Si do të dixhitalizohen 190 mijë hektarë tokë

redaktor

Mbingopja e tregut në sektorin e ndërtimit dhe në shumë sektorë të tjerë në 25 vitet e e një ekonomie të hapur, ka çuar vëmendjen e sipërmarrësve në një sektor tjetër më afatgjatë, atë të bujqësisë. Investimet në këtë sektor po marrin vëmendjen më të madhe gjatë dy viteve të fundit.

Por një ngërç që ende mbetet i pazgjidhur është çështja e pronës, duke kushtëzuar në një farë mënyre dhe investimet e huaja.

Dixhitalizimi i kadastrave po shihet si një zgjidhje finale me të cilën qeveria synon të shmangë pronësinë e dyfishtë dhe ndërrimin e destiancionit të tokës.

Në programin e reformave 2016-2018 qeveria ka shpallur miratimin e strategjisë për konsolidimin e tokës dhe përgatitjen e kuadrit ligjor për konsolidimin e tokës.

Gjatë vitit 2010, janë regjistruar rreth 3600 transaksione e tokës për një sipërfaqe prej 830 ha tokë bujqësore me një vlerë totale të regjistruar prej 37.8 milionë eurosh (4.4 euro/m2 ).

Projektet e konsolidimit të tokës do të kryhen paralelisht me planifikimin e infrastrukturës në aspektin e cilësisë së rrjetit rrugor dhe ujitjes, si pjesë e një qasjeje të integruar për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

Prioritet do t’u jepet rajoneve me bujqësi të zhvilluar dhe intensive ku parcela të vogla dhe të fragmentuara kufizojnë në mënyrë të konsiderueshme zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë si veprimtari primare në zonat rurale, dhe fermerët paraqesin interes.

Gjithashtu toka rrezikon të copëtohet edhe më tej nga trashëgimtarët.

Duke paraqitur këtë panoramë të situatës me tokën bujqësore qeveria lajmëron se tatimi mbi tokën bujqësore mund të konsiderohet si masë e mundshme për të korrigjuar procesin e të drejtave multitokësore, por nuk është paraparë në tri vitet e ardhshme.

Çfarë pritet të ndodhë?

Një nga ndikimet kryesore të rëndësishme të reformës së konsolidimit të tokës pritet të jetë rritja e produktivitetit të prodhimit bujqësor për shkak të ekonomive të shkallës, të krijuara si pasojë e rritjes së madhësisë së fermës.

Rritja e prodhimit bujqësor do të rrisë konkurrencën në tregjet vendase dhe të huaja për këto produkte gjë që do të ketë ndikim në rritjen e eksporteve si dhe uljen e deficitit tregtar.

Reforma konsolidimit të tokës është një kompleks masash dhe në radhë të parë të krijimit të bazës ligjore dhe rregullimin e duhur lidhur fort me formalizimin e fermave bujqësore, si dhe aktivitetit të tyre ekonomik, që do të thotë rritje e aksesit në subvencione dhe kredi rurale nga fermerët dhe agrobizneset.

Përveç kësaj, do të rrisë investimet në bujqësi dhe zhvillimin e tregut formal të tokës. Përfitime të tjera të reformës së konsolidimit të tokës do të jenë rritja e mekanizimit të bujqësisë që do të thotë rritje e vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i cilësisë së jetës në zonat rurale.

Përfitime të tjera do të vijnë nga rritja e ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve të të gjithë aktorëve të përfshirë në çështjet gjinore që lidhen me konsolidimin e tokës./DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *