Shtëpia e lagësht e Hadit

J L

Nga Moikom Zeqo

(Për dijetarin Hammond dhe takimin tim me të)

Një ditë vjeshte të vitit 1930 mbi gërmadhat e tempullit antik të Dodonës binte një shi i rrëmbyer, gjëmë e zotave paganë tashmë të harruar.

Mjedisi i tokës dhe i qiellit kishte një njehsim të çuditshëm.

Toka e kthyer në baltë pluskonte nga ujrat, ca përrenj të papritur përhapeshin kuturu.

Monumentet nën tisin e mjegulluar ngjanin më tepër si simbolegjeometrikë të një algjebre mistike të shekujve.

Në një kasolle prej druri arkeologu anglez Nicholas Hammond, 23 vjeç, shikonte rreshjet e rrëmbyera dhe mendonte për Dodonën.

Në mendjen e tij regëtinin vargjet e Homerit për “Dodonën Dimërkeqe, të Zeusit Pelazgjik”.

Dodona qe vendi i grave profetesha që në kohërat paragreke, që profetizonin fatin duke vështruar lëvizjet e gjetheve të një dushku madhështor kushtuar kultit të Zeusit.

Dodona ishte diskusioni i paralajmërimit  dhe profecive, më i lashti në Europë, shumë më përpara sesa profetët poetë hebrenj që shkruanin librat e tyre të jashtëzakonshëm biblik.   Hammondi kishte ardhur këtu për të studiuar objektet dhe legjendat.

 E kishte mësuar me ngut greqishten popullore, të cilën e kuptonte dhe e fliste shumë keq.  Kishte mësuar gjithashtu edhe pak shqip.

 Shoqërohej nga një burrë shqiptar i quajtur Kristo Suli.  Kriston e kishte njohur në Janinë, ku ai ishte drejtor i shkollës “Zosimea”.

 Kristosi kishte studiuar në Francë ku kishte mbrojtur dhe një titull shkencor për arkeologjinë.

 Ai kishte qenë dhe në Kembrixh në kolegjin “Clare”.

 Si frëngjishten dhe anglishten e fliste me një theks hundor, fjalët i thoshte saktësisht dhe gramatikisht por shqiptimi i tyre qe befasues dhe gati i pakuptueshëm.

 Miqësia midis Hammondit dhe Kristo Sulit do të vazhdonte gjatë.

 Hammondi e quante Kriston një intelektual të dorës së parë.  Kristo i kishte folur për Dodonën, të ciliën e kishte zbukuar në fund të shek. XIV-të, një arkeolog amator shqiptar i quajtur Karapani.

Rezultatet e gërmimeve Karapani i kishte botuar në dy vëllime të mëdha në frëngjisht në Paris.

Kristo i theksonte Hammondit se ishin pikërisht shqiptarët që ende e besonin kultin e Dodonës.

Kjo dukej si një paradoks.

Por nuk ishte ashtu.

Shiu i papërmbajtshëm dukej sikur rikrijonte legjendën e Noas.

Hammondi i shqetësuar sillte ndërmend fragmentet e autorëve antikë që kishin shkruar për Dodonën.

Tashmë Dodona dukej sikur qe e përjashtuar nga gjithçka.  Kohërat moderne e kishin shfuqizuar rëndësinë e saj madhështore të dikurshme.

Hammondi kërkonte diçka më shumë.

Ai kishte disa kohë që udhëtonte mbi hartën e antikiteteve dhë të miteve.

Ai kishte ardhur me anije nga Korfuzi dhe kishte zbritur në Gjirin e Vlorës, pastaj kishte udhëtuar në Gadishullin e Akrokeraunave, kishte parë në Gjirin e Gramatës shkëmbinjtë e mbushur me mbishkrime mijëvjeçare, kishte ndalur në Kepin e Linguetas,- ku dikur kryqtarët e udhëhequr nga Richard Coeur de Lion,- pësuan gjatë një shtrëngate mbytjen e  disa anijeve, që padyshim duhet t’i ruante fundi i detit.

 Por në viset e shqiptarëve qytetërimi thuajse kishte ngelur në epokën e gurit.

Shqiptarët jetonin në një varfëri të skajshme.

Më pas Hammondi pa fshatrat e bregdetit, Qeparoin, Kudhësin, Orikumin Llogaranë, Zvërnecin, fshatrat e Kurveleshit, pastaj Gjirokastrën për të kaluar në vendbanimet e çamërisë në qytetin e Pargës, në qytetin e Sulit, në këtë hapësirë ku jetonin shqiptarë të ashpër Hammondi me Kriston qenë të pranishëm në një festival popullor, ku panë valle të një lashtësie marramendëse, ku mbijetonin procesionet fallike.  Kjo gjë e habiti pa masë Hammondin.

Por habia do të vazhdonte.

Ai vite më vonë do të merrte pjesë edhe në Festivalin e Arinjve ku ai zbuloi origjinën kulturore koreografike të shqiptarëve të jugut.

Fustanella shqiptare e madhe dhe e gjatë iu duk atij veshja më e pabesueshme dhe krenare në krejt Europën.

Ai mbantë shënime dhe bënte analiza.

Në qytetin e Pargës ai pa me sytë e tij një varr gjigand monumental të tipit tholos, varrin e vetëm mikenas në krejt Epirin.

Varri u përkiste mbretërve të Thesprotisë.

 Mbretëria e tyre shtrihet deri në Luginën e Akeronit.  Ndoshta në këtë thelos duhet të kenë qenë vendosur në kohërat klasike edhe eshtrat e Pirros së Madh të Epirit.

 Por synimi i Hammondit e kishte një pikë inkadeshente.  Ai donte të shikonte me sytë e tij fushën e Akeronit, vendin që sipas Homerit Odiseu kishte shkuar për të pyetur fallxhorin e verbër Tirezia në Had.

Më në fund, duke udhëtuar me mushka Hammondi dhe Kristo Suli arritën në brigjet e lumit Akeron.

Lumi buronte nga një grykë e gjerë e pakalueshme, brigjet e tij binin thikë dhe ishin gjithë pemë, derisa dilte në një fushtë të begatshme, të gjerë e të rrafshët, dhe vende-vende me moçalishte.

Dy vjet më parë kompania britanike BOOTS kishte marrë përsipër bonifikimin e fushës.

Punëtorët qenë shqiptarë vendas.

Në të vërtetë aa po thanin ujërat e liqenit të Akeruzës, nëpërmjet të cilit besohej se Karonti transportonte me lundrën e tij të llahtarshme të vdekurit kundrejt një çmimi prej një obolle.

 Inxhinjeri anglez që kryesonte punimet ishte aq injorant sa nuk e dinte fare historinë e Karontit dhe të Lundrës së Shpirtrave.

Ai nuk mund ti besonte dot shpjegimet e Hammondit, qe i zhveshur krejt nga profetizimi i miteve.

Në Kodrën e Lëkurësit (emër shqip, ky toponim kishte kuptimin e mbledhjes së lëkurëve, kuptohet të të porsavdekurve) ndodhej manastiri i braktisur i Shën Gjergjit.  Krejt bosh.

 Manastiri ngrihej brenda mureve prej gurësh të mëdhenj poligonal, që shënonin kufijtë e një vendi të shenjtë antik temenos.

 Rrënojat e vendit të shenjtë përbëheshin nga një seri muresh të ngjashëm, që pasqyronin tri periudha të lashta.

 Aty Hammondi vërejti lumin e Koqitit, ku bashkohej me lumin e Akeronit, pikërisht poshtë manastirit dhe e kuptoi se po qëndrone në vendin që dikur kishte shërbyer Orakulli i Vdekjes, të famshmin Nekymanteionyt.

 Ky Orakull i Vdekjes ia dorëzonte sekretet e botës së nëndheshme mbretërisë së Hyut të pamëshirshëm Hadit, ose Adoneusit, që ende adhurohej në kishat e krahinës nën emrin e korruptuar të Agjios Donatit, Shën Donatit.

Historia e faltores kufitare të vdekjes nis që në periudhën e bronxit.

Fillimisht këtu janë lokalizuar legjendat e Demetrës dhe të Persethonit, të Tezeut, të Herakliut me Kerberin Trikokësh dhe të Gjyqtarëve të Vdekjes.

Homeri e ka përshkruar këtë vend.

Kur Odiseu shkoi që të këshillohej me fantazmat e të vdekurve nimfa magjistare Circea e udhëzoi kështu “pasi të përshkosh detin me anijen tënde dhe të vish në vendin ku bregdeti është me lym, do të shohësh koriet e Persefonës, plepat e gjatë dhe shelgjet që i rrëzojnë farat të pabëra, atje ndanë të detit të thellë e të trazuar do të ankorosh anijen, por në shtëpinë e lagësht të Hadit do të shkosh fillikat.

 Në Akeron ku derdhet lumi Pyriflegjeton por dhe lumi i Koqitit, që është një degëzim i lumit të Stiksit, ndodhet një shkëmb ku lumenjtë e rrëmbyshëm bashkohen.

Aty do të afrohesh, do të gërmosh një gropë të thellë dhe si blatim për të vdekurit, dotë zbrazësh gotat me mjaltë të tretur, me verë të purpurt, dhe së fundi me ujë, pastaj brenda gropës do të shpërndash ca elb të bardhë”.

 Odiseu veproi duke iu bindur udhëzimeve.

 Ai kishte marrë me vete dhe një qingj të zi që e therri, kur vërshoi gjaku atëherë të vdekurit e nuhatën dhe përpara heroit Odise u shfaq Tirezja i frikshëm,- por i vetmi që i tha të ardhmen në ishullin e Itakës atij.

 Hammondi u fut në mjediset e manastirit, në muret e të cilit kishte afreska të shkatërruara.

 Rreth manastirit kishte plepa dhe shelgje.

 Ai e dinte se emrat e lumenjve kishin kuptim.

 Akeron do të thotë” rënkues,” Koqit do të thotë “fishkëllues” dhe Pyriflegjeton “flakërues.”

Ai ndjente sesi i jehonin në shpirt këta lumenj të fatalitetit të shekujve.

Shqiptarët vendas i kishin thënë se këtu netëve dëgjoheshin zhurma të çuditshme ujrash të nëndheshme, madje kishin vërejtur edhe ndriçime të forta fosforike nën ujra.

 Disa vjet më parë arkeologu grek Sotir Dakarasi bëri gërmime tek “Shtëpia e Lagësht e Hadit”.

 Ai gjeti enë qeramike të përdorura dikur për mjaltin, verën, ujin dhe kokrrat e elbit.

 Shtëpia e Hadit kishte nën vete një labirint të nëndheshëm.

 Aty u gjet dhe një kazan i madh bronxi si dhe një lloj çikriku me hallka hekuri.

   Mund të imagjinohet tmerri i vizitorit, që pasi kalonte nëpër labirinth arrinte në fund të pusit që ishte në qendër.  Këtu kazani që ngrihej nga zinxhirët e çikrikut thuajse nxirrte fantazmën e çdo të vdekuri prej botës së nënëdheshme.  Nekromancia është po aq e lashtë sa kodrat e Sulit.

 Në anën jugore gjetën disa trarë viganë, që shërbenin si sinorë, që të gjallët mos t’a kapërcenin mbretërinë e Hadit.

 Hammondi ndenji tri ditë në këtë vend të kobshëm.

  Ai nuk arrinte t’a kuptonte dot sesi vendasit shqiptarë ishin të vetmit që laheshin gjatë vapës së verës mbi ujrat e Akeronit dhe të lumenjve të tjerë, pa e ditur aspak se laheshin në ujrat e vdekjes.

 Nuk dukej asgjëkundi Lundra e Karonit.

 Bonifikimi i moçaleve qe njëkohësisht dhe bonifikimi i mitologjisë.

 Këtu bënte kërdinë malaria.

 Mushkonjat e mëdha anofele përfaqësonin gjithçka nga shpagimi i Hadit.

 Ndoshta tashmë tek këto mushkonja qe vetë shpirti i Karonit.

 Por askush nuk e dinte këtë.

 Hammondi mendote, imagjinata e tij lëvizte papushim.  Pse popujt e lashtë që në epokën parahomerike e kishin vendosur këtu Orakullin e Vdekjes?

Pse jo në një vend tjetër?

 Kjo qe gati e pashpjegueshme.

 As arkeologët e së ardhmes nuk mund të rikonstruktonin diçka nga gjenezat e humbura, sidomos ato shpirtërore.  Hammondi dukej sikur qe mishëruar në vetë trupin e dikurshëm të Odiseut.

 Por ai nuk qe Odiseu.

 Gjatë qëndrimit Hammondi bisedoi me disa nga shqiptarët.

 Mushkëritë e tyre qenë të përvëluara nga tuberkulozi dhe kur flisnin dukej sikur lëshonin klithma.

 Ata vdisnin të drobitur dhe në një moshë fare të re.  Shpirtrat e tyre si mund t’i transportonte vallë Karoni fluturues prej mushkonjash?

Hammondi as nuk donte t’a zhbironte këtë thagmë.

Atij i pëlqenin madhështitë zanafillore dhe si një arkeolog dukej se e torturonte realiteti paradoksal i vuajtjeve, i injorancës por dhe i harresave të egra dhe të pakuptueshme.

Në vitin 1972 Hammondi 65-vjeçar erdhi në Tiranë për të marrë pjesë në Kuvendin e Studimeve Ilire.

 Unë, shkruesi i këtyre rrjeshtave isha redaktor letrar në gazetën “Drita” i caktuar për të shkruar për këtë kryengjarje shkencore që bëri jehonë të madhe në botë.

 E takova dy herë Hammondin në hollin e hotel Dajtit.  Kisha lexuar librin e tij të famshëm “Udhëtime në Epir dhe në Shqipërinë Jugore”  isha i ndrojtur nga fama e madhe e dijetarit Hammond.

 Ai qe i thjeshtë, fliste me modesti, i pëlqenin shakatëdhe qeshte siç qeshin njerëzit e mirë.

 Befas unë e pyeta Hammondin për udhëtimin e tij në “Shtëpinë e Lagësht të Hadit”.

 Ai shtangu.

 Heshti gjatë.

 Pastaj tregoi disa detaje plotësuese të udhëtimit që nuk i kishte vënë në libër.

 Atë e kishte shqetësuar një problem gjatë tërë jetës.

 Pse pikërisht mbretëria e Hadit konceptohej nëpërmjet ujrave?

 Jo ujrave të detit por të lumenjve?

  Pse Karoni i mallkuar qe një lundërtar?

 Pse shpirtrat e të porsavdekurve transportoheshin me një lundër?

 Kjo gjë duhej shpjeguar.

 Të ishte mbushamendëse.

 Po ku ishte vetë Hadi?

 Të vjetrit mendonin se ishte nën tokë.

 Por mjedisi nuk parakuptonte shpella të mëdha dhe të tmerrshme, që ftillëzojnë imagjinatën për nëntokësoren.

 Mesa duket Hadi fillimisht duhet të ketë qenë lidhur me kultin e lumenjve-Hyjni, pra me diçka shumë parake dhe natyrore, me elementë të kozmogonisë.

 Në kohën kur akenjtë në epokën mikenase lundruan me një flotilje anijesh drejt Trojës në Azinë e Vogël, duhej që të kishte një koncept tjetër të lundrimit.

 Duket e pakuptueshme që figura e Lundërtarit Karon të qe e njëjtë dhe e pëlqyeshme, e njëllojtë me atë të heronjve të famshëm detarë.

 Kjo hulli arsyetimi çon në një traditë lokale, ndoshta paragreke, kuptohet dhe parahomerike.

Kanë kaluar vite dhe unë risjell papushim ndërmend bisedën fragmentare me Hammondin, së cilës i paraprin udhëtimi i tij fantazmagorik tek “Shtëpia e Lagësht e Hadit”.

 Gjithçka që thashë më sipër përbën vetëm një sinops.  Një koleksion idesh dhe mbresash.

 Më tepër një ngacmim fantazish së pamëshirshme.

 Por gjithsesi kuptimi i një ndërlidhje ekziston dhe nuk mund të zhduket.

 Lexuesi ka të drejtë ta rikonstruktojë subjektin si të dojë.  Kjo gjë nuk është as shkatërrim dhe as hakmarrje ndaj shkrimtarit.

 Përkundrazi.(1996)

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *