Flet kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane. Projekti i tij për një bashki që natyra i ka falur gjithçka për të përparuar. Duhet vetëm mirëqeverisje dhe përkushtim
-Z. Malo, ju jeni kandidati për kryetar i Bashkisë së Kolonjës në zgjedhjet e 21 qershorit dhe përfaqësoni Aleancën për Shqipërinë Europiane. Si e pritët këtë kandidim dhe si po ecën fushata?
Së pari, i jam mirënjohës Z.Ilir Meta dhe Z.Edi Rama që vendosën besimin e tyre mbi mua, për të përfaqësuar Aleancën për Shqipërinë Europiane në Kolonjë.
Unë ndjehem i privilegjuar që do kem mundësinë t’u shërbej të gjithë banorëve të Kolonjës. T’u shërbesh bashkëqytetarëve është një nder dhe përgjegjësi, ndaj unë me shumë dëshirë dhe optimizëm e prita këtë kandidim, duke besuar se me dëshirën dhe me përkushtimin që kam, do arrij të sjell ndryshimet e nevojshme në Kolonjë.
I njoh problemet që ka Kolonja dhe kam një plan konkret për zgjidhjen e tyre, i cili do nisë të funksionojë që në vitin e parë të drejtimit të bashkisë. Fushata po shkon shumë mirë, dhe mbështetja e banorëve është e jashtëzakonshme. Mbështetja e tyre më ka dhënë edhe më shumë kurajo dhe dëshirë për ta bërë më mirë detyrën që më pret.
-Siç e përmendët edhe ju, Kolonja ka disa problematika, cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Kolonjës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni ju?
Kolonja po haset me një sërë problemesh, kryesisht me mundësinë e punësimit, ekonomia, furnizimi me ujë të pijshëm, problemet në infrastrukturë, mundësi kualifikimesh dhe argëtimi për rininë, mungesa e zhvillimit të turizmit, dhe nevoja për një mbështetje më të madhe për bujqësinë dhe blegtorinë.
Pas 21 qershorit do ndërmerren një sërë hapash. Platforma ime për drejtimin e Bashkisë së Kolonjës bazohet mbi disa pika themelore. Së pari, sigurimi dhe përmirësimi i standardeve jetike të banorëve të të gjithë zonës si përshembull; sigurimi i ujit të pijshëm, sigurimi i një infrastrukture rrugore që lidh çdo zonë të Kolonjës me njëra-tjetrën. Së dyti, zhvillimi ekonomik i zonës. Brenda dy viteve të para do të gjenerojmë 500 vende pune përmes zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë, ndërtimit të infrastrukturës, turizmit malor dhe kulturor.
Së treti, prioriteti ynë është rinia. Do të ngrihen qendra të formimit profesional, bursa për rritjen e numrit të specialistëve, si edhe do ndërtojmë një qendër komplekse sportive.
Shtylla tjetër është Zhvillimi i një Turizmi të Qëndrueshëm. Kolonja është një zonë me një potencial shumë të madh turistik por që deri tani më tani nuk ka patur një strategji turistike dhe nuk ka arritur të përfitojë ekonomia e zonës nga ky sektor kaq i rëndësishëm dhe fitimprurës – Ne do e ndryshojmë këtë realitet.
Bashkia e re do ta ofrojë turizmin e zonës si një paketë për turistët vendas dhe të huaj e cila do të bazohet mbi agro-turizmin, turizmin historik, dhe atë malor.
Së fundmi, garantoj një drejtim me profesionalizëm dhe krijimin e një administrate model në shërbim të banorëve.
-Mendoni se keni pika të forta, të cilat mendoni se do ju garantojnë fitoren në këto zgjedhje?

Unë besoj se kam shumë pika të forta, jo vetëm nga aspekti personal, pasi kam një integritet profesional dhe menaxhues i mirë, por edhe nga mbështetja që kam nga Aleanca e Shqipërisë Europiane, e cila ka një filozofi europiane të punës, një vizion për të ndryshuar çdo zonë të vendit, përfshirë edhe Kolonjën.
Nga ana tjetër, unë hyj në këtë garë me një program konkret i cili ofron shumë zgjidhje për problematikat e deritanishme në Kolonjë, të cilat do e transformojnë dukshëm mbarë zonën dhe do rrisin ndjeshëm standardet e jetesës si për qytetarët ashtu edhe për fermerët dhe blegtorët e Kolonjës.
-Cilat do të jenë prioritetet tuaja në krye të kësaj bashkie?
Pikërisht problemet dhe sektorët që përmenda më lart, do të shndërrohen në prioritetet e mia për drejtimin e Bashkisë, të cilat mund të grupohen në pesë shtylla.
Së pari, hapi më imediat i punës është përmirësimi i standardeve jetike për gjithë zonën, si për shembull sigurimi i ujit të pijshëm, një infrastrukturë rrugore që lidh çdo zonë të bashkisë sonë me njëra-tjetrën dhe me rrugën nacionale, mjedisi, menaxhimi i mbetjeve etj.
Kolonja ka nevojë për një zhvillim ekonomik, potencialet për të cilin ekzistojnë dhe duhen shfrytëzuar: Bujqësia dhe blegtoria, ndërtimi i infrastrukturës, turizmi malor dhe kulturor. Do jemi një bashki e cila do të jetë garantuesja e çdo investimi që siguron punësim dhe zhvillim; Një bashki që do të jetë një ndërmjetëse efikase e çdo biznesi të zonës me autoritetet qendrore, etj.
Prioriteti ynë është edhe rinia. Bashkia e pas 21 Qershorit do të shërbejë si streha dhe promotorja e filozofisë europiane tek të rinjtë e Kolonjës! Do të ngrihen qendra të formimit profesional, bursa për rritjen e numrit të specialistëve, qendër sportive, do të rihapim kinemanë e Ersekës. Do jemi një bashki që do të sigurojë kushte të denja për rininë e sotme dhe të vendosë standarde për rininë e së ardhmes.
Shtylla tjetër është Zhvillimi i një Turizmi të Qendrueshëm. Kolonja është një zonë me një potencial shumë të madh turistik por që deri tani më tani nuk ka patur një strategji turistike dhe nuk ka arritur të përfitojë ekonomia e zonës.
Bashkia e re do ta ofrojë turizmin e zonës si një paketë për turistët vendas dhe të huaj e cila do të bazohet mbi agro-turizmin, turizmin historik, dhe atë malor.
Kolonja është Djepi i Rilindjes shqiptare. Si e tillë ne do të synojmë që me anë të ngritjes së monumenteve dhe restaurimit apo ndërtimit të muzeve dhe statujave të rilindasve të shquar të thithim vizitorë nga të gjithë shkollat e Shqipërisë në mënyrë që të zhvillojnë vizita edukative dhe kombëtare.
Së fundmi, unë ofroj një drejtim me profesionalizëm dhe krijimin e një administrate model në shërbim të banorëve. Do të zbatojmë një etikë pune të përpiktë dhe çdo zyrë e bashkisë do të jetë e hapur për çdo shërbim apo shqetësim të banorëve. Çdo vendim që prek drejtpërdrejt qytetarët nuk do të merret pa u konsultuar me ta në seanca konsultimi të rregullta. Bashkia do të jetë garantuesja dhe mbrojtësja e çdo banori. Katër vitet e ardhshme do e vërtetojnë këtë gjë, dhe vetë banorët e zonës do jenë dëshmitarë të drejtimit tim dhe ndryshimit në jetën e tyre.
-Të ndalemi pak tek turizmi malor dhe kulturor, që ju përmendët. Sepse zona e Kolonjës shquhet për një natyrë të rrallë.
Bashkia e re do ta ofrojë turizmin e zonës si një paketë për turistët vendas dhe të huaj e cila do të bazohet mbi agro-turizmin, turizmin historik, dhe atë malor. Në shërbim të turizmit do të ngrihen pika të informimit për vizitorët dhe turistët, në Leskovik, Ersekë, Shelegurë, dhe Radovë.
Rrethi i Kolonjës ka edhe një rrjet të zonave mbrojtura të cilat fatmirësisht janë në gjendje të mirë si p.sh: Banjat e avullit të Postenanit, Kanioni i Virkës, Shpella e Podes, Bokrimat e Piskalit, Ujëvara e Rehovës, Burimet termale të Vromonerit, Liqeni akullnajor Gramoz të cilat ne do t’i ofrojmë si pjesë e paketës turistike.
-Z.Malo, të gjithë kandidatët kërkojnë vota. Përse banorët e Kolonjës duhet t’ju votojnë ju në krye të Bashkisë së Kolonjës?
E pranova këtë përgjegjësi pasi besoj se t’i shërbesh Kolonjës me mendje dhe me zemër është privilegj. Të punosh për Kolonjën është një nder dhe përgjegjësi, ndaj unë do përfaqësoj denjësisht gjithësecilin prej banorëve të Kolonjës, banor i qytetit apo i fshatit, fermer apo bujk, arsimtar apo punëtor, i ri apo i moshuar, që ashtu si unë, i vlon zemra nga dëshira për të patur një Kolonjë më të mirë, që ëndërrojnë për një të ardhme më me shpresë për fëmijët e tyre, që të krenohemi me origjinën dhe bukurinë e Kolonjës sonë të mrekullueshme.
Banorët e Kolonjës po përballen me shumë vështirësi. Por, filozofia e re e punës së Aleancës për Shqipërinë Europiane ka dëshmuar se gjërat mund të ndryshojnë, ndaj edhe Kolonja mund të ndryshojë. Mund të nisim një fillim të ri, që të shohim dritë për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Kushtet e vështira e dy dekadave të fundit kanë detyruar të rinjtë dhe të vjetrit të largohen nga vendlindja e tyre. Por, banorët e Kolonjës mund ta krijojnë në Kolonjë mirëqenien e tyre, pa qenë nevoja të shohin tjetër kund brenda apo jashtë vendit. Gjithçka që na duhet të jetojmë më mirë e kemi në Kolonjë. Për të ecur në drejtimin e duhur mjafton vetëm të dimë si t’i mirëmenaxhojmë burimet e shumta natyrore, turistike dhe bujqësore që ne kemi. Mirëpres që Kolonja të më ngarkojë me përgjegjësinë për t’i shërbyer dhe së bashku do e ndryshojmë këtë realitet.

kolonja ashtu si e gjithe shqiperia do ndjeke drejtimin e duhur, per te vazhduar me projektet e nisura drejt zhvillimit, arbeni eshte i duhuri per te vazhduar ne rrugen e duhur