Gjyqtarë dhe prokurorë që kanë hyrë në sistem pa para dhe pa shtëpi, ndërsa po dalin me pallate, vila, makina të shtrenjta, biznese të kamufluara, lokale, magazina, resonte, llogari të majme bankare etj.
A do ndodhë kështu pas disa vitesh edhe me magjistratët e rinj? Vetingu i dyfishtë është parashikuar si masë mbrojtëse.
Vetingu i parë
Vetingu i parë kryhet para se kandidatët të pranohen në Shkollën e Magjistraturës, për formimin fillestar për prokuror apo gjyqtarë. Vetingu për pasurinë dhe figurën në këtë rast bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për kandidatët për gjyqtarë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për Kandidatët për prokurorë, shkruan shqiptarja.com. Pranë dy Këshillave, për secilin kandidat për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës duhet të paraqesin nga një raport Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, prokuroria, organet e administratës tatimore dhe doganore, Byroja Kombëtare e Hetimit, shërbimet shtetërore informative, si dhe çdo organ disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e punës së kandidatit.
Byroja Kombëtare e Hetimit do të verifikojë kandidatë për lidhjet e tyre të mundshme me krimin.
Në çdo rast, kandidati nuk pranohet në Shkollën e Magjistraturës kur raporti i ILDKPKI tregon që burimet financiare të kandidatit nuk justifikojnë pasuritë e tij dhe kur raportet e Byrosë Kombëtare të Hetimit ose Shërbimit Informativ Shtetëror tregojnë se kandidati ka lidhje me krimin e organizuar.
Vetingu i dytë
Vetingu i dytë kryhet pasi kandidati ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe para se të emërohet gjyqtar apo prokuror. Sërish Vetingu kryhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për kandidatët për gjyqtarë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Për secilin kandidat ILDKPKI paraqet një raport për ligjshmërinë e pasurisë, ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit dhe shërbimet shtetërore informative paraqesin një raport për figurën.
Në çdo rast, kur njëri nga raportet është negativ, kandidati nuk mund të emërohet magjistrat. Gjithashtu, edhe pas Vetingut të dyfishtë, gjatë ushtrimit të detyrës, llogaritë bankare të magjistratëve do të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme për çdo transaksion të dyshimtë.
o.j/dita
