Në cilën fazë është Gjykata e Lartë dhe cili është roli i Presidentit

Ornela

Ardian Dvorani dhe Vitore Tusha janë anëtarët e vetëm të Gjykatës së Lartës dhe Gjykatës Kushtuese, të cilët i ‘mbijetuan ‘Vetingut’.

Që të dyve u ka përfunduar mandati prej disa vitesh, por sipas ligjeve respektive mund të qëndrojnë në detyrë pa limit, deri kur të zëvendësohen.

Por ndërsa Gjykata Kushtetuese teorikisht ka sot 5 anëtarë nga 9 në total, në Gjykatën e Lartë ka mbetur vetëm Ardian Dvorani.

Po si do të zgjidhen anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë dhe në çfarë faze është ky proces?

Procedura e emërimit është parashikuar e gjitha në Kushtetutën e ndryshuar në vitin 2016.

Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 anëtarë. Sipas nenin 136 të Kushtetutës, ata emërohen nga Presidenti, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.

Presidenti, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë.

Nëse Presidenti nuk shprehet brenda 10 ditëve nga marrja e propozimit nga KLGJ kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Por edhe nëse Presidenti vendos të mos e emërojë një kandidat, dekreti i tij e për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Sa i takon kritereve, Gjyqtari i Gjykatës së Lartë zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me të paktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit.

Një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet gjithsesi mes juristëve me jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shpallur prej disa muajsh fillimin e procedurës së përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve nga radhët e juristëve.

Në shator të këtij viti, KLGJ vendosi skualifikimin e 14 kandidatëve për në vendet vakante të Gjykatës së Lartë, pasi nuk plotësonin kriteret formale, që përfshijnë shkollimin dhe vjetërsinë në punë.

Ata ishin Sergjo Mazreku, Ndue Pjetra, Ergys Misha, Aldona Sylaj, Jordan Daci, Lindita Troja, Alma Loci, Hermina Albunesa, Agron Lamaj, Irena Nino, Vjosa Bodo Mujo, Shaqir Hasanaj, Anton Lleshaj dhe Altin Binaj.

Në muaji tetor u skualifikua nga gara edhe ish-prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku.

Ndërkaq, kanë kaluar me sukses kriteret ligjore dhe janë lejuar për të vijuar garën kandidatët në radhët e juristëve të spikatur Ervin Pupe, Ilir Panda dhe Sokol Sadushi.

Me miratimin e reformës në drejtësi, ku përfshihen ndryshimet Kushtetuese si dhe 7 ligjet kryesore, Gjykata e Lartë organizohet në Kolegjin Civil, Kolegjin Penal dhe Kolegjin Administrativ.

Kolegji Civil shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm për çështje tregtare, civile dhe familjare, si dhe çështje të tjera të caktuara në kompetencë me ligj.

Ai gjykon në trupa gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

Kolegji Administrativ shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave administrative.

Kolegji Penal shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm dhe gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pra Kolegji Penal do të shqyrtojë edhe rekurset e politikanëve, të cilët do të dënohen nga shkallët e tjera të gjykimit.

Kolegji Penal gjykon zakonisht me tre anëtarë, ndërsa rekurset kundër vendimeve të Gjykatës Speciale, e cila shqyrton dosjet e SPAK-ut, do të gjykohen nga një trup gjykues i përbërë nga pesë gjyqtarë.

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *