A mund të vizitoj dentistin? Kjo është një ndër pyetjet e shpeshta të shfaqura nga qytetarët gjatë ditëve të qëndrimit në karantinë. Por, pavarësisht kësaj, ekspertët e shëndetit publik sqarojnë se klinikat dentare do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura deri në kalimin e situatës së emergjencës të shkaktuar nga shpërthimi epidemik i Covid-19.
Për rastet kur qytetarët kanë emergjenca të kësaj natyre duhet që të drejtohen pranë urgjencës spitalore. “Jo. Për fat të keq, klinikat dentare do të mbeten të mbyllura deri në një urdhër të dytë. Rastet e urgjencave stomatologjike do të trajtohen në klinikën stomatologjike Universitare pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në institucionet stomatologjike publike që do të funksionojnë vetëm për shërbimin e urgjencës stomatologjike”, bëjnë me dije autoritetet e dikasterit të Shëndetësisë, sa i takon këtyre shqetësimeve.
Po të njëjtat burime sqarojnë se do të lejohet shoqërimi i një individi të sëmurë nga vetëm një familjar i tij, pavarësisht orarit të karantinës. Ndërkohë që marrja e familjarëve të tjerë pa arsye në automjet është e ndaluar dhe në rast se konstatohet një gjë e tillë do të aplikohen penalitetet përkatëse. Ndërsa për punë, përdorimi i automjetit, brenda fashës orare të përcaktuar do të lejohet me vetëm një destinacion, punë-shtëpi.
p.k\Dita
