Ura e Ibrit në Mitrovicë që ndan në mes qytetin nuk do të hapet për të paktën edhe dy ditë. Bashkimi Evropian ka njoftuar shtyrjen për rihapjen e urës, e cila vazhdon të jetë e bllokuar prej vitesh, ndërsa në mes të saj janë vendosur vazo të mëdha betoni me lule.
“Bashkimi Evropian do ta shtyjë për maksimalisht 48 orë fillimin e revitalizimit të urës në Mitrovicë dhe hapësirën përreth saj, e planifikuar për të filluar sot, për t’ju dhënë të gjitha palëve kohë shtesë për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme,” thuhet në njoftim të zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së, në Prishtinë.
“Kjo shtyrje e shkurtër duhet të mundësojë përmbylljen e diskutimeve rreth Memorandumit të Mirëkuptimit mbi kufijtë komunal në mes të komunave Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore. BE-ja është e përkushtuar për arritjen e një koncensusi mes të gjitha palëve para fillimit të punimeve në mënyrë që revitalizimi të bëhet qetësisht në interes të qytetarëve”.
Rivitalizimi i urës në Mitrovicë është paraparë me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes e arritur më 25 gusht 2015 në mes të Prishtinës dhe Beogradit. /Dita/
