Shqipëria i dha sot lamtumirën e fundit aktorit të dashur të skenës dhe ekranit, Roland Trebicka. Homazhet për nder të Artistit të merituar dhe Mjeshtrit të madh u mbajtën sot nga ora 11:00-13:00 në Teatrin Kombëtar. “Mbase do të kthehem në teatër, në oborr a në holl, por e di se në skenë nuk do ngjitem më kurrë. Më ndero”.
Këto mësohet të kenë qenë fjalitë që i ka thënë bashkëshortes ditët e fundit ashtu si nën zë Roland Trebicka. Ai u rikthye sot për herë të fundit në Teatër, në holl e në oborr, por nuk mundi të ngjitej në skenën e tij. Kolegë, miq, artdashës e qytetarë të shumtë u mblodhën sot në hollin e Teatrit Kombëtar për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit unik, Roland Trebicka.
Homazheve iu bashkuan edhe krerët e politikës, të cilët u përkulën me nderim përpara trupit të pajetë të aktorit të mirënjohur. Pas zhvillimit të homazheve për rreth 2 orë, trupi i pajetë i aktorit u nis drejt banesës së fundit mes duartrokitjeve që e shoqëruan gjatë gjithë jetës.
***
Shuhet Roland Trebicka. Fjalët e fundit: “Mos qani për mua!”
“Dua të largohem me dinjitet nga skena. E kam mësuar nga më të vjetrit e këtij teatri se skena është e shenjtë. Dhe është vërtet e tillë. Jo kushdo mund të ngjitet në të. Ndaj dhe unë doja të bëja një largim si duhet nga skena”
Mos qani për mua! Këto mësohet se jenë fjalët që aktori i madh Roland Trebicka u ka thënë familjarëve të tij pak para largimit nga jeta. E megjithatë, për të gjithë ata që e kanë njohur të paktën një herë drejtpërdrejt, përmes skenës apo televizionit, mbajtja e lotëve është e pamundur. I sëmurë prej thuajse dy vjetësh, ai u largua ndërsa vazhdonte të ngjitej në skenë. Ashtu siç edhe kishte dëshiruar. “Dua të largohem me dinjitet nga skena. E kam mësuar nga më të vjetrit e këtij teatri se skena është e shenjtë. Dhe është vërtet e tillë. Jo kushdo mund të ngjitet në të. Ndaj dhe unë doja të bëja një largim si duhet nga skena”. Këto janë fjalët e Roland Trebickës në një intervistë për gazetaren Alma Mile rreth një vit më parë, ndërsa rrëfeu për sëmundjen dhe mënyrën sesi e kishte përjetuar. Ai vazhdoi të luajë në skenë ku u shfaq në dramën e realizuar për 100-vjetorin e pavarësisë, si dhe në muajt më pas, duke dhuruar një lojë të mrekullueshme, siç vetëm ai diti të bëjë përgjatë gjithë karrierës së tij.
“Suksesi i vërtetë i një aktori është kur në vdekje mbahet mend me emrin e rolit të tij. Lamtumirë, Jovan Bregu! Shumë të kujtojnë si të tillë në vend të të shkëlqyerit Roland Trebicka”. Është ky vetëm një nga pasazhet e publikuara mbrëmë nga admiruesit e shumtë në rrjetet sociale. Të rinj e të moshuar do të mbajnë mend për një kohë shumë të gjatë “Pallatin 176”, një komedi e shfaqur mbi 150 herë për publikun shqiptar dhe i duartrokitur po aq gjatë pavarësisht transmetimit të tij që prej vitit 1985.
Në nder të aktorit të madh do të zhvillohen sot homazhe në Teatrin Kombëtar në orën 11:00-13:00.
Margarita Xhepa
“U hidhërova shumë kur dëgjova për vdekjen e tij. Ishte babai i komedisë. Spikaste ndër aktorë. Ai kishte batuta dhe pa folur, sepse shikimi i tij ishte shumë domethënës, ishte shumë i veçantë. Nuk ka fjalë të shpreh boshllëkun që krijohet me ndarjen nga jeta të Roland Trebickës”.
Zamira Kita
“Jam shumë keq në këtë moment, nuk gjej dot fjalët. Është tejet e dhimbshme. Nuk e besoj dot që ai nuk do të jetë më. Ai më telefononte shpesh për vajzën time. Më pyeste si e ke vajzën. Nuk kishte ditë që të mos komunikonim bashkë, ishte një nga miqtë e mi më të mirë.”
Alfred Bualoti
“Kujtimet janë të panumërta. Moment kaq tragjik dhe i parakohshëm për talentin dhe dëshirën e tij, sidomos për të luajtur në skenë. Ai dhe pse nuk e thoshte, nga mënyra sesi vepronte donte që dhe frymën e fundit ta kishte në skenë. Edhe pse kishte sëmundje të rëndë, ai nuk reshti së krijuari për rolin tij, angazhimin e tij. Për humorin e tij se ajo na ka mbetur në kujtesën tonë”.
Andon Qesari
“Nuk dua të qaj se kjo ishte dhe porosia e fundit e Trebickës. Por teatrit shqiptar i iku gjeniu i Komedisë dhe padyshim Teatrit i humbi një gjigant i kësaj gjinie. Shumë e vështirë të identifikohet një aktor me personazhin. Dhe Trebicka njihet si Jovan Bregu i ‘Pallatit 176’. ‘Pallati 176’ nuk do të ishte ajo vepër që është, nëse në të nuk do të ishte Roland Trebicka. Nuk ka ndodhur në histori që një vepër teatrore të shfaqet 154 herë”.
Kiço Londo
“Nuk do ta harroj kurrë herën e fundit kur të pashë. Miku im i shtrenjtë, sot ti i kapërceve kufijtë e tokës për të prekur me siguri fytyrën e Zotit. Ti ishe me fat se njohe në tokën që deshe suksesin e madh dhe me talentin tënd të pazakontë e ngrite shpirtin njerëzor në një vend më të lartë. Sot pa ty ne jemi më të varfër. Unë ndihem me fat që të takova, të njoha dhe të duartrokita. Udhëtim të mbarë, miku im!”
Luiza Xhuvani
“E adhuroja, heshtas e falënderoja që na dhuronte ndjesinë e barazisë të gjithëve, larg aktorit të parë gjatë orëve të shfaqjes. Trebicka nuk e synonte lojën aktoriale, por e harmonizonte me të gjithë aktorët, ai e fitonte duartrokitjen, pa e pasur synim në vetvete. Ai nuk kishte kufizime. Kishte gjithçka që do të donte një artist, zërin, lëvizjen, prezencën. Sa shumë biseda, para dhe pas shfaqjes, sa diskutime, sa ide dhe dëshira për teatrin. Ai dinte të krijonte atmosferë, ai dinte të mësonte pa treguar aftësinë e më të mirit”.
Mirush Kabashi
“Ai kishte një pasion të jashtëzakonshëm. Mblodhi të gjitha forcat që t’i dhuronte spektatorit edhe një rol tjetër në atë dramë që i kushtohej një ngjarje të jashtëzakonshme siç është 100- vjetori i pavarësisë. Është një dhimbje e madhe, ata janë brenda nesh dhe përbëjnë një dhimbje. Jam i trishtuar”
Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi
“Një ditë zie për kulturën shqiptare. Shenjtëria qëndron dhe në një buzëqeshje ka thënë Nënë Tereza. Roland Trebicka ka dhuruar një jetë të tërë buzëqeshje për të gjithë. Kur ndërron jetë një aktor, nuk vdes vetëm ai si njeri duket sikur shuhen dhe personazhet e tij, por në fakt ndodh e kundërta. Pikërisht këto personazhe e sjellin midis nesh, e ringjallin me magjinë e artit. Këtë mund të themi përballë aktorit të përmasave të Roland Trebickës i cili u ka dhuruar hare dhe buzëqeshje të gjithë shqiptarëve, për më shumë se 40 vjet”.
Karriera
Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan, i siguroi një pozitë të “privilegjuar” në kohën e shërbimit ushtarak. Vitet në këtë trupë profesioniste ku debutuan edhe aktorë të tjerë, të cilët më vonë do të bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koço Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj, ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. U bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971-shin dhe punoi aty deri në vitin 1999. Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar. Shumë e identifikojnë me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”, por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Në 40 vite karrierë ka realizuar një mori rolesh si atë të Xhenarinos te “Magjia e madhe”, Zganarelit te “Don Zhuani”, Hlestakovit te “Inspektori” (“Revizori”), për të ardhur më afër në kohë me pjesë si “Si e mposhta Musolinin”, “Pleshti në vesh”, “Magjia e verës së kuqe”, “Berberi i Seviljes”, “Dadot”, etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për çmimin “Aktori më i mirë mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” dhe “Koncert në vitin 1936”. Është nderuar me titullin “Artist i Merituar”!
Aktor i madh, njeri i madh, njehere me ka rastisur te bej pak muhabet para vitit 90-te dhe ka qene shume i sinqerte dhe kishte edhe humorin brenda edhe kur fliste seriozisht.
U prefte ne paqe, na ike shume heret, kur sishte koha.
Ngushelloj familjaret dhe koleget e tij.
Te prehesh ne paqe o njeri i MADH …Do na mungosh me batutat e tua
ngushellime familjes
Nuk ka më Roland Trebickë, nuk do të kemi më fizikisht një aktor të veçantë e origjinal… Nuk do të kemi më Jovan Bregun e pa arritshëm! Perëndia, sigurisht, i ka caktuar një vend afër Vetes. Shpirti i tij ishte dhe iku i shejtëruar për mirësitë që mbarte. As ne as brezat që do të pasojnë, nuk do ta harrojnë.
Roland Trebicka eshte nje pishtar,i cili nuk shuhet kurre.Me vjen keq, per titullin e lajmit qe keni vene, e nderuara redaksi e “Dita”-s.Roland Trebicka eshte dhe do te jete midis nesh, i meshiruar tek binjaku i tij, Jovan Bregu i pavdekshem dhe i paperseritshem.
Nuk vdes kurre Jovan Bregu.
I qofte dheu i lehte.
Aktor i madh i zhanrit te komedise dhe humorit. I paperseritshem ne llojin e vet. Spontan, befasues dhe i paparashikueshem ne variacionet e lojes aktoreske. Fatkeqesi e madhe per artin, humbja e tij e parakohshme. Rolandi u perkiste te gjitheve, prandaj humbja eshte edhe e jona. Une nuk them qe ishte aktor i madh, por ne nuk kishim me te madh se ai. Jovan BREGU ka mbetur ne memorien e te gjitheve, por pervec shume roleve te tjera, mos harroni se nje rol i madh eshte edhe Nesti BËNJA tek “Koncert ne Vitin 1936”. Ju prefte shpirti ne paqe dhe ngushellime familjes, miqve dhe te afermve te tij.
Roland Trebiska humbi nje artisite shume i madhe.Do ta kujtjome ne rolet e tij si ai i,Jovan Bregut qe artisiti ,Roland Trebiska e luante per mrekulli.