Si duhen trajtuar dhimbjet ciklike të gjirit?

Pranvera Kola
American doctor talking to woman in surgery

 

Dhimbjet e gjirit janë një problematikë shëndetësore mjaft e shpeshtë tek pjesa dërrmuese e grave. Janë një sërë faktorësh që mund të ndikojnë në dhimbjet e gjirit, të cilat klasifikohen nga stadet më të lehta, e deri tek ato më të rënduarat që kanë nevojë për trajtim të specializuar mjekësor.

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon për lexuesit e “Dita”, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e dhimbjeve të gjirit (që në gjuhen mjekësore njihen ndryshe si Mastalgji), shenjat dalluese, si dhe masat që duhet të merren për lehtësimin dhe parandalimin e tyre.

Çfarë duhet të kuptojmë me mastalgji?
Mastalgjia është dhimbje e gjirit dhe përgjithësisht klasifikohet si mastalgji ciklike (e lidhur kjo me periudhën e cikleve menstruale) dhe mastalgji jociklike, e cila nuk ka lidhje me ciklet menstruale dhe mund të vijë nga gjiri, ose mund të vijë nga diku tjetër si për shembull muskujt, apo nyjet limfatike të afërta dhe dhimbja të perceptohet ne gji.

Dhimbja e perceptuar mund të jetë që nga siklete dhe parehatira të vogla, e deri në dhimbje të forta që nuk lejojnë as kontakte të vogla. Mastalgjia mendohet sipas studimeve të kohëve të fundit të jetë e pranueshme në rreth 70 për qind të grave dhe është më e pranishme midis moshës 30 dhe 50 vjeç.

Në shumicën e rasteve gratë që perceptojnë dhimbje të shpeshta të gjirit kanë frikë se mund të vuajnë nga kanceri i gjirit. Por dhimbja e gjirit nuk duhet të mendohet që në fillim si simptomë e mundshme e kancerit të gjirit. Ajo konsiderohet një fenomen i rrallë si prezente në format më të hershme të kancerit të gjirit dhe prek një përqindje shumë të vogël të grave.

Çfarë është dhimbja ciklike e gjirit?
Siç e theksova dhe pak më lart, lloji më i zakonshëm i dhimbjes së gjirit lidhet me ciklin menstrual dhe është gati gjithmonë me natyrë hormonale. Tek shumica e grave dhimbjet e gjirit fillojnë që në kohën e ovulacionit (mesi i ciklit kur veza piqet në vezore, del jashtë saj dhe është e gatshme për fekondim) dhe vazhdon deri në fillimin e ciklit menstrual (fillimi i gjakderdhjes).

Woman In Pain

Gjatë kësaj periudhe ndryshimet hormonale janë të forta dhe në përgjithësi dhimbja përcaktohet tek të dy gjinjtë, por mund të perceptohet edhe në njërin gji, por edhe si një rrezatim në pjesën e poshtme të krahut dhe të sqetullës. Me fillimin e ciklit menstrual dhimbjet zhduken për të filluar përsëri në ciklin pasardhës.

Megjithatë, ky nuk është një rregull i prerë. Nuk është e thënë që gratë të përjetojnë dhimbje të gjoksit në çdo cikël menstrual, pasi edhe ndryshimet hormonale mund të jenë të ndryshme në periudha të ndryshme të jetës së femrës. Disa studime kanë gjetur nivele më të larta të hormonit progresteron se sa të estrogjenit në periudhën e dytë të ciklit menstrual (pas ovulacionit) që mund të ndikojë në dhimbjet ciklike të gjirit.

Po stresi a ndikon?
Dhimbja e gjirit mund të rrisë, ose të ndryshojë modelin e saj me ndryshimet e hormoneve që ndodhin gjatë kohës së stresit. Pra edhe stresi luan një rol të madh në dhimbjet e gjirit. Por hormonet, gjithashtu nuk mund të jenë përgjegjëse totalisht për mastalgjitë.

Shumë studiues mendojnë se përgjigja mund të jetë një kombinim i aktivitetit hormonal dhe specifikës individuale të gjirit që i përgjigjët këtij aktiviteti. Kjo shpjegon dhe faktin që shpeshherë dhimbja është më e rëndë në njërin gji se sa në tjetrin.

Si trajtohen dhimbjet ciklike të gjirit?
Trajtimi për këto lloj dhimbjesh varet në çdo rast nga simptomat, mosha, por edhe nga situata e përgjithshme individuale shëndetësore. Po ashtu duhet të dimë se varet edhe nga sa e rëndë është gjendja.

Në jo pak raste aplikohen trajtime hormonale qofshin këto bllokues të hormoneve, apo shtesa hormonale, gjë e cila përcaktohet në bazë të ekzaminimeve specifike. Duhet theksuar se terapia hormonale mund të ketë edhe efekte anësore. Prandaj është e rëndësishme të theksohet se rreziqet dhe përfitimet e trajtimeve hormonale duhet të diskutohen me mjekët specialistë.

Natyrisht që fillimisht duhet të drejtohemi tek mjeku i familjes i cili bën vlerësimin e parë të situatës dhe jep orientimin e duhur. Ndërsa në rastin e dhimbjeve ciklike të gjoksit rekomandohet kufizimi i kafeinës (kafe, coca-cola), ushqyerja me një dietë të varfër yndyrore, si edhe përdorimi i vitaminës E.

Po për dhimbjet jociklike të gjirit çfarë mund të themi?
Dhimbjet jo ciklike të gjirit nuk janë shumë të shpeshta dhe tipike e tyre është se nuk ndryshojnë me ciklin menstrual. Në përgjithësi dhimbja është e pranishme gjatë gjithë kohës dhe në një zonë të përcaktuar.

Nga se shkaktohet dhimbja jociklike e gjirit?
Një ndër shkaqet më të shpeshta të këtyre dhimbjeve është mastiti (infeksioni, grumbullimi i qelbit brenda gjirit), i cili është më shpesh i pranishëm tek nënat që janë duke ushqyer fëmijët me gji, por edhe në raste të tjera jashtë kësaj periudhe. Shkaktarët zakonisht janë bakteret e ndryshme, ose edhe mykrat mund të shkaktojnë mastike pas përdorimit të antibiotikëve.

Mastiti zakonisht shkakton ethe, temperaturë, dhimbje, ënjtje dhe skuqje të gjirit. Këto dhimbje mund të vijnë edhe nga probleme muskulore dhe skeletore të zonës përreth.

Lëndimet e qafës dhe të dërrasës së kraharorit mund të rezultojnë gjithashtu me dhimbje të gjoksit. Përveç kësaj, një sëmundje inflamatore e skeletit e njohur, si spondiliti ankilozant (prek moshat 20-30 vjeç) mund të përfshijë murin e kraharorit dhe të shkaktojë dhimbjet e gjoksit.

Po faktorë të tjerë ndikojnë?
Tek dhimbjet e gjoksit duhen pasur parasysh edhe problemet kardiovaskulare (të zemrës dhe enëve të gjakut) dhe që kërkojnë trajtime të shpejta. Zakonisht këta janë individë që vuajnë nga probleme kronike të zemrës.

Po ashtu probleme të aparatit tretës (ulcerat e stomakut, probleme të tëmthit), pankreatiti (infeksioni pankreasit) mund të shkaktojnë dhimbje gjoksi dhe të gabohet në diagnozën diferenciale. Pra diagnoza diferenciale në dhimbjet e gjoksit është shumë e rëndësishme. Prandaj dhimbjet e gjoksit duhet të trajtohen me shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm. Në varësi të shkakut të dhimbjeve do të bëhet edhe trajtimi i këtyre dhimbjeve.

Duhet të theksoj se marrja e qetësuesve nëpër farmaci pa rekomandim nuk është një zgjidhje në lehtësimin e dhimbjeve. Në çdo rast duhet të merrni më parë rekomandimin e mjekut specialist dhe më pas të veproni me përdorimin e barnave apo trajtimeve të tjera specifike./ DITA

 

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *