Shuflaj dhe romani i tij historik për Konstandin Balshën

redaktor

Dr. Milan Shuflaj (Shuflay) lindi më 9 nëntor 1879 në Lepogllavë. Ai rrjedh nga një familje me zanafillë gjermane, që u ngul në Kroaci rreth vitit 1567; studioi në Zagreb, shkëlqeu për një zgjuarsi të jashtëzakonshme, kujtesë proverbiale dhe vizion universal në shkencat historike.

Që në fillim qe bigëzuar midis letërsisë dhe historisë. Adhuron Balzakun, Sternin, Stendalin, Gëten, Shloserin, Jakshiqin, Preshernin etj. Shkruan shkrime letrare plot vesk dhe ekzotikë historike, e mbaron maturën duke u cilësuar si nxënësi më i dalluar i krejt gjeneratës, një talent i pazakontë, i vrullshëm, zbulimtar i rrallë.

Studioi më pas në Universitetin e Zagrebit, ka talent marramendës filologjik, është poliglot, përvetëson të gjitha gjuhët sllave, gjermanishten, anglishten, hungarishten, më në fund edhe shqipen. Doktoraturën e mbrojti në moshën 22 vjeç, përpara një auditori me shkencëtarë cilësorë dhe të shquar.

Ai arriti të shpallej “Sub ausspicis regis”, ai njeri që arrinte deri në këtë lartësi sipas një tradite akademike merrte si dhuratë nga mbreti një unazë me brilante. Për arsye politike nuk ia dhanë Shuflajt këtë dhuratë mbretërore. Por ai u bë i denjë për një unazë dinjitare të pashembullt, atë të dijetarit më të shquar të kohës së tij.

Për shqiptarët ai do të mbetet një princ i albanologjisë, sidomos si mesjetarologu më i madh dhe më profesionist.

Ende nuk dimë saktësisht se si lindi tek ai interesi dhe akribia e pafund për Mesjetën Shqiptare.

Ai si askush tjetër përcaktoi dhe formuloi një status të lartë, kulturor, titullor të Mesjetës Shqiptare, madje edhe në rrafsh europian. Të pafundme janë studimet e tij. Ai dallohet për një stil sintetik të mahnitshëm. Ai është kalorësi i sintezave, në të gjitha sprovat historie ka një dialektikë të brendshme, në këtë mënyrë ai qëndron konceptualisht më lart nga gjithë bashkëkohësit. Në shumë aspekte ai është i pakapërcyeshëm edhe sot.

Metoda e tij shkencore është gjithëpërfshirëse, shumëdisiplinore. Veprat e tij kanë bërë epokë. Sidomos kryevepra studimore “Serbët dhe Shqiptarët”.

Për Shuflajn në historinë e Shqipërisë së Veriut është grumbulluar një material, një substancë, që ka rëndësi të dorës së parë edhe nga pikëpamja e historisë së përgjithshme të njerëzimit. Kjo lidhet me kulturën e lartë të mbiquajtur si kultura e Adriatikut, me struktura shoqërore dhe shtresa njerëzore indoeuropiane. Ai ka kuptuar mrekullisht traditat ilir-shqiptare, të gërshetuara me retortat e larta të kulturave perëndimore dhe lindore, romako – anzhuino – venedikase – italiane, me kulturat greko-bizantine, kulturat sllave, osmane etj, por jo për të shpërbërë dhe tjetërsuar individualitetin etnik të kombit shqiptar, por për ta skalitur. Shuflaj ka vërtetuar se kultura e Shqipërisë Mesjetare është një kulturë refleksive, urbane, se niveli kulturologjik, politik dhe ekonomik i Shqipërisë deri në pushtimin osman, pas vdekjes së Skënderbeut ka qenë në të njëjtat parametra si në Itali dhe në pjesët e tjera të Europës Perëndimore.

Mbi të gjitha Shuflaj kanë një admirim të madh për Durrësin si një kryeqendër kulturash, e dallueshme edhe në arealin mesdhetar. Ai thotë për Durrësin se në Mesjetë është qyteti më i shkëlqyer, mund ta quajmë lulishten e Adriatikut, ku tipi i qytetit dalmatin dhe jugoitalian pasqyrohet në fytyrën ilire – shqiptare si dhe në atë bizantine.

Në rrethin e Durrësit kufizoheshin tri qendra të mëdha gjuhësh të shkruara të Europës mesjetare: qendra latine, bizantine dhe sllave. Në këtë pikëpamje, thekson Shuflaj, Durrësi formonte vatrën e dytë të elipsit kulturologjik të Mesdheut, ashtu si Palermo në Siçili formonte vatrën e parë, ku gjuha latine dhe greke bashkohej prej jugut me arabishten.

Për Shuflajn Mesjeta Shqiptare dritësohet nga një qytetërim i lartë juridik, thelbësisht qytetar etj.

Në vitin 1920 Shuflaj ishte në kulmin e famës së tij. Ai njihej si një dijetar europian i padiskutueshëm, si një humanist i shkëlqyer. Akademia austriake e Shkencave i propozon Shuflajt që t’i botonte një korpus të tërë dokumentesh në përmbledhjen “Codex Albanicus”. Dhe qeveria shqiptare e Mbretit Zog tregoi një interes të madh vlerësues për Milan Shuflajn, pa të cilin nuk do të qe botuar kurrë kryevepra “Acta Albaniae”.

Në dhjetor të vitit 1920 Shuflaj arrestohet dhe burgoset i akuzuar si pjesëtar i Komitetit Kroat të formuar në Grac të Austrisë, organizatë politike revolucionare kundër unitarizmit jugosllav. Në 18 shkurt 1931, ndërsa po merrej me shkrimin e një historie për Shqipërinë vritet barbarisht nga agjentë kriminalë të policisë sekrete në moshën 52 vjeçare. Milan Shuflaj meriton të nderohet veçanërisht në Shqipëri.

Ai ka bërë për Shqipërinë atë që dhe shumë shqiptarë nuk e kanë bërë dot.

Milan-ShuflajViti 2005 ishte viti i 600 Vjetorit të Lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Muzeu Historik Kombëtar ndërmori shumë nisma veprimtarish për të përkujtuar Skënderbeun. Në këtë rrafsh u bë në 5-10 tetor 2005 në Muzeun e Artit Historik në Vjenë të Austrisë ekspozimi i një koleksioni objektesh substanciale të Mesjetës Shqiptare, që lidheshin me Skënderbeun të Muzeut Historik Kombëtar, si dhe një Konferencë Shkencore Ndërkombëtare. Në këtë hulli u botua për herë të parë i plotë edhe “Libri i Skënderbeut” (Codex Scanderbeg), origjinali siç dihet ndodhet në Bibliotekën e Vaimarit, në Gjermani.

Për ta bërë më të plotë koleksionin e veprimtarive përkujtimore dhe nderuese botuam për herë të parë në gjuhën shqipe romanin historik “Kostandin Balsha”, të shkruar kroatisht nga Milan Shuflaj, të botuar në 1920 në Zagreb me pseudonimin Alba Limi. Në botimin e tij ky roman u shoqërua nga një paraqitje e shkruar nga Prof. Dr. Ante Krmpotiç, ku thuhet “Të dy romanet e tij Milan Shuflaj (1879-1931) i publikoi me pseudonim. Romanin historik “Kostandin Balsha” e publikoi në vitin 1920 me pseudonimin Alba Limi, ndërsa romanin fantastiko-shkencor “Në Pacifik 2255” me pseudonimin Eamon O’Leigh. Nuk është e rastit që njëri nga romanet bën fjalë për të kaluarën dhe tjetri për të ardhmen.

Pra është historian dhe vizionar.

Fakti që romanet i ka botuar me pseudonim nuk do të thotë se Shuflaj i ka konsideruar ata si diçka më pak të vlefshme. Si edhe çdo shkrimtar ai kish një mendim dhe ndjesi të lartë për romanet e tij. Nuk do të thoja as atë se ai i ndau romanet nga puna tjetër shkencore sepse i druhej krahasimit mes tyre. Nëqoftëse është i vërtetë fakti se pseudonimi i tij letrar nuk mund të matet me punën dhe veprimtarinë publike të tij, Shuflaj nuk kish asnjë arsye ta fshihte, sepse ajo është pjesë e trashëgimisë së tij, pa të cilën do të ishte e vështirë të kuptohej tërësia e Shuflajt. Shuflaj thotë atë që historiani, albanologu, politikani dhe vizionari i së ardhmes kroate nuk mund ta thotë duke respektuar normat profesionale të zanatit të tij. Por për fatkeqësinë e shkrimtarit historiani është gjithnjë më i fortë tek ai.

Një kritik i këtij romani ka shkruar se “ajo që i mungon romanit “Kostandin Balsha” është pastërtia letrare” dhe ndoshta kjo mund të ketë qenë kritikë disi e justifikuar deri para pak kohësh. Por kjo nuk do të thotë se Shuflaj shkrimtar nuk duhet lexuar. Përkundrazi. Nëqoftëse për asgjë tjetër, së paku për të plotësuar studimet e punës së tij për historinë e shqiptarëve dhe kroatëve. Veçanërisht përsa i përket marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve në mesjetë dhe në të ardhmen në këto hapësira.

Përkundër frazës së thjeshtë, mungesës së ndjeshmërisë në reagimin e fabulës deri edhe tek anashkalimi i mjeteve ndihmëse letrare në shprehje, tek “Kostandin Balsha” mund të kuptojmë Shuflain vetë. Sepse nëqoftëse historiani Shuflaj pohon se “Ideja e Perandorisë së madhe të Dushanit, tashmë e zbërthyer në epigone të vogla, piqet gjithnjë e më shumë pas luftës së Kosovës”, atëherë shkrimtari Shuflaj interpreton dhe sqaron, tek personazhi i Kostandin Balshës, taktikën e epigoneve të përmendur për rilindjen e Perandorisë së Dushanit, ashtu sikurse Shuflaj politikan dhe vizionar konkludon se, pikërisht në këtë konstante serbe, të vjetër gjashtëshekullore, e cila popujt e tjerë i detyroi t’u kthejnë shpinën të gjitha formave të bashkëjetesës, për një shtet të përbashkët në Ballkan (pa marrë parasysh nëse kjo është mbretëri, apo republikë demokratike), qëndron në mënyrë ballkanike, krijimi serbo-ballkanik i vizionit mbi Perandorinë e Dushanit, për të cilën ëndërroi Kostandin Balsha pas luftës së Kosovës. Dhe nuk është e rastit që tmerret e kohëve të fundit në këto hapësira filluan pikërisht me festimin e 600 vjetorit të betejës së Kosovës.

sufflay2Kostandin Balsha është publikuar në vitin 1920, pra atëherë kur pushteti serbomadh në Kroaci kish filluar procesin e parë gjyqësore të tradhtisë së lartë, në të cilën i akuzuari i parë ishte Shuflaj. Kjo do të thotë se romani është botuar pesë vjet më parë se studimi “Serbët dhe Shqiptarët”, i cili ka mundësi të ketë qenë i shkruar ose së paku i menduar për t’u shkruar. E vura në dukje këtë sepse edhe një lexim i sipërfaqshëm i romanit flet për lidhjen e “Kostandin Balshës” me “Serbët dhe Shqiptarët”. Bile në roman mund të gjejmë fraza të tëra nga studimi akoma i papublikuar në atë kohë dhe për më tepër për përmbajtjen e romanit tek “Serbët dhe Shqiptarët” flitet në dy vende.

Por ato ndryshojnë rrënjësisht.

Ndërsa tek “Serbët dhe Shqiptarët” Shuflaj flet për simbiozën e tyre në mesjetë, për jetën e tyre të përbashkët, kur “nën lupën e marrëdhënieve miqësore të fermentit feudal serb dhe shqiptar futen traditat e shkëlqyera të Bizantit, Serbisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë në një të tërë”, ndërsa “Kostandin Balsha” flet për fillimin e fundit të simbiozës së tyre njëqindvjeçare, të fiksuar në kohë fill pas betejës së Kosovës dhe thyerjes së ushtrisë serbe. Veprimi i romanit “është ngjeshur gjithsejt në dhjetë vjet”, nga fundi i shekullit XIV-të deri në fillim të shekullit XV-të, pra në fillimin e shndërrimit të jetës shoqërore të përbashkët që përmendëm më lart në metamorfozën e tyre serbe, e cila akoma edhe sot (kur prej kohësh nuk ka më perandori turke në këto hapësira) vazhdon dhe nuk ka shenja se kur do të mbarojë.

Edhe njëherë vë në dukje se shkencëtari Shuflaj sikur e errëson pak shkrimtarin Shuflaj; sepse rrjedha e tregimit nganjëherë humbet në tërësinë e informacioneve shkencore ndërsa gjuha letrare kthehet në gjuhën e ftohtë shkencore, e cila njeh dhe pranon vetëm informacionin e saktë dhe burimin nga është marrë, kështu që mund të themi se për një lexues “të përkëdhelur”, romani historik “Kostandin Balsha” është i vështirë për t’u lexuar. Nga kjo vepër mund të nxirreshin dy libra të pavarur dhe interesantë. Njëri do të ishte, për disa përsëritje për disa të tjerë interesant, një almanak për historinë shqiptare të mesjetës dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe, gjithashtu edhe një enciklopedi nga gjeografia, etnologjia, folklori, semantika bile edhe nga moda e gastronomia. Ndërsa libri tjetër do të ishte një roman me dy trekëndësha dashurie paralele; të parin të cilin po e quajmë durrsak ose shqiptar, Kursak, Vojsavë dhe Progon Dukagjini, të dytin Marko Barbadigo, Helena dhe Kostandin Balsha.

Vëmë në dukje se Vojsava dhe Helena janë bijat e Karl Topisë, ndërsa Kursaku dhe Barbadigo, burrat e tyre të parë. Që të dy Kostandin Balsha do t’i eliminojë; Kursakun me tradhti, Markon me intriga. Por Barbadigo nuk vdes (siç mendon Helena), por është gjallë dhe në burg në Venedik, prandaj Shuflaj Helenën, në librin “Serbët dhe Shqiptarët” e quan “grua me dy burra”. Helena martohet me Kostandinin dhe kështu atij, duke qenë se e shoqja është bijë e Karl Topisë, i legalizohet pushteti mbi Krujën dhe Durrësin; ndërsa Progon Dukagjini është burri i dytë i Vojsavës, e cila martohet me të vetëm për t’u hakmarrë për vdekjen e burrit të parë. Kostandini në fund ndëshkohet, Progon Dukagjini do të ja presë kokën me shpatën e vetë Kostandinit.

E gjithë kjo histori zhvillohet nga këta njerëz, por personazhi kryesor është venedikasi Filip Barelli. Të gjithë këta janë njerëz që kanë jetuar me të vërtetë në atë epokë në Shqipëri dhe Shuflaj, aty ku mundet, citon dokumente të cilat vërtetojnë ekzistencën reale të tyre. Kjo na bën të themi se ai është ndoshta i vetmi shkrimtar, i cili në tekst fut edhe shënimet dokumentare si diçka e vetvetishme. Në këtë linjë ai shkon aq larg sa e plotëson romanin me një epilog në të cilin na tregon për fatin e mëtejshëm të heronjve të mbijetuar të romanit duke iu referuar burimeve të ndryshme dokumentare.

Në këtë kuptim kritiku i lartpërmendur ka patur të drejtë kur shkruante për romanet e Shuflait se në ta “zhvillohen njëkohësisht dy procese, të cilët në shikim të parë duken sikur janë secili më vete, por në fakt janë të lidhur fort me njëri-tjetrin: njëri në nivelin racional dhe tjetri në atë intuitiv. Njëri e riprodhon historinë, tjetri e krijon, njëri i cili përmbledh dhe riprodhon eksperiencën dhe dijet e mbledhura, tjetri e projekton në të ardhmen”.

***

Para disa vitesh në 2003 erdhi në zyrën time në Muzeun Historik Kombëtar përkthyesi Xhelal Fejza. Ai më dorëzoi dorëshkrimin e shqipëruar të “Kostandin Balshës”. Ky dorëshkrim ka ndenjur gjatë në zyrën time në MHK, bëmë edhe një projekt të botimit.

Përkthimi nuk ka qenë i lehtë, sidomos në aspektin terminologjik. Unë kam shkruar disa herë për këtë roman në librat e mi. Një historian prej race e shijon plotësisht dhe mrekullohet.

Për lexuesin e thjeshtë është i domosdoshëm një nivel njohjeje i njësive subjektore të shkruara si dhe ndërthurja e kërhnesët e dokumenteve historike me rrëfimtarin letrare.

Ky roman është një shëmbëlltyrë e gjallë, ai vlen shumë, pavarësisht se jemi tepër të vonuar ne shqiptarët në këtë botim.

Por vonesa kronologjike mund të kapërcehet me dashuri, nderim, përkushtim dhe një optikë analizuese, vetëkuptuese, me një refleksion të patjetërsueshëm.

Ky roman është një monument shkrimor për Shqipërinë e princërve të mëdhenj të Mesjetës, për epokën paraskënderbejane, pa të cilën nuk mund të kuptohet epoka skënderbejane.

Shuflaj na ka dhënë jo vetëm të dukshmen, por dhe të padukshmen e Historisë Mesjetare të Shqipërisë.

Ngjarjet janë të çuditshme, plot veprim, si filmat e sotëm hollivudianë, ose si intrigat universale në tragjeditë shekspiriane.

Kuptimshmëria e pseudonimit Alba Limi shpjegohet me vetë emrin e atdheut tonë Albania. Konotacioni është i shkurtër, por i qartë.

Jemi të bindur që shqipërimi i romanit “Kostandin Balsha” do të na rrezullojë të gjithëve, do të na falë një intimitet shekujsh, duke rikonstruktuar kujtesën tonë kombëtare. Amen!

 

 

Share This Article
3 Comments
  • O Deda,
    Me fal per nje korrektim me dashamiresi:
    Kur Sami Frasheri krijoi neologjizmen Gjithemesimetore per “universitet: ne mund te krijojme fjalen Gjithemesonjes per Erudite te tille!

  • Nje komb qe nuk njeh te shkuaren e tij,i mohon vetes te drejten e njohjes se rrenjeve te tij dhe pa keto rrenje nuk ka lartesim kulturor e qytetar te se tashmes e se ardhmes se tij e te brezave me tej.Moikom Zeqo, me pasionin e madh te shkencetarit e te atdhetarit, shkon drejt rrenjeve,respekti dhe njohja e ndihmeses se figurave te ndritura ne shkence, histori e albanologji, ne rastin e Shuflaj-it, ne periudhen mesjetare,eshte respekt i dijetarit,historianit, shkrimtarit,qytetarit poliedrik shqiptar dhe njeheresh,nje ‘kujtese’ per shkencat shqiptare,ne njohjen, promuovimin dhe thellimin e vlerave dokumentare te kultures shqiptare ne shekuj.Te falemnderit, Moikom!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *