Seanca e radhës ndaj të pandehurit Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës. Kjo ishte seanca e 138 në Gjykatën e Krimeve të Rënda në vazhdën e seancave gjyqësore ndaj Dajtit. Avokatët që munguan sot ishin caktuar nga shteti.
Trupi gjykues vendosi që të caktojë avokatë të tjerë për Dajtin, ndërsa kërkoi procedim penal për avokatët që nuk paraqiten në gjyq për të mbrojtur klientin e tyre.
Mungesa e avokatëve është bërë shkak për shtyrje të seancave gjyqësore në Gjykata duke tejzgjatur proceset gjyqësore.
Duke dhënë këtë argumentim Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu sërish sot seancën në ngarkim të të pandehurve Dritan Dajti, Erges Xhoxhi dhe Mariglen Muçaj, që akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Durrës 5 vjet më parë, ku u vranë me armë zjarri katër punonjës të Policisë së Shtetit gjatë operacionit për arrestimin e Dajtit.