Shvajnshtajger: Barcelona e plagosur, por e rrezikshme

redaktor

Katër gola të shënuar, njëra këmbë tashmë në finalen e Ligës së Kampionëve dhe Bajernit të Mynihut mund t’i falet nëse e merr me të lehtë lojën e së mërkurës me Barcelonën. Por Bastian Shvajnshtajger është tepër i zgjuar për ta bërë një gjë të tillë.“Barcelona mund ta përmbysë gjithë rezultatin. Ata janë të aftë për një gjë të tillë”, thotë mesfushori gjerman. “Barcelona është plagosur dhe kjo e bën atë të rrezikshme. Ndeshja e parë na hapi derën për në finale, por ne s’e kemi kaluar ende atë derë. Do të jetë ndeshje e vështirë pasi pak skuadra ia kanë dalë mbanë Barcelonës në fushën e saj.

Ne duhet të jemi edhe më të përqendruar se në ndeshjen e parë. Do të jetë e vështirë, pasi Barcelona është e aftë të bëjë gjëra të mëdha”. Megjithëse Shvajnshtajger i kundërshtoi me dhimbje sugjerimet për ndryshim te Mynihu, trajneri i tij Hejnkes thotë se 28-vjeçari ka qenë gjithnjë pjesë e kësaj skuadre. “Kur fillova të trajnoj Bajernin, u shpreha se Bastian është një lojtar si Ksavi Hernandez dhe Andres Iniesta. Bastiani ka të gjitha vetitë që ti kërkon tek një mesfushor. Ai sulmon, mbron, është i mirë në gjuajtjet me kokë, është drejtues, ndihmon taktikisht… është i përkryer”.

Matematikisht, të paktën, çështja e Barcelonës është e thjeshtë: i duhen pesë gola të pastër dhe ata ia dalin, shënojnë 4-0 dhe kalojnë në kohë shtesë. Asnjë skuadër nuk ia ka dalë mbanë të thyejë një rezultat të tillë në këtë kampionat, por ka një shenjë të mirë për skuadrën kampione të Spanjës: herën e fundit që Bajerni shkeli në “Camp Nou” u mposht me 4 gola pa mundur të shënojë. “Fusha është pak më e madhe, kështu që mund të jetë pak e vështirë për ata q ë s’kanë luajtur këtu më parë”, shtoi Shvajnshtajger, pjesë e skuadrës që u rrah në ndeshjen e parë të çerekfinales 2008-2009. “Tifozët e Barcelonës do të jenë me skuadrën e tyre dhe do ta mbështesin, por ne duhet të jemi të përqendruar në objektivin tonë dhe të harrojmë ç’ndodh rrotull nesh.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *