i përket vitit 2011, kur në derën e familjes Dobson u shfaq një çift i ri që kërkonin telefonin e tyre. Dobson nuk e kuptoi se si ishte puna, pasi për të teknologjia është jo dhe aq e njohur, dhe për këtë njoftoi policinë, e cila nuk arriti të zgjidhte gjë. Dhe që nga ajo ditë, pensionisti Dobson jeton si në shtëpi të huaj, pasi i duhet të flejë afër derës, për të sqaruar njerëzit që vazhdojnë t’i kërkojnë aty telefonat e humbur. Madje, fillimisht policia dyshonte se kishte të bënte me një hajdut të regjur , por shpejt u mor vesh se ai ishte veçse një qytetar i thjeshtë që shqetësohet orar e pa orar. Tashmë, autoritetet po marrin në konsideratë zhvendosjen e antenës, një punë që kërkon kohë dhe shpenzime, por më në fund Uejn mund ta bëjë gjumin i qetë.