“Shtëpia – qytet i vogël, qyteti – shtëpi e madhe”

anazapta

Të kesh një shtëpi sipas stilit tënd, apo sipas asaj çka të bën të ndihesh mirë, është një dëshirë për shumëkënd. “Respekti” që kemi filluar të kemi për hapësirën e banimit, na ka bërë që të kujdesemi më shumë për detajet në të. Është një program në kanalin “Living” në platformën Tring, i cili ka marrë përsipër të tregojë, po pse jo dhe të edukojë shijet tona kur vjen puna për shtëpinë. Ne kemi ftuar sot në DITA moderatoren e programit “Stili Im”, e cila është njëkohësisht edhe arkitekte në profesion. E pajisur me një shije të hollë që nga fëmijëria dhe e stërvitur më një sy të mprehtë gjatë viteve të shkollimit, ajo është sot një “meny” shumë e mirë për këdo që do të ndryshojë stilin e shtëpisë apo të ndërtojë dhe arredojë një banesë të re. Andia Guga, arkitekte, e diplomuar në qytetin e Rilindjes arkitekturore, Firence, na tregon disa sekrete që duhet t’i kemi parasysh kur projektojmë një shtëpi e mbi të gjitha kur e arredojmë atë. “Shtëpia është një qytet i vogël, i mbushur me skenarë të duhur apo rastësorë të asaj çfarë ne jemi apo çfarë duam të jemi”, thotë arkitektja Guga, e cila di t’i japë stil edhe bisedës…
bursa escort bayan
Andia, ju jeni arkitekte, na tregoni diçka më shumë për veten dhe për këtë rrugë tuajën?

Andia Guga, Foto nga revista LIVING
Andia Guga, Foto nga revista LIVING

Pasioni im për arkitekturën ka lindur që në fëmijëri kur kuriozoja mbi projektet e tim eti. Gjithmonë më ka tërhequr vizatimi, teknografia, vizoret, boja e rapidografëve që dikur mbusheshin vetë. Ndërkohë nga nëna ime kam trashëguar ndjenjën e së bukurës dhe të dy bashkë më kanë transmetuar dashurinë për punën. Mendoj se kanë qenë përbërësit e duhur që më drejtuan në këtë rrugëtim profesional, i cili ka nisur në Firence, qytetin e Rilindjes arkitekturore, ku jam diplomuar tre vjet më parë. Aktualisht, në Universitetin e Firences vazhdoj dhe studimet e Doktoraturës në degën Projektim Arkitektonik dhe Urban. Prej dy vitesh punoj në Tiranë dhe jam e dyzuar midis dy vendeve. Firencen e kam gjithmonë në zemër. Më ka dhënë shumë. Një copëz e imja do ngelet gjithmonë atje.

Në Tiranë jeni drejtuese e një programi televiziv që merret enkas me shtëpinë. Ç’farë ndodh në atë program?

E vërtetë, midis shumë gjërave të tjera në Tiranë merrem dhe me Interior Design. “Stili im” është një program mjaft interesant, i pari në llojin e tij në Shqipëri, ku tregohen shtëpi nga arkitektët apo të zotët e tyre. Unë jam moderatore e tij prej disa muajsh dhe duhet të them që prezantimi i shtëpive është mjaft kompleks. Të bësh apo të tregosh arkitekturën, ndër të tjera është dhe një përgjegjësi sociale që ka si qendërsynim mirëqenien e njeriut. Arkitektura e periudhës në të cilën jetohet është konsideruar gjithmonë si arkitekturë moderne, sepse pasqyron mënyrën e jetesës së një shoqërie, ndryshimet kulturore, politike apo zhvillimin e teknologjisë. Çdo shtëpi ka disa protagonistë, një koncept dhe një zhvillim, pra ka një histori, e cila duhet përkthyer në interier nga arkitekti. Në “Stili im” përzgjidhen ato shtëpi, të cilat mbartin vlera të vlefshme për shikuesit, promovohen arkitektët e tyre apo përgëzohen të zotët e shtëpisë për idetë krijuese.

A ka ndryshuar koncepti për arredimin në shoqërinë tonë, a po qasen gjithmonë e më shumë njerëzit drejt profesionistëve?

ngjyraFatmirësisht, po. Gjithnjë e më shumë njerëzit janë të ndërgjegjësuar t’ia besojnë shtëpinë arkitektit. Nuk mendoj se ka për të ndryshuar ndonjëherë koncepti për shtëpinë. Të gjithë duam “të ndihemi në shtëpi”. Dua të citoj këtu arkitektin e madh Leon Battista Alberti, i cili në vitin 1452 në traktatin “De re aedificatoria”, shkruan: “Shtëpia është një qytet i vogël dhe qyteti një shtëpi e madhe”. Arkitektura nis me shtëpinë dhe vendndodhjen e saj, zgjerohet me rrugën, me lagjen dhe nga lagjja me qytetin. Shtëpia është një qytet i vogël, i mbushur me skenarë të duhur apo rastësorë të asaj çfarë ne jemi apo çfarë duam të jemi. Mendoj se arkitektura dhe njeriu janë pjesë e një procesi kërkimor të pandalshëm. Të punësosh një arkitekt gjithmonë leverdis, pasi ai nuk është vetëm artist, sociolog, apo psikolog, por dhe një ekonomist shumë i mirë.

Në fakt, dallojnë shqiptarët në shijet e tyre dhe ku janë të përqendruar më shumë?

Shija është në varësi të çdo individi, një pjesë e saj është e lindur e një pjesë e përftuar gjatë jetës. Ne shqiptarët kemi vuajtur për pak vazhdimësi historike edhe në arredim. Kemi kaluar nga banesa tradicionale në ekzistensminimum-in e realizmit socialist, më tej me boom-in e mobilieve pseudo klasike pas viteve ’90 e deri me pseudo design-in e ditëve të sotme. Sigurisht pa bërë përgjithësime. Sot shqiptarët janë më të informuar, udhëtojnë, kanë mundësinë dhe lirinë të bëjnë zgjedhje të kohës.

Andia, le të vijmë më konkretisht, a duhet ta ndryshojmë arredimin në çdo stinë?

relaksArredimi nuk ndryshon në bazë të stinëve, por në bazë të nevojave funksionale apo stilistike të njerëzve. Është e këshillueshëm që mobilimi të ndryshojë çdo pesë vjet, pasi na duket sikur rigjenerohemi. Ajo çka mund të ndryshojmë pak më shpesh është dekori (lyerja e mureve, tapiceria e divanëve, jastëkët, perdet etj.)

Çfarë duhet të bëjmë konkretisht sipas jush për të pasur një ambient pranveror-veror?

Këto janë stinë plot dritë, plot lule e jetë. Përse mos t’i integrojmë këto elemente brenda shtëpisë? Nëse banoni në apartament dhe keni ballkone me sipërfaqe të mjaftueshme, mund t’i shfrytëzoni për ngrënien e mëngjesit apo kafen e pasdites. Arredoni bukur, shtroni dyshemenë me parket, përdorni materiale natyrore si druri dhe shumë gjelbërim për të krijuar një oaz natyre mbi beton.

Këshilla

Ajri, dielli, uji, gjelbërimi dhe… ricikloni mobiliet e vjetra

Ka disa mënyra për të pasur një shtëpi të bukur, të kohës dhe me pak kosto mund ta arrish këtë. Sipas arkitektes Andia Guga, mos e ndaloni dritën natyrale të diellit të hyjë në shtëpi. Guxoni në ngjyrat e gjalla dhe… me një lyerje të thjeshtë, ricikloni mobiliet e vjetra.

Cila do të ishte këshilla e parë që do i jepnit një personi që ndërmerr hapin për të ndryshuar arredimin e shtëpisë në këtë periudhë?

Këshilla e parë: Punëso një arkitekt. Këshilla e dytë: Nëse nuk ke para për të paguar një arkitekt, shfleto disa revista design-i.  Këshilla e tretë: Ndiq emisionin “Stili im” J. Brenda shtëpisë mund të guxoni me ngjyrat e gjalla, kontrastet e forta, apo ngjyrat pastel për ata që preferojnë tonet e qeta. Përdorni perde që lejojnë depërtimin e dritës, të çelëta e me përbërje natyrore si pambuk apo lino. Një këshillë tjetër që mund t’u jap është riciklimi i mobilieve të vjetra. Nëse i keni aty prej kohësh dhe u janë mërzitur, me një lyerje të thjeshtë dhe shumë pak kosto mund t’i ndryshoni makijazhin shtëpisë tuaj.

Pas përcaktimit të “temës” nga duhet t’ia fillojmë?

Përcaktoni një buxhet maksimal për atë që do shpenzoni dhe në bazë të tij zgjidhni në dyqanet e mobilerive çka më shumë ju përshtatet. Sigurisht që një arkitekt do t’ua lehtësonte më shumë jetën.

Po nëse duam të realizojmë një shtëpi nga e para, cilat janë tendencat dhe ku duhet të kemi kujdes?

Nëse realizojmë një shtëpi nga e para, duhet të bëjmë shumë kujdes me ndarjen e duhur të hapësirave dhe zgjidhjen funksionale të tyre. Ambientet duhen studiuar në mënyrë të detajuar, ku çdo gjë të jetë në vendin e vet, duke evituar pyetjen “po sikur të ishte ndryshe?.” Në një fazë të dytë përcaktojmë mobilimin, ndriçimin artificial, materialet e veshjes dhe dekorin. Arkitektura nuk është modë, nuk mund të flasim për tendenca. Ndjekim stile apo rryma të caktuara. Me stilin modern gabohet më pak. Duhet bërë kujdes me stilin klasik, stil i cili gjen frymëzim në epokat e kaluara e duhet të vijë në mënyrë të re, të ritrajtuar, duhet të sjelli risi pa dëmtuar origjinalitetin e kohës, por njëkohësisht pa degraduar në storicizma të tepruar. Një njohje e mirëfilltë e periudhave historike, njohja e evolucionit të mendimit arkitektonik na ndihmon të kuptojmë atë çka u përshtatet më mirë shijeve dhe karakterit të klientit.

Cilat janë ato detaje që nuk duhet të mungojnë asnjëherë në një shtëpi që arredohet rishtas?

Ajri, dielli, uji, gjelbërimi.

 

Share This Article
1 Comment
  • Hі, I do believе thіs is a great site. I stumbledupon it 😉 I will come bаck yet again since i have
    book-maгked it. Money and freedom is the best way to chɑnge, may
    you be rich and continue tо help other people.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *