Ne kishim planifikuar që t’i kishim që të dy, Sali Berishën dhe Edi Ramën, me nga një “Rubikon” gjatë programit special të KTV-së në 100-vjetorin e pavarësisë, por ajo me kryeministrin e Shqipërisë nuk u realizua kurrë
Isha dakorduar më shumë se një muaj më parë me zëdhënësen e kryeministrisë, Erla Mëhilli, që të na caktonte një intervistë me kryeministrin Berisha dhe ajo, duke më falënderuar për respektin që po ia bënim duke i dhënë hapësirë në një jubile kaq të rëndësishëm, tha se do ta caktojë një datë shumë shpejtë.
Do të kalonin rreth katër javë dhe data assesi të caktohej, por gjithnjë merrja sigurimin se gjithçka është në rregull. Përfundimisht, të martën, më 13 nëntor, zëdhënësja Mëhilli me thotë se mund të shkojmë për intervistë në Tiranë pas dy ditësh, pra të enjten, më 15 nëntor, prej orës 12:00, dhe unë pajtohem.
E marr të mërkurën për të konfirmuar edhe një herë para se të niseshim me ekip drejt Tiranës, dhe pas shumë telefonatave pa përgjigje, përfundimisht marr një sms se intervista është shtyrë për të hënën, më 19 nëntor, prej orës 12:00. E konfirmoj se do të jem aty bashkë me ekipin.
Të dielën, një ditë para intervistës së caktuar, ndodhem në Tiranë me ekipin prej 5 vetash, të gatshëm për realizimin e saj. E thërras zëdhënësen Mëhilli. Ajo nuk përgjigjet. I dërgoj sms. Sërish pa përgjigje.
Të hënën në mëngjes, në ditën e intervistës, e marr sërish në telefon disa herë, prapë nuk përgjigjet. I dërgoj sms me lutjen që të më tregojë a është gjithçka në rregull për intervistën në orën 12:00, dhe asgjë nga ana tjetër. Rreth orës 11:00 detyrohem të thërras në Zyrën për media në Kryeministri dhe një nëpunëse aty më thotë se do t’ia përcjell porosinë Mëhillit.
Pas pesë minutash marr këtë sms nga zëdhënësja e kryeministrit: “Të kam shkruajtur që parë dhe të kam thënë më prit se do ta konfirmoj unë orën e saktë. Mos merr kot numrat e Kryeministrisë se askush përveç meje s’ta konfirmon dot orarin. Të lutem shumë kuptoje faktin që unë nuk mund të përgjigjem orë e sekond në tel, sepse nuk punoj recepsioniste”. E para, s’ishte e saktë që Mëhilli më ishte përgjigjur. E dyta, ajo nuk shprehte fare keqardhje, e as afër mendsh të kërkonte falje, për shkakun që një ekip prej 6 vetash kishte udhëtuar nga Kosova për të realizuar intervistën e dakorduar një muaj më parë, dhe kjo s’po bëhej. Ajo bile bënte të kundërtën dhe në njëfarë forme sikur më bërtiste.
Me vështirësi, por për hir të 28 Nëntorit, u detyrova të gëlltis dinjitetin dhe t’i përgjigjem me mirësjellje me një sms, duke i thënë: “Flmn. OK. Po presim”.
Dhe prapë asgjë. Asnjë telefonatë, asnjë sms. Hiç. Rreth orës 16:30 e thërras sërish në telefon, por pa përgjigje. I dërgoj sms duke i thënë që të na kthejë së paku një përgjigje me Po ose Jo, pasi që 6 vetë jemi në pritje. Sërish asgjë dhe asnjë përgjigje… madje edhe deri në momentin që po i shkruaj këto radhë. Një sjellje të këtillë nga një zëdhënës institucioni nuk e kam përjetuar në këto 15 vjet që merrem profesionalisht me gazetari.
Në anën tjetër, nga Zyra e Edi Ramës më kishin thënë se në ditën që ne do të jemi në Tiranë, do të gjendej gjithsesi një hapësirë në agjendë për ta realizuar intervistën. U lajmërova po në ditën që prisja të realizoja intervistën me Berishën dhe u caktua termini për orën 15:00. Gjithçka shkoi në rregull dhe intervista u realizua.
Në KTV pastaj megjithatë e shtruam dilemën morale e profesionale nëse do të duhej transmetuar “Rubikonin” me Edi Ramën, duke mos e pasur edhe Sali Berishën. Mirëpo, duke mos e transmetuar Ramën, ashtu siç ishim dakorduar, do t’i binte që ta dënonim atë që doli korrekt dhe i fjalës dhe ta shpërblenim Berishën që na shpërfilli. Kjo gjithsesi se nuk do të ishte e drejtë.
Kështu që vendosëm që të procedojmë sipas planifikimit, të vazhdojmë me programin special për 28 Nëntor, me ato materiale që i kishim.
*Adriatik Kelmendi, gazetar kosovar është autor i emisionit RUBIKON në Koha Vizion