Për të dytën javë radhazi Skënderbeu u gëzohet sekondave të fundit të ndeshjes, ndërsa Teuta shikon me hidhërim se si i ikën fitorja nga duart. Durrsakët ishin fare pranë fitores dje kundër kampionëve, kur një gol i shënuar nga Renato Arapi në minutën e 92-të u hoqi dy pikë, ashtu si një javë më parë në Shkodër, kur Vllaznia barazoi në minutën e tretë shtesë. Mbrojtësi i kampionëve ndoqi shembullin e sulmuesit Pero Pejiç, i cili, javën e kaluar, shpëtoi skuadrën nga humbja në Laç, kur shënoi në ekstrem për barazimin 2-2. Durrsakët mund të fajësojnë vetëm veten për rezultatin e djeshëm, pasi nuk e shfrytëzuan pasivitetin e korçarëve pas pësimit të golit nga pika e penalltisë, kur Samb mposhti Shehin. Teuta bëri lojë të kujdesshme në pjesën më të madhe të kohës para pushimit, ndërkohë që më pas rrezikoi dy herë me Joel, lojtari që fitoi edhe penalltinë. Durrsakët menduan shumë herët për të mbrojtur fitoren dhe kjo u pa qartë edhe në zëvendësimi i bërë nga trajneri Roberto Sorrentino, i cili e tërhoqi mjaft prapa skuadrën duke nxjerrë Joel e futur Nikën, ndërkohë që në tri minutat e fundit aktivizoi Daniel Xhafajn, shënuesi më i mirë i kampionatit. Në dhjetë minutat e fundit Teuta u mblodh para zonës së saj, duke i lënë terren Skënderbeut, që u shfaq i rrezikshëm me Ditmar Bicajn. Goditja erdhi në minutën e dytë shtesë, kur mbrojtja durrsake nuk arriti të largonte nga zona një top të gjatë të krosuar pothuajse nga mesi i fushës nga Shkëmbi. Arapi u tregua i shpejtë, duke gjuajtur fort me të djathtën, pa i lënë mundësi reagimi Rizvanit. 1-1 dhe Skënderbeu është tetë pikë para Partizanit, në një kampionat ku luftohet për gjithçka përveç titullit.
Dje
Teuta-Skënderbeu 1-1
Samb 28 (p) / Arapi 92′
Renditja
1 Skënderbeu 38
2 Partizani 30
3 Teuta 29
4 Laçi 28
5 Besa 28
6 Kukësi 27
7 Flamurtari* 26
8 Bylis 23
9 Vllaznia 22
10 Kastrioti 21
11 Tirana 19
12 Lushnja 19
* Flamurtari -3 pikë