Si do aplikohet! Paga për punonjësit e transportit, procedurat dhe dokumentet që duhen

Ornela

Pranvera Kola

Ndihmën financiare në masën 26,000 lekë për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, do ta përfitojnë jo vetëm të punësuarit, por edhe ish-të punësuarit në subjektet e transportit publik, qytetas dhe ndërqytetas.

Për të marrë këtë ndihmë financiare nga shteti, punonjësit duhet të jenë të deklaruar në listëpagesat e subjekteve përkatëse të transportit, pavarësisht nëse kanë përfituar ose jo nga paketat e mëparshme të ndihmës financiare, të dhënë për këtë qëllim.

Në vendimin e miratuar së fundmi, i cili gjatë ditës së djeshme është shpallur në Fletoren Zyrtare, detajohen kriteret, procedurat dhe dokumentet që duhen për përfitimin e ndihmës financiare nga punonjësit e transportit publik qytetas dhe ndërqytetas.

Kriteret e përcaktuara

Ndihma financiare llogaritet dhe jepet për të punësuarit apo ish-të punësuarit, që figurojnë në listëpagesat e deklaruara për periudhën tatimore shkurt 2020, të cilat janë dorëzuar në muajin mars 2020. Më tej në vendim saktësohet se për punonjësit, të cilët kanë përfituar ndihmë financiare, sipas vendimit nr. 254, datë 27.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë, ndihmës ekonomike e të pagesës së të ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore, të shpallur si pasojë e COVID-19”, ose të vendimit nr. 305, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe punonjësit e larguar nga puna si pasojë e COVID-19”, pagesa do të kryhet automatikisht nga administrata tatimore, në bazë të të dhënave që kjo e fundit disponon.

Aplikimi për pagesën

Aplikimi për të përfituar ndihmën financiare për punonjësit apo ish-punonjësit, të cilët nuk kanë përfituar ndihmë financiare, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave nr. 254, datë 27.3.2020, ose nr. 305, datë 16.4.2020, bëhet nga subjekti i të punësuarit.

Në vendim është përcaktuar edhe çfarë do të ndodhë me këta punonjës në rast se subjektet e tyre të punës nuk bëjnë aplikimin për sigurimin e kësaj pagese.  “Në rastet e mosaplikimit nga ana e subjektit, ndihma financiare për të punësuarit do të jepet menjëherë pas miratimit nga administrata tatimore të aplikimit individual të tyre. Miratimi kryhet pas verifikimit të kritereve, bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon, apo të dhënat që të punësuarit do të dorëzojnë”, përcaktohet në vendim.

Dokumentet që duhen

Subjektet e punës, apo edhe vetë individët aplikues për të siguruar këtë pagesë duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet portalit “e-Filing”, kërkesën me të dhënat e kërkuara, ku përfshihen: “të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS, si dhe të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë këtu emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, adresën e emailit, numrin personal të identifikimit të përfituesit, bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare, si dhe IBAN-in e llogarisë bankare”.

Procedurat e verifikimit

Administrata tatimore, brenda 10 ditëve pune nga data e aplikimit, verifikon në sistemin tatimor, identifikon aplikuesit dhe të dhënat në kërkesën e tyre, duke analizuar: tatimpaguesin dhe veprimtarinë e tij, për të verifikuar nëse bën pjesë në listën e veprimtarive që përfitojnë ndihmën financiare, si dhe krahasimisht listën e paraqitur për përfitim ndihme me listëpagesën e dorëzuar në mënyrë elektronike.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i paraqet Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit listën përmbledhëse të individëve përfitues të ndihmës financiare të dhënat e deklaruara për përfituesit. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit kryen pagesat për individët përfitues, sipas këtij vendimi. Ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar, sipas këtij vendimi, në përputhje me dispozitat ligjore e nënligjore, të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat. Sipas kushtit të përcaktuar, ndihma financiare për të punësuarit, në shumën e përcaktuar, përfitohet vetëm një herë si shumë e vetme. Efektet financiare, në masën 134 966 000 lekë, do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *