Shtyhet me një ditë derbi mes Lazios dhe Romës i vlefshëm për javën e 37-të të Serisë A. Liga e futbollit në Itali e pranoi kërkesën e lazialëve për të luajtur 24 orë më vonë, pra më 25 Maj, për shkak të afrimit të finales së Kupës së Italisë, që u vendos të zhvillohej më 20 Maj. Ky vendim konsiderohet një fitore e rëndësishme në kampin bardhekaltër, për shkak të rezistencës së drejtuesve verdhekuq për të mos e ndryshuar datën e derbit. Lazio-Roma do të jetë vendimtare për vendin e dytë në Serinë A që siguron pjesëmarrjen direkt në fazën e grupeve të Championsit.
Gjithsesi, te Lazio fillimisht janë të përqendruar të finalja e Kupës, me Juventusin, që do të zhvillohet në “Olimpico”, fakt ky që e bën optimist Miroslav Klosen, për ta mbyllur sezonin, ndoshta të fundit me fanellën bardhekaltër, me trofe.
“Është një finale dhe gjithcka mund të ndodhë. Juventusi mbetet një kundërshtar shumë i fortë, kështu që nuk do të jetë e lehtë, por ne do të luajmë në shtëpinë tonë dhe kemi mundësi ta fitojmë këtë trofe.”
36-vjecari, theksoi se fitorja me Sampdorian në fundjavë, në një fushë ku vetëm Juventusi kishte arritur të merrte maksimumin, është mjaft domethënëse. Lazio, sipas tij, ndoshta nuk ka lojtarët më cilësorë, por forca e grupit dhe dëshira e futbollistëve për të dhënë maksimumin, i japin një avantazh të madh përballë kundërshtarëve.