Një avokat merr përsipër të mbrojë Dritan Dajtin. I akuzuari për masakrën e Durrësit, ku u vranë katër punonjës policie, Dritan Dajti është ndoshta e pandehuri me procesin më të zvarritur të viteve të fundit, për shkak të mungesës së një avokati.
Avokati Ndue Pjetra pranoi sot të mbrojë Dajtin, duke vendosur 2 kushte paraprake për të nisur procesin: 30 ditë kohë për të studiuar dosjen e të akuzuarit si dhe një shpërblim prej 200 mijë eurosh.
Për prokurorin e çështjes, këto kushte janë një tjetër tentativë zvarritjeje, ndërsa vetë Dajti ka kërkuar përmbushjen e kërkesës së avokatit. “Oferta që ka bërë Pjetra për 200 mijë euro, më e ulëta. Pranojani kërkesat, më pëlqen performanca e tij”, ka thënë Dajti.
Gjykata është tërhequr për të marrë një vendim lidhur me kërkesat e avokatit Ndue Pjetra.
Dritan Dajti ka thyer çdo rekord për numrin e seancave të shtyra, pasi asnjë nga avokatët nuk paraqitet për mbrojtjen e tij. I akuzuari për vrasjen e katër oficerëve të skuadrës speciale operacionale të vitit 2009, ka mundur të zvarrisë më shuëm se 200 seanca gjyqësore deri pak ditë më parë, kur u vendos që ai të gjykohet pa avokat, derisa të vendosë për avokatin që dëshiron të ketë. Procesi ka mbi tre vite në gjykim, pasi Dajti deri tani ka përdorur taktikën e “avokatëve”, dhe pasi ka hequr dorë nga mbrojtësit e zgjedhur prej tij, me argumentin se nuk i paguan dot, ka parë që askush nga mbi 200 avokatët nuk ka pranuar të kryejnë mbrojtjen e tij.