Kërkesa së bashku me dokumentet, paraqiten në agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore të vendbanimit të personit që kërkon të dalë në pension
Për të siguruar në kohë të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë që parashikohen në ligjin për sigurimet shoqërore, personi i interesuar duhet të paraqesë kërkesë paraprake me shkrim pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore (ALSSH) ku ka vendbanimin të paktën 1 vit para se t’i lindë e drejta për përfitim. Kohë e cila është e nevojshme për kryerjen e të gjitha verifikimeve të duhura deri në marrjen e vendimit për lidhjen e përfitimit që i takon aplikuesit përkatës. Kjo kërkesë dorëzohet tek inspektori pritës sipas formularit tip të përcaktuar. Kur personi që do të fillojë procedurën e kërkesës paraprake, paraqitet për herë të parë tek inspektori pritës i ALSSH-së, ky i fundit, krahas sqarimeve ligjore, është i detyruar ta pajisë të interesuarin me formularin e dokumenteve që duhet të paraqesë për efekt të daljes në pension. Ekspertët e sigurimeve konfirmojnë se procedura e pranimit dhe e regjistrimit të kërkesës për pension nuk fillon, nëse nuk paraqiten dokumentet përjashtuese, siç janë certifikatat e gjendjes civile, certifikatat e lindjes, familjare, të martesës, vdekjes, etj.
Plotësimi i kërkesës paraprake
“Kërkesa paraprake plotësohet në ALSSH nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës. Kjo kërkesë plotësohet në dy kopje, nga të cilat, kopja e parë shoqëron dosjen e dhe kopja e dytë i jepet personit. Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë: fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj, deklaratë personale për vitet e punës, certifikatë lindjeje me fotografi, certifikatë martese për kërkueset femra”, detajohet në rregulloren e caktimit dhe administrimit të pensioneve. Pas marrjes së kërkesave, sipas procedurave të përcaktuara, inspektori pritës ka për detyrë dhe mban përgjegjësi për informimin e të interesuarit për kohën e saktë se kur i lind e drejta për pension, si dhe procedurën që duhet ndjekur pas dorëzimit të dokumenteve paraprake, kontrollin e kërkesës dhe të dokumenteve të paraqitura, të cilat, pasi i kontrollon, i vulos dhe i nënshkruan, duke bërë kështu edhe regjistrimin e kërkesës në librin e pritjes në rubrikën “Kërkesa paraprake për pension”, dhe më pas vendosjen në kërkesë të datës së marrjes në dorëzim.
Afatet e verifikimit
Kërkesat e mbledhura më pas i dërgohen përgjegjësit të ALSSH, i cili së bashku me strukturat e tjera përgjegjëse bëjnë verifikimet përkatëse deri në marrjen e vendimit nëse aplikuesi ka të drejtë që të përfitojë. Në drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore (DRSSH), dokumentet, së bashku me kërkesat paraprake për pension, protokollohen dhe i kalohen kreut të këtij institucioni, i cili i adreson te kryetari i degës së përfitimeve. Ky i fundit pasi bën regjistrimet përkatëse i kalon dokumentet për verifikim. Afati i verifikimit në këtë rast është 30 ditë kalendarike. DRSSH-ja pritëse fillon procedurat e verifikimit. Afati për çdo rast verifikimi dhe i kthimit të përgjigjes kërkuese është 60 ditë kalendarike. Kryetari i degës së përfitimeve përgatit shkresën përcjellëse, e cila i adresohet ALSSH-së. Për rastet kur, si rezultat i verifikimeve, nuk konfirmohet vjetërsia në punë, shkresa përcjellëse e nënshkruar nga drejtori i DRSSH-së i adresohet edhe personit të interesuar, duke iu bërë e ditur nëpërmjet ALSSH-së përkatëse.
Verifikimet që kryhen
Verifikimi bëhet nga inspektorët pranë arkivës së DRSSH-së, ose në subjektet që janë duke kryer aktivitet ekonomiko-financiar. Objekt verifikimi janë dokumentet që vërtetojnë periudhën e sigurimit dhe pagën. Pensionet e pleqërisë të kategorisë së parë ose të dytë nuk mund të caktohen pa u bërë më parë verifikimi i dokumenteve të vjetërsisë në punë. Kur libreza e punës është dublikatë, pensioni nuk mund të caktohet pa u bërë më parë verifikimi. Verifikimi mund të kërkohet në çdo rast që gjykohet nga inspektori përpunues ose nga mbledhja e degës së përfitimeve në DRSSH.
Afatet i pagesës së pensionit është si vijon:
- Për pensionet e pleqërisë dhe për pensionin familjar, në rastet kur anëtari i familjes që përfiton pension është mbi moshën për punë që përcakton ligji, caktohet i përhershëm.
- Për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim dhe për kompensime të tjera që marrin edhe pensionet e pleqërisë, afati do të vendoset sipas rastit.
- Pensioni i invaliditetit deri në datën e mbarimit të afatit të caktuar të vlerësimit të aftësisë për punë, me vendim të KMCAP-it.
- Për pension familjar për jetimët, afati i pagesës caktohet deri në datën kur jetimi më i madh plotëson moshën 18 vjeç dhe për ata që janë mbi moshën 18 vjeç e vazhdojnë shkollën, deri në një muaj pas datës së fillimit të vitit të ri shkollor, por në asnjë rast më shumë se data e mbushjes të moshës 25 vjeç.
- Për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim, për personat që përfitojnë pension invaliditeti të plotë, sipas nenit 35 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, vendoset data e plotësimit të moshës 18-vjeçare të fëmijës më të rritur.
Rastet veprohet me pezullim të pensionit
- Pezullimi i pensionit bëhet në çdo kohë gjatë së cilës është duke u përfituar pensioni dhe mbi bazën e fakteve që cenojnë legjitimitetin e tij.
- Pezullimi bëhet: në rastet kur Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së dhe drejtori i DRSSH-së kanë fakte ose sinjalizime, kanë të drejtë të pezullojnë pensionin, mbi bazën e kontrolleve ose rikontrolleve të urdhëruara prej tyre.
- Kur nga auditimi i dosjes nga auditi i ISSH-së dhe auditi i DRSSH-së rezulton që pensioni është caktuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, vendimet, udhëzimet dhe rregulloret në fuqi.
- Kur dosja kërkohet për shqyrtim në KMCAP-epror.
- Kur pensioni nuk tërhiqet për një periudhë mbi një vit. Në këtë rast mund të hartohet edhe urdhërmbyllje e urdhërpagesës.
- Pezullimi i pensionit bëhet për aq kohë sa kërkohet për verifikimin për faktet që kanë dalë deri në nxjerrjen e urdhrit për mbylljen e pensionit ose urdhrit për pagesën e tij.
- Kur merret vendim për mbylljen e pensionit, atëherë përpilohet urdhërmbyllja e pensionit sipas procedurave të përcaktuara më lart.
- 5Urdhri i pezullimit të pensionit i dërgohet qendrës paguese nga dega e financës.
- Njoftohet personi i interesuar për pezullimin e pensionit. Me marrjen e njoftimit, personi i interesuar paraqitet në DRSSH dhe nga inspektori përpunues hartohet procesverbal për shkaqet e pezullimit. Me plotësimin e dokumenteve në bazë të procesverbalit, fillon rishqyrtimi i pensionit sipas procedurave të përcaktuara në këtë rregullore.
- Inspektori përpunues, përveç llogaritjes së pensionit sipas procedurave më lart, llogarit edhe masën e pensionit, bën diferencat midis masës së përfituar dhe shumës që duhet të kthejë dhe ia paraqet degës së financës për sistemim e kontabilizim të veprimeve kontabël dhe arkëtimin e tyre.
p.k/ dita

Rregulli i fundit me pelqen shume….ai i dokumentit te vdekjes i cili do firmosi perpara komisjonit sepse bene vaki qe ky te kete vdekur dhe eshte fantazma e tije me dokumentat…hahaha…sa ligje qesharake. Po ata qe kane nxjerr keto ligje,a kane paraqitur dokumentin e tyre te vdekjes,para se te marrin kete detyre?
sofloklis @…Mos u losh kot ,ashtu si si shteti ,lodhet kot ,dhe ben sikur i pagon ketyre pensionisteve te mjere ,prinderve tane ,qe mos tja hame hakun i del vetem per te pire uje dhe per leter higjenike . Kurse po mos i ndihmojme ne per te njomur gojen ,keta te mjere sdo tju ….?????
Ky genjeshtari i jone Rama ,para vitit te ri i premtoi pensionisteve , se do ja u rris pensionet por ,si gjithmone genjen ???
Kerkesa per pension pleqerie behet prepara apo mbrapa mbushjes se moshes ?Ne rastin e burrave referohem
Ku dhe si mund të bëjë një kërkesë për të dalë në pensionin e pleqërisë
Ku gjënden të dhënat për kërkesën paraprake për daljen në pension pleqërie?