Këtë herë më të vërtetë: Drita nuk do të luajë më në teatër

redaktor

Dje, ishte dita kur data 2 tetor 2013 në ditarin e saj do të mbetej boshë,  por shumë faqe gazetash do e kompensojnë këtë boshllëk, të paktën për një ditë, ndërsa të tjerat do vazhdojnë të jenë të bardha. Ajo nuk është më. Aktorja Drita Pelinku shuhet duke u ndarë përgjithmonë nga kjo botë  fizikisht, pasi roli, figura dhe zëri i saj do të mbeten përjetësisht. Disa në shiritat e pluhurosur të Kinostudios e disa  të tjera në cilësi më të mirë, pasi ajo i jetoi të dy kohë.

Karriera e saj ka nisur herët, në vitin 1946  kur edhe ka filluar punë në Teatrin Kombëtare si aktore profesioniste. Artistja mbarti me vete një rrugëtim më shumë se 60-vjeçarë në aktrim, regjisur dhe pedagogji.  E Drita Pelinku i ka jetuar të gjitha. Edhe momentet e humbjeve të mëdha i ka kaluar në skenë. Në vitin 2010, artistja e madhe humbi vajzën e saj Jaroshkën dhe vetëm impenjimi në teatër, në atë kohë  në rolin e Rebekës te “Shtrigat e Salemit” i dhanë forcë të përballonte dhimbjen.

E pyetur për këtë moment në ditëlindjen e saj të 85-ë ajo është shprehur:  “Kur kthen kokën prapa të del përpara syve e gjithë jeta. Unë kam pasur vetëm një qëllim në jetën time artistike: të lë një emër në biografinë e fëmijëve të mi dhe të lë një gur sado të vogël në themelet artit skenik shqiptar. Sot, me këto nderime që më bëhen më lind shpresa të besoj se ia paskam arritur qëllimit”- në fakt duket sikur flet pikërisht për këtë moment , për momentin e ikjes nga kjo botë. Pelinku jetonte e vetme në banesën e saj në Tiranë. Edhe për këtë  ndjente boshllëk dhe mungesë. Ka treguar në intervistat e mëparshme se: “Më mungojnë shumë gjëra, nga familja dhe nga skena. Nga familja më mungojnë të dashurit e mi, im shoq, vajza ime… Shumë njerëz kam humbur. Jeta e gjatë i ka këto gjëra. Nga skena më mungojnë kolegët e mi. Në albumin që më ka bërë Arkivi i Filmit ka shumë thënie të tyre dhe kur ai u botua më vinte keq që ata nuk ishin më”. Dje, ajo shkoi pranë tyre që i kishin munguar për gjithë këto kohë , por nga ana tjetër do i mungoi shumë të tjerëve në këtë tokë.

Ajo kishte thënë disa herë që nuk do kthehej më në teatër, por nuk e kishte “mbajtur fjalën”, gjithmonë ishte kthyer në dashurinë e saj të madhe, atë skenë që mbanë erën e drunjtë, por që e mbushte me oksigjen. “Kur më ndodhi një fatkeqësi e madhe, një dramë e madhe familjare, unë nuk kisha më dëshirë jo më për skenën, por për asgjë në botë. Por njeriu duhet ta përballojë të keqen. Edhe unë duhej ta përballoja”- është shprehur Pelniku kur vendosi kthimin e radhës.

Për të fundit herë në teatër interpretoi te “Përjetësisht dashuria” me regji të Mihal Luarasit në rolin e Zarinës, gruas që i ka kaluar 70 vjetet dhe e shtyn e vetme jetën me burrin. Me të shoqin, Dionin (në rol Vangjël Toçe).  I shkonte ky personazh po të sjellim ndër mend jetën e Pelinkut.

Sot, në orën 11:00 të paradites deri në 13:30  do të bëhen homazhet në ndër të aktores, në ambientet e Teatrit Kombëtar. Kjo do të jetë edhe hera e fundit kur ajo do të “ngjitet” në skenë…  Këtë herë e mbanë fjalën, e jo vetëm aty po as në dhomën e Dritës nuk do të ketë më dritë.

 

Kush është aktorja kryeroleve femërore

E lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1926, ishte një nga aktoret më të shquara të skenës shqiptare, regjizore dhe petagoge. Kreu shkollën e femrave “Nana Mbretneshe” në vitin 1944 dhe më pas vazhdoi shkollën e artit  “Jordan Misja” për teatër ku ishte e vetmja femër. Filloi punën si aktore profesioniste në Teatrin Kombëtar në vitin 1946. Nga viti 1976 ka dhënë mësim mbi artin skenik në Akademinë e Arteve. Në vitin 1982 bëri debutimin në skenën e Teatrit “Petro Marko” të Vlorës si regjisore me dramën Pavdekësia.

Disa nga komeditë dhe dramat e para ku ajo ka interpretuar në teatrin shqiptar. “Rëshqitja”, “Arturo Ui”, “I çuditshmi”, “Zonja e Bujtinës”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Artani”, etj. Në kinematografi ajo u shfaq fillimisht me një rol të vogël tek “Tana” (1958), e më pas tek “Njeriu me top”, “Kur hidheshin themelet”, ku interpreton rolin e Budës, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Radiostacioni”, “Përtej mureve të gurta”, “Fjalë pa fund”, “Shpresa”, etj.

Si aktore e teatrit dhe kinematografisë numëron mbi 120 role, ndër të cilët më shumë se gjysma janë kryerole femërore të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Si një nga themeluest e Teatrit Kombëtar ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm është si autore e shumë botimeve biografike për artistë të skenës shqiptare. Për kontributet e saj të veçanta Drita Pelinkut iu akordua nga Presidenti i Republikës urdhri “Mjeshtre e madhe”, “Çmimi i Karrierës” dhe gjithashtu titulli “Artiste e Merituar” (1986), çmimi “Ismail Qemali” (1996), ndërsa Bordi Drejtues i Institutit Amerikan të Biografive ka  zgjedhur ndër 500 udhëheqësit më me influencë në botë. Së fundmi, qyteti i lindjes e ka çmuar si Qytetare Nderi të Vlorës dhe Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin më të lartë “Nder i Kombit”.

 

 

Share This Article
3 Comments
  • Një artiste e shkëlqyer me nje zë fantastik. Më ka mbetur ne mend roli i “budes”,rol ku kristalizova mendimin per dritën si artiste e madhe. Ju prehte shpirti në paqe! U shua nje zë i papersëritshem dhe kjo na dhëmb shume sepse nuk jemi mësuar té mos e degjojmë më! Ngushëllime familjes dhe té afërmve! Ngushellime dhe shqiptarëve sepse ishte pjesë e tyre!

  • Një vërejtje e vogël për artikullshkruesin: Në një tekst prej vetëm pesë rreshtash tri herë përsëritet përemri AJO (Ajo filloi…, Ajo luajti…, Ajo u nderua…). Sikur bëhet një kakofoni?

  • Ngushëllime familjes dhe të afërmve!
    Vërtetë një zë i mrekullueshëm që të ngulitet në kujtesë! Artistë të rangut të tillë, shumë e vështirë të dalin më, me keqardhje e them por është e vërtetë. Skenës së teatrit shqiptar, po i ikin një nga një të gjithë këto ikona të pazëvendësueshme! Artistë që të tërhiqnin si me magnet në rolin dhe botën e tyre, ato minuta që ti ishe duke i ndjekur. Mrekullia e skenës ishte magji për spektatorët, të paktën për ne brezin shumë përpara 90-ës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *