Pranvera Kola – DITA
Ndryshimet do të vijojnë edhe në radhët e drejtuesve të spitaleve bashkiake.
Pas vendimit të marrë për zgjedhjen e drejtuesve të rinjtë në strukturat spitalore universitare dhe ato rajonale, dikasteri i shëndetësisë ka çelur procedurat e konkurimit edhe për 24 drejtuesit e rinj të spitaleve bashkiake.
Procedura e konkurimit për këto poste do të jetë e njëjtë, ku krahas vlerësimit të CV-së, secili kandidat do t’i nënshtrohet testimit me shkrim, si dhe intervistës me gojë, para një komisioni ekspertësh.
Konkretisht, bëhet fjalë për zgjedhjen e drejtuesve të rinj në spitalin e Pukës, Malësisë së Madhe, Kurbinit, Mirditës, Spitali Krujës, Kavajës, Lushnjes, Mallakastrës, Kuçovës, Skraparit, Sarandës, Delvinës, Përmetit, Tepelenës, Kolonjës, Pogradecit, Devollit, Librazhdit, Gramshit, Peqinit, Matit, Bulqizës, Hasit dhe Tropojës.
Faza e parë e konkurimit, përfshin aplikimin me dosje, çka do të thotë se të gjithë personat që duan të sigurojnë një nga këto kontrata të lira pune duhet të depozitojë pranë dikasterit të shëndetësisë fillimisht dokumentet përkatëse në afatet e përcaktuara. Pranimi i kërkesave për këto vende të lira pune do të vijojë deri në datën 28 tetor.
Më pas, kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret e duhura, do t’i nënshtrohen procedurave të mëtejshme të vlerësimit, nga një komision i posaçëm i ngritur për këtë qëllim, në lidhje me: testimin me shkrim, i cili vlerësohet me 30 pikë, si dhe intervistës së strukturuar me gojë, vlerësimi i të cilës do të jetë me 50 pikë.
Në testimin me shkrim çdo kandidat do të vlerësohet për njohjen e dy ligjeve të shëndetësisë, që janë: “Ligjin nr. 9106, datë 17.07.2003 “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe ligji nr. 10107, datë 30.03.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar”.
Ndërsa gjatë intervistës do të vlerësohen në lidhje me njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me pozicionet për të cilat aplikojnë; eksperiencën e tyre të mëparshme si dhe motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën. Ndërsa për aplikimin me dosje që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës e të trajnimeve të lidhura me fushën, kandidati do të vlerësohet deri në 20 pikë.
Lidhur me shpalljen e rezultateve të konkurrimit, autoritetet e dikasterit të shëndetësisë bëjnë me dije se të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këtë procedurë do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike për datat se kur do të zhvillohet testimi me shkrim, intervista me gojë, si dhe për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mailit të paraqitur ne dokumentacionin e aplikimit).
Lidhur me kriteret e përgjithshme që një kandidat duhet të plotësojë për të qenë drejtues në këto spitale, saktësohet se çdo aplikues duhet që të: “Të zotërojë diplomë të nivelit “Master shkencor”, preferohet në shkenca ekonomike, juridike, mjekësore, të ketë përvojë pune minimumi 3 vjet.
Preferohet të ketë eksperiencë pune në drejtim, ose menaxhim, ndaj tij nuk duhet të jetë marrë masë masë disiplinore për shkelje të rënda në kryerjen e detyrës, si dhe të mos jetë dënuar vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe dosjen e dokumenteve që duhet të paraqisni pranë dikasterit të shëndetësisë deri në datën 28 tetor. Krahas dokumenteve të përcaktuara, në dosjen e konkurimit duhet të përfshini detyrimisht edhe dy referenca të lëshuara nga punëdhënësit e mëparshëm.
Dosja e dokumenteve për konkurim duhet të përfshijë:
- Letër interesi për pozicionin në të cilin po konkurron.
- Jetëshkrim i plotësuar sipas formatit të përcaktuar.
- Tabelën e plotësuar me të dhënat në lidhje me librezën e punës, gjendjes shëndetësore, arsimimit, ku kërkohen fotokopje e noterizuar e diplomës (përfshirë dhe diplomën “Bachelor”) dhe listës së notave. Ndërsa për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të dorëzohet njehsimi nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, si dhe çdo dokumentacion tjetër që vërteton arsim apo kualifikime të tjera shtesë. Pjesë e këtyre të dhënave duhet të jetë edhe dëshmia e njohjes së gjuhës së huaj.
- Formular vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore.
- Dy referenca nga punëdhënës, apo bashkëpunëtorë të mëparshëm.

Po ajo femra me e pasur e Shqiperise, Vilma Zeraliu, a do vazhdoje te pasurohet aman, se dhe ajo ne degen mjeksore i fitoi parat…aman