Drejtoi i ri Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, Bedri Blloshmi, në intervistën për gazetën ‘DITA’ tregon mashtrimin që i është bërë kësaj shtrese nga qeveria e mëparshme dhe zhgënjimin e ish-bashkëvuajtësve të tij nga Berisha. Ku kanë shkuar fondet e qeverisë së mëparshme për ish-të Përndjekurit, rasti i Hysen Shoshorit dhe cilat kategori të kësaj shtrese do të trajtohen me përparësi nga fondi prej 18 milionë dollarësh i qeverisë “Rama”…
Zoti Blloshmi, duke ju uruar suksese për detyrën, mund të na tregoni se si e gjetët situatën në këtë institucion kur morët drejtimin e Institutit?
Ju faleminderit për intervistën dhe interesimin që tregon gazeta ‘DITA’ për shtresën e ish-të Përndjekurve Politikë. Kur vajta në këtë institut, i emëruar nga Kryeministri Edi Rama, në detyrën e drejtorit, mund të them se gjeta një gjendje skandaloze, vetëm institut nuk mund të quhej ai. Vetëm pamjet konkrete të asaj çfarë gjeta aty tregonte se me çfarë serioziteti ishte punuar dhe si e kishte trajtuar shtresën tonë qeveria e mëparshme. Vetë gjendja e asaj godine dhe e zyrave fliste për një injorim total të ish-të përndjekurve nga qeveria e Berishës, së cilës kjo shtresë i kishte besuar dhe i kishte dhënë votën për 23 vjet me radhë. Mjafton të them se fondet ishin dhënë për rikonstruksionin e krejt godinës, ndërsa ishte rregulluar vetëm gjysma e saj. Kati i dytë ishte në gjendje skandaloze. Prandaj unë iu drejtova ministrit Erion Veliaj. Takimin e bëra me zv/ministren Gentiana Sula, ndërsa zoti Veliaj erdhi vetë dhe e pa gjendjen në vend. Atë ditë i thashë ministrit se përsa i përket pastërtisë dhe rregullit, kam qenë më mirë në burg se sa këtu. Ministri më dha të drejtë. Kështu filloi menjëherë puna për rikonstruksionin dhe brenda disa javësh unë mund të them se kemi një situatë krejt tjetër. Pas disa ditësh do të mbarojë gjithë rikonstruksioni dhe shumë shpejt do ta përurojmë me pjesëmarrjen edhe të Kryeministrit Edi Rama.
Sidoqoftë, le të kthehemi konkretisht tek trajtimi i ish-të përndjekurve politikë. Me sa kini parë deri më tani, sipas dokumenteve që ju kini shqyrtuar, si janë trajtuar ish-të përndjekurit nën qeverisjen e mëparshme?
Fakti që ish-të përndjekurit janë të zhgënjyerit e mëdhenj të qeverisë Berisha nuk përbën asnjë sekret. Ky është realiteti. Ata janë mashtruar sistematikisht dhe brutalisht nga Berisha për 23 vjet me radhë. Unë mendoj se ky zhgënjim ka luajtur një rol të konsiderueshëm në votën e 23 qershorit që largoi nga pushteti Berishën dhe partinë e tij. Të jeni të sigurt se pjesa dërrmuese e ish-të përndjekurve kanë votuar kundër qeverisjes Berisha. Ligjet e miratuara nga qeveria e tij për trajtimin dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve kanë qenë gjysmake dhe nuk janë zbatuar asnjëherë. Në radhë të parë në ato ligje nuk ka një afat se kur do të mbarojë trajtimi i këtyre të përndjekurve. Pra, po të vazhdonte të ishte në pushtet Berisha, dëmshpërblimi mund të mbaronte pas 300 a 1000 vjetëve. Prandaj dhe nga shtresa e të përndjekurve pati aq shumë zhgënjim, aq shumë zemërim, deri në vetëflijim, sikurse ishte greva e urisë e ish-të përndjekurve kur u dogj Lirak Bejko. Ja, kjo ishte fytyra e atij regjimi.
Zoti Blloshmi, Qeveria e re ka akorduar një fond prej 18 milionë dollarësh për dëmshpërblimet e shtresës suaj. Si po punohet për shpërndarjen e këtij fondi?
Në kemi filluar nga puna duke evidentuar rastet më urgjente. Në radhë të parë do të trajtohen ata që janë të sëmurë rëndë dhe që kanë nevojë urgjente. Ky është një numër deri diku i kufizuar, 40-50 persona gjithsej. Pastaj do të shikohen ish-të përndjekurit më të moshuar, duke vendosur një kufi, për shembull ata mbi 75 vjeç. Prandaj dhe ne i kemi vendosur këto dy kategori në prioritetet tona. Po ju sjell një shembull: U nda nga jeta para disa ditësh i ndjeri Hysen Shoshori. Unë si Institut nuk kisha as 100 mijë lekë të vjetra që t’i gjendesha dhe ta ndihmoja këtë bashkëvuajtës të kurohej. Rasti i Hysen Shoshorit na ka vënë seriozisht në mendime dhe na ka bërë të reflektojmë thellë. Ne duhet të nxitojmë, sa më shumë të nxitojmë në ndihmën që i duhet dhënë kësaj kategorie brenda shtresës sonë. Ai ishte i sëmurë dhe kishte nevojë të kurohej. Ne nuk ia dhamë dot këtë ndihmë. Kjo është e pafalshme dhe nuk duhet të përsëritet në të ardhmen. Ne nuk duam që të pendohemi apo të na vrasë ndërgjegja nesër, pse nuk bëmë këtë dhe atë. Sepse ka edhe raste të tjera të kësaj natyre, për të cilat ne duhet të bëjmë të pamundurën t’i ndihmojmë. Ja kjo është gjendja. Sidoqoftë ne jemi në fazën e verifikimit një për një të dosjeve për secilin person.
Si e kini gjetur gjendjen e dosjeve?
Në gjendjen më të keqe të mundshme. Kemi ngritur një grup punë për risistemimin e tyre. Janë rreth 2 mijë dosje që duhen studiuar e rishikuar. Në ato dosje ka mangësi dhe duhen trajtuar me kujdes një për një, në mënyrë që të mos i hahet haku asnjë ish-të burgosuri. Fjala vjen, ne kemi kërkuar të rishikohet neni për terrorin. Sepse janë dënuar një kategori njerëzish kot fare, duke qenë në burg janë ridënuar për akte terroriste me ligjet asaj kohe. Mirëpo, shtrohet pyetja e thjeshtë: Si mund të bëje akte terroriste duke qenë në burg, dhe sidomos në burgjet asaj kohe? Kjo duhet rishikuar me doemos se nuk qëndron. Ne e kemi kërkuar këtë. Mirëpo kjo duhet verifikuar rast pas rasti.
A ka pasur abuzime me dëmshpërblimet në të kaluarën?
Po. Për këtë çështje unë kam biseduar me ministrin Veliaj. Kemi gjetur raste kur personave të veçantë u ka dalë emri në gazetë për këstin e parë, por këtë këst nuk e kanë marrë. Prandaj kam kërkuar që nga fondi prej 18 milionësh që na është akorduar këta persona të trajtohen me përparësi. Po kështu me përparësi do të trajtohen më të moshuarit e shtresës sonë.
Kur pritet të fillojë shpërndarja e këtij fondi?
Sa më shpejt të jetë e mundur. Unë u thashë se jemi në fazën e studimit të dosjeve dhe hartimit të listave. Nuk ka asnjë arsye tjetër për të vonuar shpërndarjen e dëmshpërblimeve. Me grupet e punës që janë ngritur, ne do të përcaktojmë afate konkrete të dhënies së dëmshpërblimeve dhe do të luftojmë që ato të respektohen rigorozisht.
Duke pasur parasysh faktin se ish-të përndjekurit politikë janë një elektorat i djathtë, si ndihen ata tani që në pushtet është një qeveri e majtë?
Absolutisht më mirë dhe më qetë. Ata kanë besim te kjo qeveri. Pse e them këtë? Sepse ne kemi pritur 23 vjet nga Berisha dhe ai nuk bëri asgjë për shtresën tonë. Ai është tallur në mënyrë të paskrupullt me ne, na ka fyer, na ka mashtruar, na ka rrahur dhe për asnjë moment nuk mendoi dhe nuk punoi për ne. Vetë Berisha ishte dhe ka mbetur një komunist fanatik dhe i pashpirt. Nën qeverinë e tij ndodhi që, si në asnjë vend tjetër ish-komunist, të përndjekurit t’i vënë flakën vetes dhe të vetëflijohen. Kjo njollë turpi nuk ka për t’iu shqitur asnjëherë Sali Berishës dhe partisë së tij. Prandaj kurrsesi nuk mund dhe nuk do të mashtrohemi nga Berisha dhe partia e tij. Çfarë faktesh mund të presim më prej tij. Ndërsa premtimet dhe predispozitat e qeverisë së re janë shumë pozitive. Ne nuk kemi asnjë paragjykim për qeverinë e re, ne do ta masim vlerën e saj me kontributin që do të japë për trajtimin sa më mirë të shtresës sonë. Megjithatë, puna dhe faktet do të tregojnë në të ardhmen. Unë për vete jam optimist.

Rrespekte per z Blloshmi !
Vleresimi dhe nderimi qe i ben populli shtreses se vet te perndjekur mund te cohet ne vend me njeres te ndershem e te devotshem si ju.
Urime edhe per detyren e re!
z.Blloshmi, ju lumte qe nuk keni thene nje fjale te vetme kunder ish-Deputetes majte Djana Culi e cila me denoncimin kunder vellait tuaj Vilsonit dhe Lekes i coi ata drejt pushkatimit. Por keni folur mjaft per mos kompensimet ne para te qeverise meparshme. Per kete qendrim te virtytshem e parimor qeveria Rama te besoi detyren e Drejtorit te Institutit. Ju lumte , zoteri, ish-te perndjekurit, kane rast te krenohen me moralin tuaj te larte.
Prit gomar sa te dalin bare.Ku mendon se ata qe ju pushkatuan ju burgosen ju internuan se do kujdesen per ju.A ishin ne pushtet ish komunistet per 8 vjet,me thuaj sa lek ju dhan per dy qeverisje.Kur ishin ne apozit u nxiten te hyni ne greve urije bile ju cuan edhe benzin dhe dy u vetdogjen.
Zoti Bedri eshte e pafalshme per ju te dhoni ishin si burg,megjithat ti ke rene me koke poshte .
Bedriu mbetet njeriu me i lig dhe poshter qe kam pare deri me sote. http://www.youtube.com/watch?v=CxK6e4U88OM