Shtohen grupet e mbrojtjes qytetare në Gjermani

Saimir Lleshi

Iniciativat shkojnë që prej ndihmës për fqinjët deri te grupet e djathta, të organizuara strikt, të cilat nuk sprapsen nga përdorimi i dhunës. Jo gjithmonë ato emërtohen mbrojtje qytetare apo civile – ndoshta sepse kjo tingëllon shumë luftarake dhe tërheq shpejt vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Në fund të fundit, për sigurinë e brendshme përgjegjësinë e ka policia, në Gjermani nuk mund ta luash pa një pa dy rolin e sherifit.

Por sulmet e Këlnit duket se kanë krijuar një klimë të re kërcënimi. Disa grupe të mbrojtjes qytetare e justifikojnë ekzistencën e tyre shprehimisht me ngjarjet e Këlnit, si për shembull një iniciativë në Dyseldorf. Mijëra vetë atje janë bashkuar me grupin e Facebook-ut “Një për të gjithë, të gjithë për një…Dyseldorfi është vigjilent”.

Sipas të dhënave të tij, grupi do të kujdeset “për zonjat tona”, atje ku për gratë situata mund të bëhet e rrezikshme: në fundjavë ose në aktivitete anëtarët e grupit duan të kalojnë së bashku nëpër qytet. Organizatori Tofigh Hamid i tha kanalit televiziv Sat.1: “Unë nuk jam dakord, që njerëzit e lirë të frikësohen”. Me dhunë ose armiqësi ndaj të huajve kjo nuk ka të bëjë.

Minim nga e djathta

Këtë nuk mund ta thuash për të gjitha grupet. Presidenti i Mbrojtjes së Kushtetutës (shërbimit të fshehtë) për landin e Saksonisë, Gordian Meyer-Plath foli para pak kohësh me gazetën “Leipziger Volkszeitung” dhe i tha se numri i grupeve të mbrojtjes qytetare është shtuar mjaft, disa prej tyre janë themeluar ose mbështeten nga ekstremistët e djathtë ose populistët e djathtë. Sociologu nga Jena, Matthias Quent sheh edhe rrezikun, që qytetarë që nuk kanë pasur më parë lidhje me skenën ekstremiste të djathtë, të tërhiqen përmes këtij bashkëpunimi në mbrojtjen qytetare të minuar nga të djathtët.

Punonjësit e shërbimit të fshehtë gjerman i shqetëson për shembull “Mbrojtja qytetare FTL/360”, në Freital të Saksonisë, e cila ka tërhequr vëmendjen edhe përmes demonstratave masive që ka mbajtur kundër pranisë së refugjatëve. Ky grup i mbrojtjes qytetare apo civile u themelua pasi dy marokenë ngacmuan dhe rrahën në linjën e autobusit 360 disa nxënës. Që atëherë ata patrullojnë në autobusë, për t’u kujdesur “për qetësi dhe rend”. Në Schwanenwede të Saksonisë së Poshtme, vjeshtën e kaluar “roje të fqinjësisë” marshuan vjeshtën e kaluar para një strehimi refugjatësh. /DW/

Share This Article
1 Comment
  • Edhe ne Finland ka ekipe per cdo lagje te qytetit jane nga 3 veta me uniforma ushtarake per mbrojtjen nga sulmet e shtazve me dy kemb.
    Kta tre persona kan sprej pranga dhe shkop dhe jane te veshur me uniform ushtarake qe te gjith jane oficer zerzerv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *