Në 100-vjetorin e lindjes
Nga Gëzim TUSHI*
Unë nuk e kisha njohur para vitit 1982 Maman Saliun. Por kisha dëgjuar shumë për të si person dhe babain e tij, Kapedan Sali Vranishtin, me të kaluar historike plot me ngjarje e bëma të lavdishme. Jo se nuk doja, por nuk më kishte rënë rasti ta takoja, qoftë në fshatin e tij në Vranisht, në ceremonitë e kujtimit të ngjarjeve të luftës, ku ai kishte qenë protagonist, apo edhe në veprimtari të tjera që zhvilloheshin në Vlorë, në të cilat ai ishte i pranishëm dhe pjesëmarrës aktiv.
Deri në atë vit unë isha në detyrën e mësuesit në Shkollën Tregtare dhe si zakonisht mësuesit e kishin të kufizuar hapësirën përtej mureve të shkollës, ku zhvilloheshin veprimtari kulturore, evenimente përkujtimore apo aktivitete të tjera me natyrë politike e sociale. Pas vitit 1981 kur unë u emërova në Seksionin e Arsimit dhe Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës, pata më shumë shanse e mundësi për ta takuar, dëgjuar, biseduar e komunikuar me të.
Herën e parë u takuam në gushtin e vitit 1983 në Vranisht, në festën e përvjetorit të çetës partizane “Sali Vranishti”, ku ai kishte qenë komandant i saj. Unë bashkë me kolegun Pavllo Çulla kishim ardhur nga Vlora. Me Muhamet Tartarin, drejtorin e shtëpisë së kulturës së Vranishtit, kishim disa ditë që po merreshim me organizimin e të gjithë komponentëve të festës. Me aktivitetin artistik, por dhe mënyrën si do organizohej ceremonia tek rrepet e Vranishtit. Po debatonim të tre për të gjetur zgjidhjen më të mirë, dhe nuk po e definonim strukturën e organizimit të detajeve të integruara të ceremonisë. Në këto debate e sipër shfaqet një burrë i rëndë, me trup të drejtë, me flokë të bardhë e me një bastun në dorë, i cili po drejtohej aty ku po bëheshin përgatitjet.
Po vjen xha Mamani, – tha menjëherë Muhameti. Edhe Pavllua e njihte mirë, pasi kishte qenë disa vjet në drejtim të shtëpisë së kulturës në Vranisht. Po vinte pak i tensionuar dhe ndihej i shqetësuar për disa gjëra që akoma nuk ishin përfunduar. I lexohej në fytyrë një lloj nervozizmi. Megjithatë na përshëndeti, na takoi. Mua më pyeti se cili isha. Duke qenë nga Vërmiku dhe nipi i Heroit të Popullit Bajram Tushi, xha Mamani më përqafoi me besim.
Më bëri përshtypje që ai erdhi aty jo thjesht për “vizitë” apo për të parë përgatitjet tona. Në të vërtetë më impresionoi fakti që ai e kishte të skicuar saktë në kokë dhe fare të qartë “platformën e organizimit” të festës. Ndërhyri si një “regjisor” i vërtetë me idetë e tij duke i dhënë zgjidhje të gjitha dilemave tona. Dhe në fakt kjo platformë e tij u zbatua. Madje pikë për pikë. Festa të nesërmen doli e mrekullueshme. Pas saj, xha Mamani na mbajti për darkë në shtëpinë e tij. Hëngrëm bukë dhe pimë raki të qetësuar. Si në situatë “pas fitores”. Nga ajo ditë unë isha një nga miqtë e preferuar të tij.
Po cili është Maman Saliu në kujtesën dhe përfytyrimin tim?
Një figurë komplekse, një burrë lab i skalitur. Fizikisht dhe si autoritet me integritet të plotë e të pacënuar. Në se do bëja një sintezë psikosociale të shpejtë për personalitetin e tij, menjëherë do të thoja se ishte një burrë dashamirës ndaj të rinjve. Asnjëherë nuk ishte pengues për ta. Këtë e provova vetë, sepse kur unë u njoha me të, sapo kisha filluar punë në Seksionin e Arsimit dhe Kulturës së Vlorës.
Jo vetëm aq, por për shkak të eksperiencës së madhe qysh gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe më pas, në punën për rindërtimin dhe ndërtimin e vendit, ai ishte “mbrojtës” për ata të rinj, që për shkak të qëndrimit të guximshëm e antikonformist, goditeshin apo viheshin nën presionin e strukturave, institucioneve dhe autoriteteve të larta.
Për mua është nga njerëzit e rrallë, që nuk u mburr dhe nuk jetoi kurrë nën hijen e të kaluarës së lavdishme të të jatit të famshëm, as me meritat e shumta të njohura e tejet të veçanta të vetes së tij. Një thjeshtësi dhe modesti e rrallë për kohën, kur njerëz të tjerë me një “torbë të vogël” meritash jo vetëm i zmadhonin dhe glorifikonin, por edhe përpiqeshin të siguronin favore e privilegje në emër të këtyre meritave. Të qena apo të zmadhuara qofshin. Maman Saliu ishte një qenie tjetër.
“Materja” e tij ishte e një lloji të veçantë, në të cilën ishin shkrirë në një personaliteti dhe krenaria; burrëria dhe drejtësia; formimi kulturor dhe mprehtësia; morali i pacenuar personal me humanizmin për të tjerët.
Një “prototip” social të cilin nuk e kuptoje kurrë nëse kishte halle familjare apo probleme me jetën dhe vështirësitë e saj. Sidomos të jetës në fshat, të cilën ai me mënyrë të çuditshme e zgjodhi si mënyrë jetese për të gjithë familjen e tij. Konstantja njerëzore e këtij njeriu ishte standarde. Edhe kur ishte në pozitë, edhe kur ishte pa pozitë, edhe kur ishte në konferenca me rëndësi, në kafenenë e Vranishtit apo të Vlorës duke pirë kafen. Ishte gjithnjë po ai. I qartë, i kthjellët, gjithnjë i rrethuar nga miq e shokë plot. Një njeri që kur të këshillonte të siguronte të gjëje rrugën e duhur. I hapur dhe i drejtpërdrejtë në gjykimet e veta, pa shpërdredhje. Asnjëherë nuk të nxiste të gaboje në zgjidhjen e problemeve të caktuara.
Ai ishte një njeri që kurrë në jetën e tij nuk e njohu frikën, servilizmin, konformizmin, as me “shokët e udhëheqjes”.
Kam qenë me të në mbledhje e konferenca të rëndësishme ku trajtoheshin probleme me “spec”, që kërkonin guxim qytetar për të diskutuar, ngritur probleme apo kundërshtuar subjektivizmin, inatet e prapaskenat e njerëzve që ishin në krye. Një pjesë e njerëzve nuk e kishin kurajon individuale, për arsyet që dihen e që lidhen me raportin delikat të njeriut me pushtetin totalitar. Por është e vërtetë, që kur “kërkonte” dhe merrte fjalën Maman Saliu, salla binte në heshtje të plotë.
Të gjithë prisnin fjalën e tij, që gjithnjë do ishte e veçantë. Por edhe drejtuesit e “mëdhenj” e të pushtetshëm, kur fliste Maman Saliu kalonin shqetësime e mornica. Sepse e dinin që ai ishte objektiv, intransigjent dhe nuk ja përtonte kritikës së drejtë, ndaj kujdo dhe kudo që kritika e tij mund të godiste. Por gjithmonë Maman Saliu nuk e humbiste “nordin” e orientimit dhe debatit apo diskutimit. Ai asnjëherë, të paktën në ato raste që unë kam qënë dëshmitar okular, nuk shfaqte inat subjektiv apo paragjykime subjektiviste për t’i bërë keq dikujt. Edhe pse në pamje të parë ai ishte i vrullshëm, temperamenti i tij ishte njerëzor, por i zjarrtë.
Në se do të më duhej ta sintetizoja në një sintagmë të vetme personalitetin e këtij burri të madh të Vranishtit, Vlorës dhe Shqipërisë, do të thoja se ai në të gjitha rastet ishte koherent me VETEN dhe nuk bënte kompromis me të. Për asnjë arsye. Gjithnjë ai fliste ashtu sikurse mendonte, dhe mendonte ashtu sikurse fliste…
Ky ishte Maman Saliu që kam njohur unë….
*Sociolog, Mjeshtër i Madh
Maman Saliu në kujtesën time,mbetet nje njeri fisnik,i rreptë në paraqitje,por shumë i dashur dhe i respektueshem.Nuk kam parë njeri me dashamirës,patriot,atdhetar si ai.I paharruar qoftë kujtimi i tij.Respekte Gëzim Tushit për këtë shkrim
Me vjen mire dhe ndihem i privilegjuar qe jetova dhe punova ne nje kohe qe ne Vranisht kishte shkuar per te dhene kontributin e tij pas lufte dhe pas pune, te Maman Sali Muratit. Une nuk kam ndermend qe te bej biografine e tij se ai e ka shkruar me pushke dhe pene atehere kur atdheu kishte nevoje dhe megjithese edhe invalid fizik si rezultat i predhave te armikut, nuk rreshti dhe nuk pushoi per te dhene kontributin e tij te vlefshem ne interes te komunitetit te krahines dhe Vranishtit per periudhen qe une kam punuar atje. Me inisiativen e tij u ndertua shtepia e kultures Vranisht, pothuaj pallat kulture qe nuk e kishte ne ate kohe as Vlora, me kontributin e gjithe bashkefshaterve ne fshat dhe ne te gjithe Shqiperine. Aktivitetet e larmishme qe nuk mungoni asnje dite e nate aty me bibloteke, dhome televizori, qender zeri dhe grupin e pa zevendesueshem te kengeve dhe valleve, e ben jeten shume te larmishme dhe krijuan nje vllazeri fshaçe, por Maman Saliu kontribuonte ne vendime te rendesishme qe merreshin per ekonomine e ku rezultatet erdhen duke u rritur nga viti ne vit. Une kam shume episode per te thene, por dua te theksoj se Maman Saliu , ne kuadrove e specialisteve te rinj na afronte e na vinte dhe detyra te veçanta per mbarevajtjen e fshatit, rinise dhe aktiviteteve qe zhvilloheshin. Me nje respekt te veçante per luften, punen dhe jeten e tij, le te sherbejne keto rreshta te thjeshta si nje kujtese per memorjen tonê qe te ngreme me larte ne nevojat e kohes punen dhe sherbimin ndaj njeri tjetrit dhe gjithe fshatit tone. Në kete 100 vjetor te lindjes, u uroj femijeve, bashkeshortes, Myneveres, shendet e jete te gjate. I pa harruar kujtimi dhe vepra e tij qe beri per Shqiperine!
Ne kohe te keqia Shqiperia gjithmone ka nxjerre heronj te kalibrit te Maman Saliut. Sot, ne kete dite te 100 vjetorit te lindjes se tij, kujtojme me respekt ate dhe bashkeluftetaret e tij, ata burra te shquar me integritet te pashoq qe e kane dashur dhe mbrojtur kete vend pa kushte e pa interesa. Burra qe i kane treguar gjoksin pushtuesit ne kohe lufte duke treguar se ky vend ka zot. Ata qe nuk i korri plumbi i armikut jetuan me nder dhe dinjitet, mbajten gjalle ne zemer shoket e rene dhe punuan e flijuan per kete vend ashtu sic dinin vetem ata, te ndershmit, te mencurit, e, duke huazuar disa fjale te Kadarese, te thjeshtet deri ne madheshti. Ata nuk lane pas llogarira bankare por nje barre krenarie te pashoqe per femijet e tyre dhe Shqiperine. I paharruar qofte luftetari dhe patrioti i shquar Maman Saliu, ai do te mbetet i perjetesisht i gjalle ne kujtesen e kombit.
Ruaj respekt te vecante per njeriun e nderuar dhe respektuar , me vlera qe rralekush ka pasur fatin t`i kete . Une e kam njohur kolonel Mamanin , fill mbasi u prishem me sovjetiket . Kishte qene per disa vjet atashe ushtarak i Shqiperise ne Moske , ku perfaqesoi me dinjitet vendin tone dhe , si te tille hrushovianet e debuan me qe nuk munden ta thyenin dot me lajka e premtime . Mamani ishe njeri zerjoz , i drejte e i ndershem deri tek ai e mbi te gjitha , ishte nje atdhetar e shqiptar i vertete qe rralle lind ky truall . I perjetshem qofte kujtimi i tij !
Respekt për këto figura të ndritura të patriotizmit. Respekt dhe për zotin Tushi