Autoritetet nigeriane mbyllën tre kompani farmaceutike në vend, pas një hetimi të BBC ku tregohej se shurupi i kollës përmbante kodeinë.
Hetimi i BBC tregoi se shurupi i kollës shitej në tregun e zi dhe përdorej nga të rinjtë për t’u droguar, si një alternativë e lirë ndaj drogave të tjera.
Gjithashtu u zbulua se industria farmaceutike në vend e shfrytëzonte këtë dukuri negative duke shitur sasi kolosale shurupi kolle në mënyrë të jashtëligjshme.
Në xhirimet me kamera të fshehta të BBC shfaqeshin drejtues të kompanisë farmaceutike nigeriane që mburreshin se mund të shisnin miliona arka me shurup në tregun e zi brenda javës.
Në 1 maj, pas publikimit të këtij hetimi, qeveria ndaloi prodhimin dhe importimin në vend të shurupit të kollës me kodeinë.
Faktikisht, shurupi i kollës me kodeinë është një produkt i ligjshëm, por nuk mund të shitet pa një recetë mjeku.
Sipas autoriteteve nigeriane, drogimi me kodeinën e këtij shurupi është shndërruar në një epidemi të frikshme në vend dhe llogaritet që vetëm në dy provinca, pikërisht Kano dhe Jigawa, konsumohen 3 milion shishe shurup në ditë.
s.a/dita
