Shtyhet për në fund të shtatorit gara për mësuesit e rinj

Ornela

Pranvera Kola – Dita

Mësuesit e rinj duhet të presin javën e tretë të muajit shtator për të garuar për lejen e ushtrimit të profesionit. Si shkak i ngarkesës, Qendra e Shërbimeve të Arsimit bën me dije se mësuesit nuk do të testohen për licencën përgjatë muajit korrik, sikundër përcaktohet në rregulloren e provimeve të shtetit.

“Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit ju bëjmë me dije se provimi në këtë profesion do të zhvillohet nga java e tretë e muajit shtator dhe në vazhdim, sipas një kalendari të përcaktuar për të gjitha specialitetet”, konfirmojnë burimet zyrtare të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.

Përgjatë javëve në vijim, të gjitha drejtoritë arsimore të vendit do të verifikojnë dosjet e çdo kandidati që plotëson kriteret për të hyrë në këtë testim, pikët e të cilit janë vendimtare për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit. Lista më pas i dërgohet kësaj qendre, e cila është edhe institucioni përgjegjës për administrimin dhe zhvillimin e testimeve.

Për provimin e licencës  do të konkurojnë mësuesit e arsimit fillor, arteve figurative, biologjisë, biologji-kimisë, edukimit fizik, fizikës, gjeografisë, gjuhës angleze, gjuhës frënge, greke, gjermane, italiane, gjuhës shqipe dhe letërsisë, historisë, histori-gjeografisë, histori-gjeografisë dhe edukatës, informatikës, mësuesit e instrumenteve muzikore, kimisë, matematikës, matematikë-fizikës, matematikës informatike, si dhe mësuesit e shkencave sociale.

Struktura e testit

Testimi do të jetë i informatizuar dhe çdo kandidat duhet të paraqitet në ambientet e kësaj qendre, në ditën e përcaktuar për profilin e tij lëndor, për të plotësuar testin me alternativa online.

Ekspertët e arsimit bëjnë me dije se provimi do të jetë i strukturuar në tre pjesë, të cilat përfshijnë pyetjet rreth njohjes së rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pyetjet rreth pedagogjisë, metodave të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës, si dhe pyetjet specifike për profilin lëndor në të cilin mësuesi kërkon të fitojë licencën.

Mësuesi që kërkon të ushtrojë këtë profesion duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, ose të ketë kryer kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Vetëm kandidatët të cilët arrijnë të sigurojnë pikët kaluese do të mund të pajisen me lejen e ushtrimit të profesionit, me anë të cilës më pas mund të konkurojnë për vendet e lira të punës të raportuara në shkollat 9 vjeçare dhe gjimnazet e vendit, qofshin këto publike apo private.

Gabimet që ju përjashtojnë

Për të shmangur përjashtimin nga gara, autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit bëjnë me dije se kandidatët për provimin e rregulluar të mësuesit duhet të kenë parasysh që ditën e provimit të kenë me vete kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit.

Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Ditën e provimit kandidati duhet të jeni i pajisur me letërnjoftim (Kartë Identiteti ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumentin origjinal, si dhe një fotokopje të tyre), si dhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA-së, të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë, ku të jetë e specifikuar hera e pjesëmarrjes në provim.

Mungesa e njërit prej këtyre dokumenteve ju përjashton nga provimi i licencës për ushtrimin e profesionit të mësuesit. Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh edhe rregullat në vijim:

“Ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi, ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit, si dhe komunikimi gjatë zhvillimit të provimit”. Ekspertët e kësaj qendre saktësojnë se një pjesë e konsiderueshme e garuesve do të hyjnë në testim për herë të dytë dhe të tretë, pasi nuk kanë grumbulluar dot pikët minimale për të qenë kalues në sezonet e testimeve të zhvilluara gjatë vitit të shkuar.

Formimi i mësuesve të rinj

Në ligjin e arsimit të lartë saktësohet se programet e studimit në fushën e mësuesisë për arsim parashkollor dhe arsim fillor organizohen në dy cikle: program i ciklit të parë, “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor, si dhe program i ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor. Programet e studimit për formimin e mësuesve të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë organizohen si programe të ciklit të dytë të studimeve “Master”, me 120 kredite, sipas fushave përkatëse të formimit.

Programet e ciklit të dytë të studimit në fushën e mësuesisë duhet të përmbajnë 25 për qind të krediteve në shërbim të formimit të përgjithshëm psiko-pedagogjik. Programet e ciklit të dytë të studimit, që formojnë mësues të së njëjtës fushë të mësuesisë, duhet të kenë së paku 80 për qind të kurrikulës me përmbajtje të ngjashme.

Pas përfundimit të studimeve universitare mësuesit duhet të shlyejën detyrimet e ndjekjes së praktikës 9-mujore dhe vetëm pasi të kenë kaluar me sukses këtë hap do mund të garojnë nëpërmjet provimit të shtetit për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit.

Pikët që duhen për të fituar licencën

Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Këta kandidatë duhet që të presin sezonin e vitit të ardhshëm për të garuar sërish për licencën.

Çka do të thotë se përgjatë muajve në vijim nuk mund të aplikojnë për vendet e lira të punës të raportuara nga institucionet arsimore parauniversitare. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë.

Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *