Pranvera Kola – DITA
Një ndër shqetësimet më të shpeshta të lëkurës që shfaqet gjatë stinës së nxehtë është edhe skuqja e saj, e cila në gjuhën mjekësore njihet edhe si: “rashi i të nxehtit”. Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, thekson se janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e kësaj gjendjeje, prej të cilës rrezikojnë të gjitha grupmoshat. Sipas saj kujdes maksimal duhet që të tregojmë për bebet, obezët, dhe personat me aftësi të kufizuara, tek të cilët kjo problematikë mund të jetë edhe më e shpeshtë. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara format se si shfaqet rashi i të nxehtit, si dhe masat që duhet të merrni për ta trajtuar në kohë.
Po çfarë është “rashi” i të nxehtit?
Lëkura, e cila mbulon gjithë sipërfaqen e trupit tonë ka për detyrë ta mbrojë atë ndaj infeksioneve, kimikateve, rrezeve të diellit ultravjollcë, apo dëmtimeve të tjera të ndryshme. Gjithashtu, lëkura ka edhe një funksion shumë të rëndësishëm, që është mbajtja nën kontroll e temperaturës së trupit. Në mënyrë që trupi të freskohet vazhdimisht, prodhohet djersa nga gjëndrat e djersës, të cilat janë të shpërndara në të gjithë trupin (përveç thonjve dhe kanalit të veshit). Gjëndrat e djersës ndodhen në dermë (shtresa e dytë që vjen pas shtresës sipërfaqësore epiderma), si edhe në shtresat më të thella. Që andej nëpërmjet kanaleve specifike, djersa e prodhuar del në sipërfaqe. Këto gjëndra mbahen nën kontroll nga qendrat e kontrollit të temperaturës që gjenden në tru. Në rastin kur jemi të ekspozuar ndaj të nxehtit, ndodh pikërisht bllokimi i kanaleve të djersës dhe për rrjedhojë djersa nuk mund të dali në sipërfaqe për të freskuar trupin dhe normalizuar temperaturën e përgjithshme të tij.
Cilët janë personat më të prekur nga ky problem?
Të gjithë mund të rrezikojnë nga kjo problematikë. Në radhë të parë janë të prekshme bebet e vogla, pasi tek ato gjëndrat e djersës nuk janë të pjekura mirë dhe nuk prodhojë sasinë e duhur të djersës. Kjo ndodh më tepër kur ekspozohen ndaj të nxehtit, ose kanë temperaturë me ethe. Megjithatë është ende e paqartë se përse disa njerëz preken nga ky fenomen, e disa të tjerë jo. Shpesh kanalet e djersës mund të bllokohen edhe nga prodhimi i tepërt i djersës në zona të caktuara të trupit, të cilat nuk ajrosen mirë. Të tilla zona mund të përmendim së pari zonën aksilare (sqetullat), zonën inguinale (në rrëzë të kofshëve), palat (rrudhat) e qafës, apo të barkut. Në këto zona paraqitet i vështirë qarkullimi i ajrit dhe për pasojë avullimi i djersës. Rol luajnë edhe lloji i veshjeve që përdorim. Kjo ndodh më tepër gjatë përdorimit të veshjeve sintetike, apo kur përpiqemi të vishemi trashë në dimër, si dhe kur kemi temperaturë të shoqëruar me ethe. Po ashtu edhe përdorimi i kremrave të trashë dhe moskujdesja për higjienën e lëkurës, mund të shkaktojë bllokimin e kanaleve të djersës. Duhet thënë se ky fenomen mund të ndodhë edhe si efekt anësor i medikamenteve që përdorim për arsye të ndryshme shëndetësore.
Si prezantohet klinikisht rashi i të nxehtit?
Simptomat më të zakonshme klinike përfshijnë në radhë të parë gunga të kuqe në lëkurë, skuqje të tyre, si edhe kruajtje, ose ndjesi të shpimit me gjilpëra. Këto ndodhin për shkak të inflamacionit (infeksionit) të shtresë sipërfaqësore të lëkurës (epiderma). Ndjesia e shpimit është e ngjashme me ndjesinë e djegieve të lehta nga rrezet e diellit. Simptomat klinike janë të njëjtat si për foshnjat, ashtu edhe për të rriturit, me të vetmin ndryshim që të rriturit janë në gjendje të shprehin qartë ankesat e tyre, ndërkohë që për të vegjlit duhet bërë një ekzaminim më i kujdesshëm për të kuptuar gjendjen. Po ashtu edhe obezët duhet të kenë shumë kujdes, pasi shtresat e dhjamit në zona të ndryshme pengojnë qarkullimin e ajrit dhe avullimin e djersës. Në grupin e rrezikut futen edhe personat me aftësi të kufizuara të lëvizjes, që qëndrojnë gjatë në shtrat, ose edhe të paralizuarit që nuk lëvizin fare. Rashi i të nxehtit është gjithashtu më i shprehur në vendet me klimë të nxehtë, ku njerëzit djersijnë më shumë. Nëse kanalet e djersës janë të bllokuara në sipërfaqe, atëherë klinikisht lëkura ka pamjen e blisterave (rruazave) të vogla në sipërfaqen e saj, si pikla djerse të quajtura “miliaria crystalina”. Ndërsa skuqja klasike e këtij fenomeni, ose “miliaria rubra” ndodh nëse bllokohen kanalet në thellësi të shtresave të lëkurës, gjë e cila shkakton inflamacion (infeksion) të shtresave të thella të lëkurës. Natyrisht që si çdo inflamacion, lëkura bëhet e kuqe dhe gungat bëhen më të mëdha. Dhe më pak e zakonshme prezantohet forma “miliaria profunda”, kur bllokohen shtresat më të thella të lëkurës.
![]()
Si diagnostikohet dhe sa e rrezikshme mund të jetë?
Rrallë ky fenomen mund të jetë potencialisht kërcënues për shëndetin, pasi mungesa e djersitjes mund të çojë në rritje të temperaturës së trupit në shifra të larta, lodhje, dhimbje trupi dhe rrallë edhe goditje nga nxehtësia. Diagnostikimi bëhet nëpërmjet ekzaminimit fizik duke vlerësuar vendndodhjen në trup, si edhe faktin që skuqja shfaqet gjatë djersitjes. Diagnoza është natyrisht më e lehtë kur fenomeni është i përsëritur.
Po në lidhje me trajtimin çfarë mund të themi, kur duhet të përdoren antibiotikët?
Në rastin e formave të lehta sipërfaqësore, trajtimi nuk ka ndonjë gjë të veçantë përveçse një higjienë të mirë personale, shpëlarje me ujë, tharje dhe përdorimi i veshjeve të pambukut që lehtësojnë qarkullimin e ajrit. Në rastet kur gjëndrat e djersës infektohen (pra kur pushtohen) nga bakteret, situata është më e komplikuar. Pacienti ka dhimbje, skuqje dhe edemë (ënjtje) në zonën përkatëse. Në këtë rast mund të lindë nevoja e përdorimit të antibiotikëve, apo edhe i preparateve kortizonike, gjithmonë sipas këshillimit të mjekut.

Cilat janë masat që duhet të merren për të shmangur shfaqjen e rashit të të nxehtit?
Parandalimi është trajtimi më i rëndësishëm për këtë problem prej të cilit mund të rrezikojnë të gjitha grupmoshat. Ndjekja e një stili të shëndetshme jetese, shmangia e dehidratimit nëpërmjet konsumimit të sasisë së duhur të lëngjeve, mbajtja e një higjiene të rreptë të lëkurës, përdorimi i veshjeve të përshtatshme, janë ndër këshillat e rekomanduara në parandalimin e kësaj gjendjeje. Gjithashtu duhet që të bëni kujdes edhe me ushtrimin e aktivitetit fizik. duhet që të shmangni ushtrimet fizike në mot të nxehtë dhe me shumë lagështirë, pasi e favorizojnë zhvillimin e skuqjes së lëkurës nga të nxehtit. Gjithashtu mos lini pas dore shenja të tilla klinike si: lodhje e shprehur, dobësi, të përziera, të vjella, por këshillohuni menjëherë me mjekun tuaj të familjes. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara masat që duhet të merrni për të reduktuar sa më shumë që të jetë e mundur këtë shqetësim.
Këshillat si mund të parandalohet
- Së pari lejoni që lëkura të jetë e ekspozuar ndaj ajrit qarkullues, veçanërisht në stinën e nxehtë të verës. Në këtë mënyrë minimizohet mundësia për bllokimin dhe infektimin e gjëndrave dhe kanaleve të djersës.
- Shmangni ushtrimet fizike në mot të nxehtë dhe me shumë lagështirë. Më të rekomanduara do ishin në këto periudha palestrat me ajër të kondicionuar.
- Përdorni tesha pambuku për një frymëmarrje më të mirë të lëkurës suaj.
- Bëni kujdes për mbipeshën, e cila siç e kemi përmendur vazhdimisht përbën rrezikun kryesor për një jetë të shëndetshme.
- Për të minimizuar rrezikun e sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë, përpiquni të shmangni punën, ose ushtrimin fizik në nxehtësi ekstreme. Shmangni dehidratimin duke shtuar sasinë e lëngjeve gjatë ditës (kujdes! Pini shpesh dhe nga pak) për të zëvendësuar lëngjet e humbura përmes djersitjes.
- Mos lini pas dore shenja të tilla klinike si: lodhje e shprehur, dobësi, të përziera, të vjella, por këshillohuni menjëherë me mjekun tuaj të familjes.
- Është e vështirë për të vlerësuar se sa ujë humbet organizmi ynë nëpërmjet djersitjes dhe mekanizmi i etjes nuk mund të jetë aq i ndjeshëm sa për të kujtuar një person se duhet të pijë ujë. Në përgjithësi, veshkat janë një udhëzues i mirë nëse ka ujë mjaftueshëm në trup. Nëse trupi është i dehidratuar veshkat do të përpiqen të mbajnë ujin në qarkullim sa më shumë të jetë e mundur. Ulja e prodhimit të urinës, urina e përqendruar (ngjyra e errët) dhe aroma që ndihet, janë tregues që veshkat janë duke u përpjekur te ruajnë furnizimin me ujë të trupit. Urina është e qartë kur ka lëngje mjaftueshëm në trup. Në një mjedis të nxehtë, një person duhet të pijë ujë mjaftueshëm për të bërë urinën e qartë dhe për t’u siguruar që trupi prodhon djersë.
- Humbja e djersitjes dhe urinës nënkupton edhe humbjen e elektroliteve (kripërat minerale). Prandaj duhet përdorur edhe ujë mineral dhe lëngje të tjera, si për shembull lëng kumbulle (përmban kalium), lëng portokalli (përmban kalcium).
- Në mënyrë të veçantë duhet të kenë kujdes për çrregullimin e elektroliteve, personat që vuajnë nga sëmundje të tilla kronike si: diabeti, pamjaftueshmëria e punës së zemrës, apo problemet e ndryshme me veshkat.

Rreziqet nga temperaturat e larta tek fëmijët
Temperaturat e larta në verë kanë ndikim negativ në organizmin e fëmijës. Fëmijët janë të ndjeshëm ndaj efekteve të këtyre temperaturave sepse metabolizmi i tyre ndryshon nga metabolizmi i të rriturve, qendra e rregullimit të temperaturës është e papjekur, aftësia për djersitje është më e paktë, masa e trupit është e vogël, po ashtu edhe vëllimi i gjakut. Gjithashtu, ata mbështeten tek të tjerët për të rregulluar temperaturën e mjedisit të tyre apo dhe për të siguruar marrjen e lëngjeve të nevojshme. Disa nga shqetësimet më të shpeshta që vapa i shkakton tek fëmijët gjenden të detajuara në vijim të shkrimit.
- Irritim të lëkurës nga nxehtësia, puçrrat e vapës. Puçrra të vogla të kuqe shfaqen në pjesët ku trupi është më i nxehtë, sidomos në qafë, fytyrë, bërryla dhe poshtë gjunjëve.
- Çrregullime diarreike. Diarreja karakterizohet nga të dala të ujshme e të shpeshta të fëmijës (6-7 herë në ditë te foshnjat). Diarreja është më e shpeshtë te fëmijët nga 6-muajsh deri në 2 vjeç.
- Të vjella. Diarreja mund të shoqërohet edhe me të vjella, e cila është shenjë e infeksioneve të shkaktuara nga viruset apo bakteret. Infeksionet nga viruset, apo bakteret shfaqen më shumë në muajt e verës dhe shkaktohen nga temperaturat e larta apo nga ushqimet e infektuara.
- Herpes simplex është infeksion i lëkurës i shkaktuar nga virusi me të njëjtin emër, shfaqet në formën e plagës dhe kalon nga prindërit tek fëmija me anë të puthjes. Lëkura skuqet dhe shfaqen puçrra të vogla rreth buzës dhe poshtë hundës, të cilat bashkohen dhe formojnë plagë. Fëmija duhet çuar te mjeku, dhe nuk duhet lejuar të prekë fytyrën.
- Goditje nga dielli si pasoje e ekspozimit të fëmijës në rrezet shumë të forta të diellit. Fëmija djersin, humbet lëngjet dhe dehidrohet.

Te skuqurit e lekures nga dielli.Evitohet duke perdorur garze te bollshem te ngopur me uthull per te mbuluar gjithe pjesen e skuqur dhe mbajtur ne vashdimesi me uthull derisa te evitohet plotesisht e kjo arrihet jo ma shume se 2 dite.Mandej dil ne plazhe ne oret e vona te masdites per 2-3 dite dhe kaq perfundon skuqja tue u ba e pa rrezikshme ndeja ne diell.
Keto kompresa me uthull te perserituna jo vetem evitojne te skuquren.Por ulin temperaturen e trupit me nji garanci qetesie qe ia fut gjumit si te mos ishe fare i djegur.
Provojeni dhe do mbeteni teper te kenaqur duke e konsiderue mjekesin per kete sebep teper te panevojshme dhe me inferioritet.
Ose ne vend te uthulles ngopni garzen me alkolo farmaciet.Po uthulla asht ma e mundeshme dhe e kudogjindur.
Asnjeher lekura nuk u Dijek shum Kur Ka pigmente dhe jo munges te Vitaminen D3!
Te pakten te mos Jet nen 40 nanogram per 1 l gjak