Referuar fluksit të lartë të kërkesave për transferim studimesh, si dhe procedurës që nevojitet për plotësimin e dosjeve nga ana e aplikuesve, Universiteti i Tiranës ka lajmëruar gjatë ditës së djeshme shtyrjen e afateve për aplikimet. Konkretisht në njoftimin e bërë nga UT, theksohet se aplikimet për të transferuar studimet do vijojnë deri në datën 24 shtator, ndërkohë që më parë data 10 shtator ishte përcaktuar si afati i fundit për të kryer një regjistrim të tillë. Procedura zyrtare për aplikim për transferim studimesh në Universitetin e Tiranës, për vitin akademik 2013-2014, duhet të bëhet individualisht, pranëzyrës së protokollit në Rektoratin e UT-së (nuk është e nevojshme që të merret leje nga institucionet ku studiojnë apo të përcillen zyrtarisht nga këto institucione). Pranimi i dokumentacionit për aplikim për transferim studimesh bëhet deri në datë 24.09.2013.
Për aplikim për transferimin e studimeve në Universitetin e Tiranës, është i nevojshëm dokumentacioni i mëposhtëm: “ Formulari i aplikimit për transferim studimesh, i plotësuar nga aplikanti. Lista e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara (në formë zyrtare me firmë dhe me vulë), si dhe programet përkatëse të këtyre lëndëve. Kopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme. Për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit, dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri.
Të gjithë dokumentet duhet të jenë origjinale ose të noterizuara. Kërkohet edhe fotokopje e kartës së identitetit, mandat arkëtimi (informacionin për bankën dhe tarifën e aplikimit do t’a gjeni pranë zyrës së protokollit në Rektoratin e UT-së, në kohën e plotësimit të formularit për aplikim)”. Në zbatim të nenit 35 të Ligjit “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” specifikojmë se Universiteti i Tiranës nuk pranon dhe nuk shqyrton aplikime për transferim studimesh nga programe studime të ciklit të parë, që zgjasin më pak se 3 vite studimi.
Përmes kësaj procedure krahas transferimit të studimeve nga një universitet i rretheve, apo privat drejt UT-së, aplikuesit mund të kërkojnë edhe ndryshimin e degës së studimeve. Me kushtin e vetëm që dega e re e përzgjedhur duhet të ketë ngjashmëri me degën që aplikuesi ka ndjekur në vitin e shkuar akademik, teksa duhet plotësuar edhe detyrimi i krediteve. Për këtë cikël pranimesh gara pritet të jetë e ashpër pasi fluksi i kërkesave është shumë herë më i lartë se sa kuotat e miratuara, për kandidatët që do të sigurojë të drejtën për të transferuar studimet. Sipas ligjit të arsimit të lartë transferimi i studimeve nuk behet për një semestër, por vetëm për vite të plota studimi.

po nqs ke vetem 35 kredi a mund te transferohem nga shkodra ne UT