Letër e nënshkruar
Vasil Thanasi
E respektuara Dita! Në 21 qershor të vitit 2013 u bënë votimet dhe koalicioni i majtë fitoi bindshëm ndaj koalicionit të djathtë. Sigurisht u gëzuam, sepse na u shtuan shpresat për një qeverisje më të mirë, se ajo e para nuk ishte për popullin, nuk bëri shtet, por rrumpallë. Kuvendi e filloi punën mirë, me rregull e disiplinë, por shumë shpejt u bë si pazari i Roskovecit. Tani Kuvendi është bërë si “Portokallia” dhe “Al-Pazari” i Agron Llakës që transmetohen në Top Channel dhe Vizion Plus. Disa deputetë luajnë me celularë si fëmijët, të tjerët flasin në telefon për biznese dhe me dashnoret. Deputetët janë shumë e për lumë. Shqipëria nuk e ka takatin të mbajë 140 deputetë. Ne kemi 65 deputetë për 1 milion banorë dhe kjo e rëndon buxhetin, kur Italia fqinje ka 50 deputetë për 1 milion banorë. Shqipërisë nuk i duhen më shumë se 80 deputetë dhe ata të zgjidhen nga populli.
