Maturantët kanë nisur tashmë përgatitjet finale për provimet e maturës, ku me datën 16 maj do të zhvillohet testimi i parë i detyruar, në lëndën e gjuhës së huaj. Rezultatet e këtij provimi nuk do të përdoren në formulën finale të përllogaritjes së pikëve për të shkuar në universitet. Por, pavarësisht këtij fakti, ekspertët e maturës sqarojnë se : “Maturantët duhet të dinë që rezultatet e provimit të gjuhës së huaj janë vendimtare për t’u pajisur me Diplomën e Maturës, që përcakton mbarimin e shkollës së mesme. Çka do të thotë se nëse maturantët do të rezultojnë mbetës në provimin e gjuhës së huaj ata humbasin të drejtën për të vijuar studimet e larta nëpërmjet formularit A2, që do të plotësohet gjatë muajit korrik. Maturantët e vitit shkollor 2013- 2014 do t`i nënshtrohen provimit të detyruar të gjuhës së huaj, e cila do të jetë “gjuha e huaj e parë”, që maturanti ka zhvilluar në shkollën e tij. Testi për këtë provim do të jetë i nivelit mesatar A2 . Rezultati i provimit të detyruar të gjuhës së huaj (D3), nuk merret parasysh në formulën përllogaritjet e pikëve për shpalljen e fituesve sipas parimit Meritë – Preferencë. Por, çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, pajiset me diplomë. Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2013, por nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie apo Diplomë, nuk do të japin gjuhën e huaj si provim të detyruar. Ekspertët e Maturës kanë detajuar tashmë edhe guidën zyrtare me rregullat që maturantët nuk duhet t’i neglizhojnë në ditën e provimit, si dhe formulën e re që do të përdoret për përzgjedhjen e maturantëve që fitojnë universitetin. Detajet e plota rreth ndryshimeve që ka pësuar kjo formulë i gjeni bashkangjitur shkrimit. Për të ndihmuar maturantët në zgjedhjen e drejtë të degëve ku duhet të vijojnë studimet e larta ka nisur të zhvillohet edhe “Këshillimi i Karrierës”, proces në të cilin drejtuesit e shkollave dhe universiteteve do të orientojnë maturantët që të përzgjedhin ato degë që janë më afër prirjeve të tyre, në mënyrë që të mos përballen me problematikat e viteve të shkuara, ku përzgjedhja e gabuar e degëve i la jashtë universitetit. Këshillimi i karrierës ofrohet me mjedise të shkollës dhe në mjediset e universiteteve publike dhe private në forma të ndryshme (seminare, prezantime, promovime, fletëpalosje, etj). Për të fituar të drejtën e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik të Shqipërisë, çdo maturant që kërkon të vazhdojë studimet e larta, duhet të plotësojë formularin A2, online, sipas një kalendari dhe udhëzimeve përkatëse që do të publikohen nga MAS dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Çdo maturant apo kandidat i viteve të shkuara ka të drejtë të përzgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi. Pas nxjerrjes së rezultateve të marra për çdo provim maturantët do të kenë të drejtë që të rishikojnë testin e tyre të korrigjuar. Në guidën e maturës sqarohet se maturanti ka të drejtë të kërkojë një kopje të testit të vlerësuar, por pavarësisht këtij fakti ai nuk do të ketë të drejtë që të kërkojë rivlerësim apo ndryshim të notës që ka marrë. “Maturanti ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit pas përfundimit të së gjithave provimeve, me një kërkesë drejtuar Komitetit Shtetëror të Maturës Shtetërore. Afatet e kërkesës përcaktohen me Udhëzim të veçantë të Ministrit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë”, sqarohet në guidën e maturës.
Për llogaritjen e pikëve do të procedohet si më poshtë:
Formula si do llogariten pikët për universitetin është :
S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17*(Z1*F1+Z2*F2)}*5
Llogaritja e shumës -S- të pikëve të kandidatëve,të cilët kanë rezultuar kalues në provimet me detyrim dhe me zgjedhje, bëhet sipas kësaj formule ku : M, D1, D2, Z1 dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme të lartë, vleresimet në lendët e detyrurara “ Letërsi dhe Gjuhë Shqipe” dhe Matematikë” dhe në ato me zgjedhje. K, F1 dhe F2, përkatësisht koeficienti i shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP).
PROVIMET E DETYRUARA DHE ME ZGJEDHJE
Provimet e detyruara dhe me zgjedhje fillojnë në orën 10:00
Provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta secila.
Provimet me zgjedhje zgjasin 4 orë.
Kandidatët që do të japin provim të Maturës Shtetërore njërën nga lendet me zgjedhje, do të fillojnë provimin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë atë në orën 12:00.
Testi për secilin për provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pike secila (13 pike gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pike.Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë.
Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pike secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pike.
Maturantët mbetës në provimet e Maturës Shtetërore kanë të drejtën e provimit në sezonin e dytë.
8 rastet kur maturantit nuk i njihet rezultati
Nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si ato të përcaktuara në “Rregulloren e Maturës Shtetërore,ose kur përdor më shumë sesa një ngjyrë në plotësimin e testit.
Nëse ka hequr ose ka dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin)
Nëse ka dëmtuar testin (palosur , zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.
Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED-i.
Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
Maturantët apo kandidatët e tjerë që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së caktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë.
Maturanti përjashtohet nga provimi kur: ndryshon vendin që i është caktuar, merr ose jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratoreve gjatë hyrjes në qendrën e provimit.
Maturanti ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar Komitetit Shtetëror të Maturës Shtetërore. Afatet e kërkesës përcaktohen me Udhëzim të veçantë të Ministrit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë.
