Si duhen trajtuar infeksionet mykotike të lëkurës

Ornela

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili: Këto infeksione janë ngjitëse dhe mund të kalojnë nga personi në person nëpërmjet kontaktit me zonat e lëkurës së infektuar, ose duke shkëmbyer veshjet, apo sendet e kujdesit personal, siç janë: krehri, makinat dhe furçat e rrojës, gërshërët, etj

Pranvera Kola – DITA

Ndër shqetësimet më të shpeshta që shfaqen gjatë kësaj stine pothuajse tek të gjitha grupmoshat janë edhe infeksionet mykotike të lëkurës, të cilat kërkojnë kujdes të veçantë në trajtim. Kjo për shkak të rrezikshmërisë që ato mbartin, pasi janë ngjitëse.

Ndaj duhet të bëhet shumë kujdes me higjienën gjatë frekuentimit të pishinave, plazheve, si dhe ambienteve të tjera të ngjashme, të cilat favorizojnë përhapjen e këtyre infeksioneve. Për shkak të imunitetit më të dobët, fëmijët rezultojnë të jenë ndër kategoritë më të rrezikuara për t’u prekur nga këto lloje infeksionesh.

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, ndalet në detajimin e llojeve më të shpeshta të këtyre infeksioneve të lëkurës, si dhe këshillave që duhet të ndiqen për të shmangur ndërlikimet që mund të vijnë prej tyre.

Sa të shpeshta janë infeksionet mykotike dhe nga se shkaktohen?

Infeksionet mykotike janë mjaft të shpeshta në praktikën tonë mjekësore, veçanërisht në stinën e nxehtë të verës.

Termi mjekësor për këto infeksione është “Tinea”, pastaj në varësi të zonës së prekur të trupit kemi emërtimet përkatëse, si për shembull “Tinea capitis” që i referohet infeksionit mykotik të zonës së kokës, “Tinea corporis” që i referohet zonës së trupit, “Tinea pedis” që i referohet zonës së këmbëve, e kështu me radhë me pjesët e tjera të prekura.

Agjentët shkaktarë të këtyre infeksioneve quhen “dermatophyte”, që do të thotë “kërpudha e lëkurës”. Këto kërpudha mund të jetojnë vetëm në shtresat e vdekura të lëkurës. Ato rrallëherë mund të hyjnë thellë në trup dhe nuk mund të jetojnë në mukozë, siç janë ato që zhvillohen në gojë, ose në vaginë.

Kush rrezikon më tepër për t’u prekur nga këto infeksione, si dhe a janë ngjitëse?

Infeksionet mykotike të lëkurës prekin njerëzit e të gjitha moshave, por në mënyrë të veçantë fëmijët. Më shpesh ndodh në vendet me klimë të ngrohtë e me lagështi.

Këto infeksione janë ngjitëse dhe mund të kalojnë nga personi në person nëpërmjet kontaktit me zonat e lëkurës së infektuar, ose duke shkëmbyer veshjet, apo sendet e kujdesit personal (krehrin, makinat dhe furçat e rrojës, gërshërët, etj). Infeksioni mund të prekë dhe kafshët shtëpiake, të cilat mund ta transmetojnë atë më pas edhe tek njerëzit.

Pra faktori më i madh i rrezikut është kontakti me individët e prekur. Zonat e ngrohta e me lagështi krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e kërpudhave. Si vende të tilla, mund të përmendim dushet publike, pishinat, dollapet e përbashkëta të rrobave. Pra, çdo kontakt me një person të infektuar, ose zonë të infektuar shërben si burim infeksioni.

Në çfarë formash klinike prezantohen më shpesh këto lloje infeksionesh?

“Tinea capitis” është forma që prek më shpesh fëmijët, kryesisht në fëmijërinë e vonë, si dhe adoleshentët. Për shkak të karakterit ngjitës, sëmundja në këto raste mund të bëhet problematike pasi mund të përhapet lehtësisht edhe në shkolla.

Shfaqet në formën e njollave të kuqe, që kruhen në zonën e kokës (kryesisht në kufi me qafën) dhe që nuk shkaktojnë rënien e flokëve. Forma tjetër është “Tinea barbae”, që prek zonën e mjekrës së fytyrës dhe të qafës, dhe shoqërohet me edema (ënjtje) në këto zona, kruajtje dhe skuqje. Shfaqet mjaft shpesh kur shkohet te berberi nëse pajisjet qe përdoren nuk janë të dezinfektuara.

Forma më klasike dhe mjaft e shpeshtë që ndeshim në praktikën e përditshme ambulatore është “Tinea corporis”, pra që shprehet në gjithë sipërfaqen e trupit. Klinikisht kemi shfaqjen e njollave të kuqe në formën e unazës, të dalluara qartë nga lëkura e shëndoshë.

Është e rëndësishme që të bëhet saktë diagnoza diferenciale me patologjitë e tjera të lëkurës, në mënyrë të veçantë me format e ndryshme të ekzemës. Mjaft e vështirë në diferencim është edhe “Tinea Cruris”, e cila përfshin këmbët dhe kofshët. Kjo, pasi patologji të ndryshme të lëkurës që prekin këtë zonë, imitojnë njëra-tjetrën, si për shembull “intertigo”, “psoriasis”, apo edhe skuqje dhe acarim që rezulton nga fërkimi i pjesëve të ndryshme të lëkurës me njëra-tjetrën.

Karakteristikë klinike e këtyre unazave të kuqe që formohen në lëkurë është rrudhja e lëkurës në këto zona dhe luspëzimi i tyre. Në rastin kur përfshin pëllëmbët e duarve, ose shputat e këmbëve, zakonisht kemi trashje të lëkurës (hyperkeratozis). “Tenea pedis” është një çrregullim jashtëzakonisht i shprehur i lëkurës së këmbëve dhe është i rrallë para adoleshencës.

Kjo është e njohur shpesh edhe me emrin “këmba e atletit”. Në këtë rast kemi përshkallëzim në rritje të infeksionit mykotik,të shoqëruar me kruajtje (pruritus) acaruese në faqet e gishtërinjve të këmbës. Kjo vjen sidomos kur përdorimi për periudha të gjata kohore atlete, të cilat sigurojnë një ambient të ngrohtë e të lagësht, terren ky i përshtatshëm për zhvillimin e infeksioneve mykotike.

Këto lloje infeksionesh mund të prekin jo rrallë edhe thonjtë, duke i bërë ata të fortë dhe pastaj lehtësisht të shkërmoqshëm. Këto njihen me emrin mjekësor “onykomykoza”.

Si vendoset diagnoza?

Shpesh diagnoza është mjaft e qartë me prezantimin klinik që janë njollat e kuqe në formë unaze, rrethuar nga zona në forma luspash dhe shoqëruar me kruajtjen e shprehur. Por ekzaminime mikrobiologjike të materialit nga lëkura e prekur, konfirmojnë diagnozën.

Natyrisht që ndihmojnë dhe analiza të ndryshme biokimike të gjakut për diferencimin e diagnozës. Megjithatë, ekzaminimi kryesor është ai i lëkurës së prekur nga infeksioni mykotik.

Si duhen trajtuar infeksionet mykotike?
Lidhur me trajtimin, është shumë e rëndësishme të dihet që infeksionet mykotike trajtohen për periudha të gjata kohore dhe kërkojnë mjaft durim deri në marrjen e rezultateve të duhura shëruese. Mjekimi konsiston në luftimin e shkaktarit, gjë e cila arrihet nëpërmjet preparateve antimykotike të përgjithshme, pra që merren nga goja dhe të preparateve antimykotike lokale që aplikohen mbi zonën e prekur në formën e pomadave dhe të solucioneve.

Mjaft i rëndësishëm është edhe mjekimi simptomatik, i cili synon të pakësojë shenjat e kruajtjes dhe të skuqjes që shfaqen në lëkurë. Terapia zgjat zakonisht tre muaj dhe ndiqet nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve specialistë (dermatologë dhe infeksionistë), si dhe të mjekëve të familjes, sipas protokolleve të caktuara mjekësore.

Janë edhe një sërë këshillash të tjera praktike në lidhje me stilin e jetesës dhe higjienën e përditshme personale, të cilat ndihmojnë në parandalimin e këtyre infeksioneve, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit. Në përgjithësi trajtimi i këtyre infeksioneve ka ecuri të mirë, teksa ndërlikimet që shkaktojnë mund të jenë të rralla.

 

Këshillat se si mund të parandalohen

  • Studimet tregojnë se minimizimi i djersës dhe i lagështisë mund të ndihmojë në parandalimin e infeksioneve mykotike. Kujdes duhet treguar për zonën e sqetullave, rrëzës së kofshëve, apo poshtë gjoksit (për gratë). Këto zona duhen larë shpesh dhe tharë vazhdimisht me peshqirë të pastër dhe të hekurosur.
  • Kujdes duhet treguar edhe me sendet personale, siç janë veshjet, këpucët, pandoflat, sandalet, të cilat nuk duhet të shkëmbehen me të tjerët.
  • Mbani veshur gjithmonë çorape pambuku, që thithin djersën e këmbëve dhe këpucë, apo atlete që lejojnë ajrosjen e këmbëve.
  • Para dhe pas pishinave bëni gjithmonë dush dhe përdorni peshqirë personalë.
  • Lani gjithmonë duart me ujë të rrjedhshëm dhe me sapun pasi prekni kafshët shtëpiake.
  • Ecuria e trajtimit të infeksioneve mykotike në përgjithësi është e mirë. Megjithatë, jo rrallë ato kronicizohen dhe paraqesin rezistencë ndaj mjekimit.

Ndërlikimet

Komplikacionet janë të rralla dhe mund të përfshijnë një infeksion bakterial dytësor të lëkurës, ose një infeksion të gjeneralizuar mykotik po të lëkurës. Këto janë jashtëzakonisht të rralla dhe mund të ndodhin në individë me sistem imunitar të kompromentuar (personat që vuajnë nga sëmundje malinje, që trajtohen me kimio dhe radioterapi, ata që vuajnë nga SIDA, apo edhe ata që trajtohen gjatë me preparate kortizonike).

Si të mbrohemi nga infeksionet e lëkurës në plazh dhe pishina

Këshillat përkojnë me shmangien sa më shumë që të jetë e mundur të mikrobeve patogjene që shkaktojnë këto infeksione të lëkurës gjatë frekuentimit të plazhit, siç mund të jenë stafilokoku, streptokoku, si dhe funget që mund të hasen kryesisht në rërën e ndotur, në ujin e pishinave dhe detin e ndotur, në shezlong, etj.

Së pari, rreziku qëndron në faktin se janë infeksione ngjitëse. Ato mund të transmetohen lehtë nëse nuk respektohen kushtet higjieno-sanitare, të tilla si përdorimi i të njëjtin peshqir, përdorimi i veshjeve personale dhe shapkave e sandaleve personale, etj, dhe sigurisht nëse këta shkaktarë patogjene gjejnë terren të përshtatshëm për t’u shfaqur. Veç kësaj, mund të ndodhë që sëmundja të përhapët në trup dhe të japë komplikacione që kërkojnë trajtim më të gjatë dhe shenjat të bëhen më të rënda. Kështu, rekomandohet të përdoren peshqirë personalë në mënyrë që të shmanget kontakti i drejtpërdrejt i rërës  së dhe shezhlongeve me lëkuren.

Peshqirët është mirë që të lahen çdo dite pas frekuentimit të plazhit. Rekomandohet që sapo të dilni nga uji i detit apo i pishinave, të shpërlani menjëherë trupin me ujë të pastër, të ëmbël dhe veçanërisht në shtëpi të aplikohet larja e trupit me sapun, ose shampo trupi, pra jo vetëm ujë i rrjedhshëm. Pasi ekspozimi për një kohë të gjatë dhe i papërshtatshëm ndaj agjenteve shkaktare shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre sëmundjeve të lëkurës.

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *