Xhevdet Shehu
Në festimet e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Akademia jonë e shkencave nuk i dërgoi ftesë njërit prej kontribuiesve më të mëdhenj të çështjes sonë kombëtare, Akademik Rexhep Qosjes. Ky refuzim u komentua në mënyra të ndryshme dhe me indinjatë: thelbi qëndronte në faktin që kemi një Akademi Shkencash të politizuar, nën thundrat e Sali Berishës. Sidoqoftë, Prof. Qosja erdhi në Vlorë më 28 nëntor të vitit të kaluar si një atdhetar i madh dhe u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”.
Në një intervistë që i mora profesor Qoses, ai thekson: “Shqipëria, açik vendeve të tjera ish-komuniste në Ballkan, por ngjashëm Rusisë dhe Bjellorusisë, vazhdon të kryeministrohet jo prej një ish-komunisti, por prej një ish-anëtari të nomenklaturës komuniste! Llukashenkoja i ynë është ish-sekretar i Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë, në të vërtetë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Dhe, ky sekretar partie, që vendoste për fatin e studentëve dhe profesorëve të këtij Universiteti, bënte çmos të shfrytëzonte lidhjet për të krijuar karrierë sa më të fortë staliniste. Ky njeri, ky ish sekretar partie, pas komunizmit ishte njëherë kryetar i Shqipërisë, që e çoi Shqipërinë në luftë qytetare në vitin 1997 dhe u përmbys pas një revolucioni demokratik. Si e duron Shqipëria autokracinë blegtorale të Sali Berishës? Si mund të lejojë ajo që të flitet që ky njeri të mbetet edhe më tej në pushtet? Madje të supozohet për së dyti kryetar i shtetit! Absurd! Përmbysje e ndërgjegjes, madje e logjikës, madje e etikës elementare qytetare!… Ndihmoji, Zot Shqipërisë. Ku ke katandisur Shqipëria ime e dashur!”
Ndërsa i pezmatuar për gjendjen aktuale të Shqipërisë, Prof. Qosja theksonte pa mëdyshje duke drejtuar gishtin nga përgjegjësi kryesor: “… ky përgjegjës është regjimi shqiptar; dhe ky përgjegjës është protagonisti i këtij regjimi; dhe ky përgjegjës është sundimtari i këtij regjimi; dhe ky përgjegjës është Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Pse? Sepse është pushtetmbajtës. Sepse është sundimtar. Sepse në duart e tij janë të gjitha levat e pushtetit në Shqipëri! Sepse është autokrat. Sepse është autokrat i tipit më anakronik, më fyes për një shoqëri që pretendon të quhet evropiane, bashkëkohore! Sepse është shkelës i Kushtetutës dhe i ligjeve!”
Sidoqoftë përplasja e Prof. Qoses me Berishën ka një histori të vjetër, më se 21 vjeçare. Këtu në vijim po risjell në kujtesën e lexuesve përplasjen e tyre të parë për një çështje madhore, sikurse është çështja kombetare dhe që shënoi ndarjen përfundimtare të tyre.
Përmbysja e regjimit komunist dhe futja e vendit në rrugën e demokracisë, zgjoi te shqiptarët, më shumë se kurrë ndonjëherë, shpresën e zgjidhjes së Çështjes Kombëtare, sfidë dhe ëndërr shekullore kjo në të njëjtën kohë, tepër e koklavitur dhe padyshim më problematikja në Ballkan. Rënia e Murit të Berlinit për shqiptarët mori kuptimin e një simboli dhe të një sinjali, shërbeu si një inkurajim për të arritur atë që për vite e dekada quhej e paarritshme.
Nga fundi i vitit 1991 gjithnjë e më shpesh filloi të flitej për një Kuvend të Pajtimit dhe Bashkimit Kombëtar, iniciativë kjo e një grupi intelektualësh. Ata fiksuan përafërsisht dhe kohën e mbajtjes së Kuvendit, ndërsa për bashkëkryetarë caktuan akademikun Rexhep Qosja dhe shkrimtarin Ismail Kadare, të cilët, megjithëse njëri në Prishtinë dhe tjetri në Paris, e përshëndetën këtë iniciativë dhe pranuan të vihen në krye të kësaj pune.
Në fillim të shkurtit 1992 në Tiranë do të mblidhej Komisioni Nismëtar, i cili së pari do të kontaktonte me forcat politike shqiptare për të rënë në një emërues të përbashkët rreth platformës së Kuvendit.
Pikërisht në këtë periudhë, pas 11 vjet mungese, mbërriti në Tiranë Prof. Rexhep Qosja, si dhe disa anëtarë të tjerë të Komisionit Nismëtar nga Kosova. Ardhja e profesor Qosjes zgjoi interes në mënyrë të veçantë dhe kudo u prit me një respekt të madh për gjithçka ai kishte bërë për çështjen shqiptare me përkushtim të rrallë. Ai kishte autoritetin e duhur për një akt të tillë historik. Komisioni filloi nga puna duke kontaktuar me partitë politike, të cilat në përgjithësi e mirëpritën dhe u treguan të gatshme për të bashkëpunuar. Në mbrëmje TV jepte takimet e komisionit nismëtar me kryetarët e partive dhe dukej se gjithçka po shkonte për bukuri.
Por, më e çuditshmja ndodhi atëherë kur s’pritej: PD nuk ishte dakord! Shumë shpejt do të merrej vesh se kryetari i PD-së, Sali Berisha, kishte shprehur kundërshtimin dhe kishte patur një dialog të vështirë me profesor Qosjen… Në fakt ai e përzuri Akademikun e shquar dhe qysh atëherë ata nuk janë takuar kurrë me njëri-tjetrin. Rexhep Qosja e ka analizuar liderin e PD-së ndoshta më mirë se askush në shumanshmërinë sjelljeve dhe veprimeve të tij, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Ndërsa Berisha nëpërmjet shtypit dhe propagandës së tij, nuk ka lënë gjë pa thënë kundër Qoses… (në vitin 1998 u botua në Tiranë libri “Fjalor demokratik” i akademikut Rexhep Qosja, ku janë përfshirë me hollësi edhe mbresat e tij nga takimet me Sali Berishën ato ditë shkurti 1992).
Kush ia kishte bërë mendjen qykë Sali Berishës?!
Në fakt nuk ka patur një takim, por dy midis Prof. Qoses dhe Berishës. Në takimin e parë, që do të mbahej një ditë para Kuvendit për Pajtim dhe Bashkim Kombëtar, bashkë me Prof. Qosen ishin edhe të gjithë anëtarët e grupit nga Kosova: Idriz Ajeti, Hajrullah Gorani dhe Ramiz Kelmendi. Në takimin e dytë, i cili u mbajt të nesërmen në mëngjes, para mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Zgjeruar Organizues të Kuvendit për Pajtim dhe Bashkim Kombëtar, Prof. Qosja ka qenë vetëm për vetëm me Berishën.
Prof. Qosja i përshkruan me hollësi të dy takimet, nuancat, gjestet, ngurimet, argumentet dhe kundërargumentet… Ja si e përshkruan ai mbylljen e takimit të dytë (dhe të fundit) me Berishën:
“Derisa une flitja, Sali Berisha merrte shënime në një fletore të trashë. Kur e merrte fjalën, si herën e parë, kur në takimin me të ishim të të katërtit, kapërcente prej teme në temë! Shihej se shënimet që merrte nuk i ndihmonin shumë! Prej fjalëve që thoshte e kuptoja se s’kisha bëre gjë: nuk kisha arritur t’ia ndërroj aspak mendjen! Me vete mendoja: dikush tjetër, shumë më i bindshëm se unë, ia ka bërë këtij mendjen qykë dhe nuk e pranon pajtimin! Dhe këtë dikush, këtë forcë politike që e kishte bërë Sali Berishën ta kundërshtojë aq vendosmërisht idenë e pajtimit kombëtar, e shihja herë diku larg, në ndonjë kryeqytet a qytet të madh botëror, e herë në ndonjerën nga ambasadat e huaja në Tiranë! Në fund, derisa po ndaheshim, do t’i them Sali Berishës: në qoftë se ti dhe Partia Demokratike, megjithatë, nuk doni që të bëhet pajtimi kombëtar; në qoftë se ti nuk do të vish e as nuk do ta dërgosh përfaqësuesin e Partisë Demokratike në mbledhjen e Këshillit të Zgjeruar Organizues të Kuvendit për Pajtim dhe Bashkim Kombëtar, ne nuk po mbajmë Kuvend të Pajtimit Kombëtar, por, pas zgjedhjeve parlamentare, po mbajmë një Kuvend Gjithëkombetar, në të cilin do të merremi vesh për dy çështje: e para, për platformen kombëtare së ciles do t’i përmbahen forcat politike shqiptare kudo qe të jenë për zgjidhjen e çështjes kombëtare, prandaj edhe të çështjes së Kosovës dhe, e dyta, për strategjinë kombëtare të përpjekjeve për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Po e lëmë pajtimin dhe po merremi me çështjen e pazgjidhur kombëtare. Urdhëro e thuaj: a je dakord? As këtë nuk e pranoi atëherë kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha”.
Pak kohë pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike dhe pasi Sali Berisha ishte zgjedhur kryetar shteti, në gazetën Rilindja Demokratike (të cilën e kishte pagëzuar vetë Rexhep Qosja) filloi një sulm i egër ndaj akademikut kosovar, një sulm i paimagjinueshëm, me epitete fyese dhe denigruese, duke e quajtur personalitetin e madh të kulturës dhe letrave shqipe deri edhe “antishqiptar” dhe “agjent të serbëve”.
Versioni i plotë mund të lexohet sot në DITA print
Profesor Rexhep Qosja eshte ,padyshim,nje nder intelektualet me te medhenj shqiptare te kohes sone ,kete mendim e kam patur qe shpejt kur kam lexuar vepren e tij te shumeanshme.
Kete mendim kam prape dhe do ta kem ,sepse, kam besim ne integritetin e tij si intelektual qe nuk ben kompromis me ate qe e quan te gabuar.
Por, ka nje hipokrizi uleritese ne qendrimin e shume politikaneve dhe intelektualeve shqiptare ndaj prof.Qosjes,sepse per keta hipokrite,profesori eshte figure e shquar ,personalitet,akademik etj etj vetem kur sulmon,kritikon ashper(me ashper se asnje intelektual tjeter) Berishen …
Por, ka nje hipokrizi ndaj prof.Qosjes, sepse,keta qe e ngrejne ne qiell kur kritikon Berishen,perkundrazi,kur flet per bashkimin e Shqiperise me Kosoven,per te cilen eshte investuar aq shume prof.Qosja,keta rrufjane ,keta hileqare,heshtin,heshtin dhe vetem heshtin…ose nuk heshtin ,por jane kunder…
Gjithashtu,edhe kur profesori i nderuar,i’u ben thirrje intelektualeve shqiptare qe te mbajne barazlargesi ndaj feve te ndryshme ne vend,keta heshtin prape…ose nuk heshtin, por jane kunder,aq kunder jane sa e etiketojne ate si intelektual me mendesi orientale…
Ja,pra se ne c’gremine morale eshte shoqeria jone,e cila duket sikur eshte kapur per fyti nga nje lukuni zuzaresh qe luftojne per jete a vdekje per pushtet,kurse,njerez idealiste si prof.Rexhep Qosja,shkelqejne ne kete mocal te piset me idelalizmen e tyre shpresedhenese.Flm per mirekuptimin.