Kërkesa për të përfituar nga skema e ndihmës ekonomike mund të bëhet çdo muaj. Familjet në nevojë dhe kategoritë e tjera që plotësojnë kushtet për të përfituar këtë pagesë mund të paraqiten çdo fillim muaji pranë administratorit shoqëror në njësitë vendore ku kanë vendbanimin për të bërë aplikimin përkatës për të hyrë në skemën e ndihmës ekonomike.
Të drejtën e përfitimit të kësaj ndihme e gëzojnë 6 kategori. Konkretisht bëhet fjalë për grupe të tilla, siç janë: familjet pa të ardhura, ose me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët të cilët nuk janë në institucione, prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre, viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes, ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, si dhe fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë.
Afatet kur duhet të paraqitet kërkesa
Sipas ndryshimeve të bëra në legjislacionin përkatës, për të përfituar ndihmë ekonomike kryefamiljari së bashku me bashkëshorten, si dhe grupet e tjera përfituese, duhet që gjatë 10 ditëve të para të çdo muaji të paraqiten pranë administratorit shoqëror që ndodhet në njësinë vendore të vendbanimit të tyre për të bërë aplikimin përkatës, pranë të cilit duhet të dorëzojnë edhe dosjen e dokumenteve të kërkuara mbi nivelin e të ardhurave, si dhe kushteve të tjera ekonomike dhe sociale.
Në këtë rast duhet që të paraqisni kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti, ndërsa për fëmijët duhen certifikata. Pasi të keni grumbulluar dokumentacionin përkatës, administratori në prani të kryefamiljarit, apo individëve plotëson online në sistem aplikimin për ndihmë ekonomike.
Ky aplikim përmbledh informacionin për: demografinë e familjes, arsimin dhe punësimin, llojin e banesës, pasuritë dhe asetet shtëpiake, të ardhurat nga programet e mbrojtjes sociale. Është me shumë rëndësi që informacioni të jetë i saktë , pasi në rast të kundërt penalizohen familjet për deklarim të rremë. Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit merret vendimi për këto familje.
Si merret vendimi për lëshimin e ndihmës ekonomike
Përzgjedhja e fituesve bazohet në një formulë të pikëzuar. Çka do të thotë se secili tregues i kushteve ekonomike dhe sociale vlerësohet me pikë të caktuara, dhe në varësi të rezultatit të dalë nga përmbushja e kushteve të kërkuara, përcaktohet nëse aplikuesi ka të drejtë që të përfitojë ndihmën ekonomike, ose jo. Ky vendim merret brenda muajit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror.
Konkretisht, formula e pikëzuar përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla siç janë: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale. Pas vlerësimit të këtyre kushteve, drejtoria Rajonale e Shërbimit Social dërgon vendimin final së bashku me listën e familjeve fituese me masën e përfitimit dhe familjet jopërfituese me arsyet përkatëse, kryetarit të njësisë vendore për të njoftuar të gjithë aplikantët dhe për të bërë ekzekutimin e pagesës gjatë muajit përkatës.
Detyrimi i paraqitjes
Për të mos rrezikuar djegien e pagesës së ndihmës ekonomike, të gjitha familjet përfituese e kanë të detyrueshme të paraqitjen çdo 3 muaj tek zyra e administratorit shoqëror, i cili plotëson deklaratën social-ekonomike dhe e hedh në sistem, si dhe verifikon gjendjen shoqërore dhe ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Për rastet në të cilat ky afat nuk zbatohet, bëhet me dije se aplikuesi nuk ka të drejtë që të marrë pagesën përkatëse. Kështu, mosparaqitja një herë në 3 muaj dhe moslejimi i verifikimit social-ekonomik në familje largon familjen nga skema e ndihmës ekonomike.
Si duhet të veprojnë familjet që refuzohen
Në rast se përgjigja e dhënë është negative, familjet e përjashtuara kanë të drejtë që të e riaplikimit. Konkretisht, sqarohet se familjet që janë refuzuar, pasi nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme, kanë të drejtën e riaplikimit në muajt pasardhës dhe gjithashtu ruajnë të drejtën e ankimimit në lidhje me vendimin e marrë. Ankimimi bëhet me shkrim fillimisht pranë njësisë vendore, e cila është e detyruar të kthejë përgjigje brenda shtatë ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.
Pranvera Kola/dita
