Shteti Islamik rrezikon të vetë-shkatërrohet

Ornela

Vështirësia për shitjen e naftës, shpengimet gjithnjë e më të vështira për t’i marrë dhe rreziqet e lidhura me taksat në territoret e kontrolluara nga ISIS janë disa nga arsyet përse kalifati mund të vetë-shkatërrohet.  

Dy strategjitë që Shtetet e Bashkuara po përgatisin për të luftuar dhe mundur Shtetin Islamik nuk duken se janë shumë bindëse: nga njëra anë është ofensiva e re e ushtrisë irakiane dhe kurde për të rimarrë qytetin e Mosulit, dhe nga ana tjetër marrëveshja mes SHBA-së dhe Turqisë për të stërvitur dhe armatosur rebelët sirianë që luftojnë kundër ISIS dhe kundër regjimit zyrtar të al Assad. Megjithatë këto dy strategji kanë pikat e tyre të dobëta.

Në rastin e parë bëhet fjalë për dobësinë e ushtrisë irakiane, që verën e shkuar u shpërbë përballë avancimit të ISIS. Nga ana tjetër, vështirësia për të menaxhuar grupet rebele siriane, të ndara mes tyre në disa fraksione dhe mbi të gjitha që kanë për qëllim edhe të rrëzojnë regjimin e Damaskut, objektiv që jo domosdoshmërish pajtohet me atë të Shteteve të Bashkuara dhe që gjithsesi sjell shumë probleme të tjera në kohëra afatgjata.

Në çdo rast, kjo kundërofensivë për komandon amerikane nuk mund të sjellë rezultate para disa muajsh (gjithmonë nëse ka një rezultat). Po ndërkohë?

Duke u bazuar në një analizë të Reuters, ekziston mundësia që armiku më i keq i Shtetit Islamik të jetë ai vetë dhe bazat e brishta ku mbështetet ekonomia e tyre.

Deri më sot, ISIS ka pasur sukses të madh në financime falë mbështetjes ekonomike që ka fituar nga ana e vendeve që dyshohen se e kanë mbështetur në funksion të anti-Iranit (kryesisht Arabia Saudite), falë naftës së shitur, shpërblimeve për lirimin e pengjeve dhe falë taksave të mbledhura nga ata që jetojnë dhe punojnë në territoret që janë nën kontrollin e ISIS.

Katër faktorë kyç që tani rrezikojnë të dështojnë. Me humbjen e shpresës për të drejtuar  kalifatin, në fakt vendet që i kanë mbështetur fillimisht po tërheqin sot mbështetjen e tyre ekonomike. Ndërkohë nxjerrja dhe shitja e naftës po bëhen gjithnjë e më të vështira për shkak të bombardimeve të SHBA-së, që kanë shkatërruar të ardhurat që ISIS merrte. Përsa i përket shpagimeve, duhet theksuar se pjesa më e madhe e pengjeve të profilit të lartë në duart e Shtetit Islamik janë vrarë, ose lëshuar. Llogaritet që sot vetëm katër të huaj janë të burgosur (dhe marrja e pengjeve të tjerë duket gjithnjë e më vështirë për shkak të masave që të gjithë kanë marrë).

Duke qëndruar në çështjen e taksave, ato janë një thikë me dy presa. Si çdo “shtet” edhe ISIS merr një pjesë të rëndësishme të financimeve të tyre përmes taksave, por kjo mund të krijojë pakënaqësi në popull dhe ta çojnë të mbështesin grupet rebele që luftojnë kundër kalifatit të al Baghdadit. Për më tepër, që tani Shteti Islamik ka probleme në mbledhjen e taksave për shkak të mungesës së kulturës nga fermerët në zonë që vjen nga vështirësia që këta kanë për të blerë pleh, makineri dhe mjete duke qenë se jetojnë në një zonë lufte. Kësaj i shtohet edhe avancimi i koalicionit anti ISIS që arriti të rimarrë disa zona duke larguar Shtetin Islamik nga rrugët kryesore të furnizimit.

 

Shteti Islamik ka nevojë për territore të reja për të plaçkitur dhe t’i vërë ato nën kontroll. Gjë që nuk mund të jetë në gjendje ta bëjë sidomos në Irak. Është e vërtetë që në disa pjesë të tjera të botës (Libi dhe Nigeri) po rriten gjithnjë e më shumë grupet xhihadiste që vetëquhen Shteti Islamik, por nuk është e qartë se cila është lidhja konkrete e tyre me militantët e Sirisë dhe Irakut dhe si mund të mbështesin njeri-tjetrin nga pikëpamja ekonomike.

Ajo që në fakt nuk i mungon ISIS-it janë personat që janë të gatshëm të luftojnë për ta. Fushata e rekrutimit vazhdon të funksionojë më së miri dhe duket se numri i luftëtarëve të huaj është rritur në mënyrë eksponenciale në vitin e fundit. Por nëse ISIS nuk do të jetë më në gjendje të kontrollojë territorin e tyre, atëherë edhe kalifati për të cilin njerëzit shkojnë të luftojnë do të zhduket. /DITA

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *