Kritikat e ngritura nga akademikët mbi kontrollin që shteti do të ushtrojë në strukturat universitare nuk kanë marrë zgjidhjen e duhur në reflektimet e bëra nga komisioni që ka hartuar variantin përfundimtar të projektligjit për arsimin e lartë. Skema e financimit, kushtëzimi i vendosjes së kufijve mbi tarifat, si dhe përqendrimi i procedurave dhe vendimmarrjes rreth disa agjencive nën varësinë e MAS, vijojnë të tregojnë frymën monitoruese që shteti do të ketë mbi arsimin e lartë.
Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj ka pohuar gjatë ditës së djeshme se edhe në variantin final të draftit shteti vazhdon të ketë rol kontrollues mbi autonominë universitare. Duke u ndalur tek reflektimet, Rrokaj thotë se pavarësisht ndryshimeve të bëra me rikthimin e të drejtës së vendosjes së kritereve të pranimit, si dhe tarifave të studimit nga universitetet, do të jetë shteti që do të përcaktojë kufijtë ndërmjet tarifave dysheme dhe atyre tavan. Pikërisht kjo ndërhyrje sipas dekanit mund të çojë në krijimin e përplasjeve ndërmjet universiteteve dhe studentëve. “Shqetësimi ynë është se mund të krijohet një problem shumë i madh në përplasjen për tarifat midis studentëve dhe strukturave akademike.
Projektligji thotë se qeveria kontrollon tavanin dhe dyshemenë e vendosjes së këtyre tarifave. Pra, qeveria e gjendur keq do të marr anën e publikut, studentëve dhe do të afrojë gjithmonë tavanin me dyshemenë. Duket sikur ia ka dhënë këtë liri universiteteve, por i takon asaj të përcaktojë tek tarifat se sa larg dyshemesë do të qëndrojë tavani. Pra, sa do të rriten tarifat e studimeve. Në këtë aspekt shteti nuk ka asnjë pengesë për të thënë se këto janë lekët e mia, mundësitë e mia, merrini.
Dhe gjithë debatin do ta hedhë në një përplasje eventuale mes strukturave akademike dhe studentëve”, thekson Rrokaj. Ndërkohë që në projektligj pikëpyetje të shumta ngrihen edhe mbi skemën e financimit, e cila nuk është e qartë, pasi nuk është përcaktuar se sa do të jetë vlera që do të financojë shteti. Kjo veçanërisht në kushtet kur drafti parashikon ngritjen e disa agjencive, të cilat për të funksionuar do të kërkojnë buxhete të caktuara, çka mund të çojë në rrudhjen e buxhetit të përcaktuar për arsimin e lartë.”Strukturat që ngrihen nuk do të kenë shumë mjete për të shpërndarë, ndërkohë që strukturat aktuale mund ta kryejnë këtë rol shumë mirë në bashkëpunim me universitetet”, shton dekani Rrokaj.
Skema e re e financimit të universiteteve
Në draft përcaktohet se shpërndarja e fondeve nga buxheti i shtetit për universitetet do të bëhet në formë grantesh. Sipas planit të detajuar, këto grante klasifikohen në tre kategori, ku secila prej tyre ka të mirëpërcaktuar mënyrën e ndarjes së fondeve. Konkretisht bëhet fjalë për: “Grantin e politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë, grantin e mësimdhënies, si dhe grantin e punës kërkimore-shkencore”. Aktualisht drafti pritet të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare, dhe nëse merr aprovimin përkatës do të kalojë për miratimin final në Parlament, ku dhe do të fitojë statusin e ligjit. Si shkak i këtyre ndryshimeve, strukturat universitare publike prej më shumë se dy vitesh kanë të bllokuara procesin e pranimeve në ciklin e tretë të studimeve, që janë programet e doktoraturës.
Granti i mësimdhënies dhe plani i bursave
Granti i mësimdhënies është një ndër format më të rëndësishme të financimit të arsimit të lartë. Ky grant përfshin fondin institucional për institucionet publike të arsimit të lartë, si dhe fondin e mbështetjes studentore. Fondi institucional u shpërndahet universiteteve sipas një formule që garanton barazi, drejtësi dhe transparencë. Ndërsa ndryshimet parashikohen me fondin e mbështetjes studentore. Në këtë rast fondi klasifikohet sipas tre kategorive, të cilat kanë të bëjnë me fondin e bursave të studimit për studentët e shkëlqyer, bursat e studimit për studentët në programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar, si dhe bursat e studimit për studentët që i përkasin shtresave sociale në nevojë. Sipas përcaktimeve të bëra në projektligj ky grant shpërndahet nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë.
Bursat për të shkëlqyerit
Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me notë mesatare maksimale në hyrje, në rang vendi, pavarësisht programit të studimit dhe institucionit në të cilin ata kanë zgjedhur të ndjekin studimet. Studenti vazhdon të përfitojë nga ky grant nëse rezultatet e tij, gjatë gjithë viteve të studimit, vazhdojnë të jenë të shkëlqyera. Çka do të thotë se mbështetja me bursë e këtyre studentëve mund të vijojë përgjatë gjithë ciklit të studimeve në nivelin “bachelor”.
Bursat për programet prioritare
Në nisje të çdo viti akademik, dikasteri i arsimit përcakton një sërë degësh që klasifikohen si programe prioritet. Kandidatët që do të orientohen drejt këtyre degëve do të sigurojnë mbështetjen financiare nëpërmjet programit të bursave. Sipas planit, bursat e studimit për kandidatët që kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit në institucione publike të arsimit të lartë që përbëjnë prioritet kombëtar, u shpërndahen studentëve që studiojnë në fushat e përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.
Financimi i studimeve për kategoritë në nevojë
Bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë, u shpërndahen kandidatëve që shpallen fitues në institucionet publike të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë, të përcaktuara edhe në këtë rast me vendim të Këshillit të Ministrave.
Granti i kërkimeve shkencore përfshin edhe fondet për doktoraturën
Granti i punës kërkimore-shkencore do të përfshijë edhe fondet për kërkimin shkencor. Në draft specifikohet se pjesë e këtij granti janë edhe fondet për studimet e doktoratës, të cilat i jepen institucioneve të arsimit të lartë mbi bazën e aplikimit. Fitimi i këtij granti do të jetë i hapur për të gjitha institucionet e arsimit të lartë të akredituara që zhvillojnë kërkim shkencor. Shpërndarja e fondeve të kësaj kategorie bëhet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor, mbi bazën e projekteve që institucionet paraqesin, sipas kritereve të përcaktuara në strategjitë sektoriale dhe në ligjin vjetor të buxhetit.
Kreditë studentore
Duke qenë se drafti parashikon një rritje të tarifave të studimit, për kategoritë e tjera të studentëve që nuk bëjnë pjesë në shtresat që do të trajtohen me bursë, planifikohet ndihma për përfitimin e kredive studentore. Do të jetë pikërisht MAS, institucioni ndërmjetëson kreditimin e studentëve, me qëllim mbështetjen financiare për përballimin e kostos së studimeve. Kredia studentore është e hapur për aplikim, për të gjithë studentët që vazhdojnë studimet në programin e studimit “Bachelor” dhe në programet e integruara, në institucionet e arsimit të lartë. Ndërkohë që skema që do të zbatohet në këtë rast do të përcaktohet me vendim të posaçëm nga Këshilli i Ministrave.
Procesi i akreditimit
- Akreditimi institucional është procesi i certifikimit të cilësisë së veprimtarisë të institucioneve të arsimit të lartë në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë. Akreditimi i programeve të studimit është procesi i certifikimit të cilësisë së tyre në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë.
- Akreditimi i parë institucional dhe ai i programeve kryhen përpara lëshimit të diplomave të para nga një institucion i arsimit të lartë. Akreditimi institucional i paraprin atij të programeve të studimit. Vlefshmëria e akreditimit të parë institucional dhe ajo e akreditimit të programit të studimit nuk mund të zgjasin më shumë se gjashtë vjet.
- Vendimi për akreditimin është pozitiv ose negativ. Në rast se institucioni i arsimit të lartë nuk akreditohet, ai nuk mund të lëshojë diploma për programet e studimit që ka ofruar.
- Standardet mbi bazën e të cilave është dhënë akreditimi duhet të përmbushen për të gjithë periudhën kohore të vlefshmërisë së akreditimit. Nëse ministria përgjegjëse për arsimin konstaton shmangie nga këto standarde, vendos kushte dhe afate kohore për përmbushjen e tyre.
- Për institucionet e arsimit të lartë që zhvillojnë programe të përbashkëta studimi me institucione të huaja të arsimit të lartë, si dhe për filialet e institucioneve të huaja të arsimit të lartë që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, vlerësimi dhe akreditimi kryhen duke marrë parasysh edhe vlerësimin dhe akreditimin e tyre në vendin e origjinës. Shpenzimet për vlerësimin e jashtëm të cilësisë dhe akreditimin përballohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë, sipas tarifave të përcaktuara me akte nënligjore.
Bordi i akreditimit
Për procesin e akreditimit të institucioneve të lartë dhe programeve të studimit, pranë ASCAL ngrihet Bordi i Akreditimit, i cili është organ kolegjial vendimmarrës dhe i pavarur në veprimtarinë e tij.
Bordi merr vendimin përfundimtar mbi akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve që ato ofrojnë. Bordi do të ketë në përbërje ekspertë të huaj dhe vendas, personalitete të shquara në
fushën e arsimit të lartë dhe sigurimit të cilësisë. Sipas projektligjit mandati i anëtarëve të Bordit të Akreditimit është 4 vjet. Emërimi dhe shkarkimi i tyre bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrisë përgjegjëse për arsimin. Ndërkohë organizimi dhe funksionimi i bordit rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave
