Si ka përfunduar ish-drejtuesi i FMN-së, i arrestuar më 15 maj të 2011-s pas rastit të bujshëm që e përfshiu atë në një hetim përdhunimi? Edhe pse përpiqet të qëndrojë jashtë jetës politike, emri i tij shfaqet herë pas here në shtyp dhe të tjera çështje dalin në dritë në një film që po realizohet mbi të, me Zherard Depardie në rolin e protagonistit
Dy vite më parë, francezi Dominik Shtraus Khan, ish-drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar, u arrestua në aeroportin “John F. Kennedy” në Nju Jork. Një kameriere e hotelit luksoz “Sofitel of Manhattan”, ku ai ndodhej pak orë më parë, e kishte akuzuar për përdhunim. Lajmi pushtoi menjëherë hapësirat mediatike në mbarë botën. Në atë kohë Shtraus Kahn po përgatiste rikthimin më të madh në politikën franceze dhe ishte i favorizuari kryesor në zgjedhjet presidenciale që do të zhvilloheshin në vjeshtë. Ndonëse procesi gjyqësor ishte mbyllur prej kohësh, karriera e tij politike u shkatërrua dhe në muajt në vijim dolën në dritë telashe të tjera.
Proceset
Gjyqi njujorkez u mbyll në dhjetor të 2012-s me një akord midis palëve në procesin civil: Dominik Shtraus Khan pranoi t’i paguante një shumë të paspecifikuar kamerieres së hotelit, Nafisatou Dialo. Pas këtij procesi ai u përfshi në dy raste të tjera hetimi: në korrik të 2011-s gazetarja dhe shkrimtarja franceze Tristan Banon, e denoncoi për një tentativë të dyshimtë përdhunimi në vitin 2002, ndërsa në mars të 2012-s, ai u përfshi në hetimet e një rrjeti të madh prostitucioni në Francë. Për rastin e parë prokuroria vlerësoi se ishte i pavend procedimi pas një kohe aq të gjatë dhe për rastin e dytë Shtraus Khan u la në liri me kusht.
Telashi i fundit
Hera e fundit që ai ka marrë një vëmendje të madhe nga shtypi francez ishte në shkurt të 2013-s. Studiuesja dhe eseistja franko-argjentinase, Marçela Iakub, publikoi më 25 shkurt një libër me titull “E bukura dhe bisha”, në të cilin përshkroi marrëdhënien e saj (midis janarit dhe gushtit të 2012-s) me një personazh publik. Në libër nuk përmendet emri i burrit, por në disa deklarata të saj për mediat ishte e qartë që i referohej Dominik Shtraus Khanit. Në të ai përshkruhet si “gjysmë burrë dhe gjysmë derr”, “një poet i poshtërimit dhe pisllëkut”.
Nga ana e tij, Shtraus Khan iu përgjigj me një padi ligjore, në përpjekje për të ndaluar publikimin e librit dhe pavarësisht se nuk arriti gjë në këtë drejtim, ia doli që në çdo kopje të përfshinte një faqe me kundërshtimet e tij, si dhe një dëmshpërblim prej 50 mijë eurosh nga autorja.
Dominik Shtraus Khan sot
Karriera e tij politike frenoi dhunshëm dhe nuk u ringrit më që pas rastit “Sofitel”. Shtraus Khan nuk kandidoi më në zgjedhjet lokale apo kombëtare të Francës. Sot ai është themeluesi i shoqërisë së këshillimeve financiare “Parnasse” dhe është transferuar nga apartamenti i tij në “Place des Vosges” në një tjetër më të vogël në “Montparnasse”, Paris, dhe aktualisht është ndarë, por jo divorcuar nga bashkëshortja e tij, gazetarja Ane Sinkleir.
Më 8 maj, i ftuar në një universitet privat në Marrakesh të Marokut për të folur mbi krizën e eruos, iu referua në mënyrë kritike politikave të qeverisë socialiste franceze që taksoi të pasurit duke e ndrydhur frymën e sipërmarrjes (ku taksa 75% mbi fitimet që tejkalonin 1 milionë euro u deklarua si jokushtetuese në dhjetor).
Të martën Shtraus Khan shkoi në Sudanin e Jugut për përurimin e një banke të re, edhe pse nuk është i qartë roli i tij në këtë nismë financiare. Mbërriti në kryeytetin Juba dhe u shfaq i rezervuar në fjalën e tij për median, ku njoftoi se përveç “National Credit Bank”, do të studionte mundësi të reja për investime në Sudanin e Jugut.
Në një të ardhme të afërt do të flitet sërish mbi të, meqë regjisori Abel Ferrara po përgatit një film mbi historinë e tij, të titulluar “Mirë se erdhe në Nju Jork”, me Zherard Depardie në rolin e protagonistit.
Përgatiti: Dorina Gjuzi