Si e kujtoj Rrapo Seranin

redaktor

Nga Eqerem Kajo

 

Është fatkeqësi që shumë njerëz me kontribute të mëdha deri në flijimin e jetës së tyre për atdheun, t’i mbulojë pluhuri i harresës. Është detyra jonë t’u kthehemi t’i kujtojmë e t’i “rilindim” për atë që kanë bërë në interes të atdheut! E një nga këta është edhe Rrapo Serani  nga Selenica e Pishës, lindur më 24 shtator 1919, në një familje me tradita atdhetare, që në situata të vështira i është përgjigjur thirjeve të atdheut.

Babai i Rrapos, Lamja ishte një patriot i dëgjuar në zonën e Kolonjës dhe kishte marrë pjesë në çetat e Gani e Sali Butkës. Ai shtëpinë e tij e ktheu në vitet 1942- 44 në një qendër të formacioneve partizane. Dhe vetë plaku Lame bashkë me Rrapon e çetën e Selenicës dhe Psarit, mori pjesë në aksionin e shpartallimit të disa bashibozukëve ballistë në tetor 1943 që donin të bënin raprezalje në Katundin Selenicë e Pishës.

Hakmarrja nga ballistët e Kolonjës karshi familjes Lame Serani u realizua më 29 Nëntor 1943 kur ballistët të mbështetur edhe nga gjermanët, dogjën fshatin dhe shtëpinë e Lames e rrafshuan përtokë. Ata maskruan familjen Serani, 3 femra (Habibe 38 vjeç, Sabrija 22 vjeç shtatzanë dhe djali i saj 2 vjeç, Xhemalie 15 vjeç). Kjo familje ngeli pa asnjë femër, ndërsa në total u vranë 11 fshatarë.

 

Rrapua u rrit në një familje me të ardhura jo të mjaftueshme, shkollën fillore nuk e përfundoi dot për shkak se iu nënshtrua punëve të rënda për të mbajtur familjen duke punuar në pyllin e Selenicës me përpunimin e lëndës drusore, në blegtori e bujqësi.

Rrapo bënte pjesë tek ajo rini që ishte kundra shtypjes e shfrytëzimit. Shpesh herë ai kundërshtonte taksidarët që vinin në fshat e numëronin edhe pulat sa vezë bënin. Krahas punëve të rënda që bënte në fshat, mundi që të futej edhe në punë për mirëmbajtjen e rrugës Korçë-Ersekë, ku u lidh fort me punëtorët që kundërshtonin pushtuesit fashistë.

Ashtu si gjithë djemtë e vajzat e Selenicës ju përgjegj thirrjes për të marrë pjesë në rreshtat e formacionet partizane. Mori pjesë në aksionet e Barmashit, kundër forcave gjermane, në  korrik 1943, në sulmin për çlirimin e Leskovikut, më pas në Kuqal të Përmetit, në pritat në majat e Qarrit, Dukës, në aksin e rrugës Korçë-Ersekë, në aksionin për likuidimin e xhandarmërisë në postën e Qesarakës, Frashërit etj. Kudo e kurdoherë u tregua i guximshëm,  i vendosur dhe organizator i mire.

Në prag të çlirimit ai kaloi efektiv në Brigadën e 4 Sulmuese ku si gjithmonë u dallua për guximin e trimërinë. Në kongresin e Përmetit maj 1944, Rrapua mori titullin e oficerit.

Pas çlirimit të atdheut ai shërbeu në rradhët e ushtrisë si oficer aktiv me detyra të ndryshme deri në Zv/ komandant batalioni. Shërbeu në disa zona, qytete e rrethe.

 

Në vitin 1952 ai transferohet në Degën e Punëve të Brendshme Ersekë, kryesisht në armën e policisë. Në atë armë të policisë do të komandonte e drejtonte punët për mbrojtjen e rendit, për ruajtjen e qetësisë dhe luftën kunder keqbërsve e shkelësve të ligjit. Përherë i gatshëm, në ballë të çdo detyre duke prirë me shëmbullin e vet. Marrëdhëniet me vartësit, ashtu dhe me eprorët i kishte të përsosura. Si në kohën e luftës edhe në jetën paqësore, Rrapua i fshatit tim, tashmë familjar e me fëmijë ishte po ai.

Më 16 shkurt 1958, një bandë kriminale po tentonte të kalonte kufirin shtetëror në zonën midis Radat-Pobickës dhe Sarandaporit. Detyrë iu ngarkua Rrapos me një togë policësh të kapnin këtë bandë të rrezikshme. Rapo Serani në krye të këtyre forcave, u vu në ndjekje të kësaj bande, e pas disa përpjekjeve, në një pyll të dendur mundi që t’i afrohej kapjes së tyre, por në befasi nga një vend i fshehtë qëllohet për vdekje nga kriminelët.

Sipas një dëshmitari të këtyre ngjarjeve, “Rrapua u bëri thirrje, “dorëzohuni se do t’u falim jetën”, por ata donin të vriteshim ne”.

Ai Rrapo që u pat shpëtuar sa e sa breshërive të plumbave të gjermanëve, goditet për vdekje. Kjo ishte një dhimbje e madhe për familjen Serani, për shoqërinë e për bashkëfshatarët e Selenicës.

 

Por në kujtimet e mia dua të tregoj një episode. Një vit përpara se ai të binte në krye të detyrës, unë së bashku me nënën time shkuam për një rast në Kolonjë. Sa zbritëm nga autobusi në qendër të Ersekës, përballë takojmë Rrapon. Unë nuk e njoha sepse kisha kohë pa e parë, por ai njohu Haken dhe e përqafoi:

-Hë moj Hake ku je?

-Në Tiranë, i thotë ajo, me djemtë.

-Po ky zabit kush është?

-Djali, i thotë, Eqeremi.

-Ah! Qekua (kështu më përkdhelnin në fshat) është ai që qante gjith natën, i tha nënës, po ai është qenka bëre alamet djali.

Më pyeti për çfarë arme kam mbaruar shkollën.

-Për mjete të mekanizuara, i them.

-Shumë mirë, thotë, ju tani jeni kuadro me shkollë, por ne disa kemi ngelur pa shkollë, për aresye të ndryshme, mua  më mundon shumë mungesa e shkollës dhe oficerat e rinj na shikojnë me sy jo të mirë, nuk pyesin se ne luftuam për ta…

-Unë nuk e kam këtë mendje, i them, ju që na sualltë lirinë duhet të jeni shumë të vlerësuar. P

Pas kësaj bisede dashamirëse na ftoi për në shtëpi. Unë i thashë se na duhet të shkojmë në Selenicë se na presin, na duhet të shohim për ndonjë makinë.

-Prisni se ja u gjej unë… nuk vonoi dhe na solli një makinë që shkonte në sharrat e Ballbanovës.

Por nga ky takim unë ngela i habitur se ai nënës sime thoshte Hake, mua Qeko, afrimiteti i tij për familjet në Selenicë ishte e madhe.

Nëna ime, kur ai ra në krye të detyrës, filloi të qante dhe kujtonte takimin që ne kishim bërë një vit më parë. Rapua ishte nga një familje që kishind erdhur gjakun e pafund. Më 29 nëntor 1943 iu vranë të afërmit.

 

Sot Selenica, vendlindja e Rrapos është braktisur, kanë ngelur vetëm si dëshmi dy lapidarë, ai  i të rënëve gjatë luftës dhe ai i Petro Nini Luarasit; të cilët janë zhveshur e mezi i dallohen gërmat. Po harrohen kontributet e atyre që dhanë jetën për vendin.

Një shoku i tij i jetës, Rrapo Seranin e krahasonte me Rrapo Hekalin:

Hajde mor Rrapo Serani, Kur  thërret e tundet mali./ Hajde mor Rrapo o’Lule/ Lum si ti bilbil që zure…

Nuk ka gjë më të bukur, kur kujton gjyshërit, babën, vëllanë që kanë qëndruar si burrat dhe jetën e tyre e dhanë për atdheun. Unë jam në moshë, dhe këto ishin disa nga kujtimet e pakta që unë ruaj në kujtesën time. Por duke qenë larg vendlindjes sime, nuk kam mundur të takoj fëmijët e tij dhe për këtë më vjen shumë keq, Atyre do t’u thosha kështu nga larg: Të jeni krenar për babanë tuaj!

 

Share This Article
1 Comment
  • Vellai i vogel i babit tim Rrapo Serani, (Deshmor i Kombit), ishte xhaxhai im i shtrenjte! Eshte gjaku im, eshte dashuria dhe pergjegjesia ime per ate qe jam si vazhduese e nje familjeje te lavdishme qe i ka falur Kombit jeten dhe gjakun e 6 deshmoreve per lirine e Atdheut! Me disa mungesa saktesie ne kete shkrim shume dashamires te bashkefshatarit te familjes Serani, z. Eqerem Kajo, e falenderoj ne emer te familjes sone per respektin, vleresimin dhe mirenjohjen e tij selenicare!
    Ne rrethin e Kolonjes, familja Serani eshte rradhitet e dyta, pas Boroves mertire, per masakren qe ju be me rrafshimin e plote te familjes brenda nje dite nga hordhite gjermane ne bashkepunim direkt te ballisteve te fshatit!
    Brenda nje dite familja u shua, sepse xhaxhai im Rrapo Serani, (i cili kishte kryer sherbimin e tij ushtarak ne Itali ku do te vazhdonte edhe shkollen ushtarake), nuk kishte pranuar te bente betimin para flamurit fashist dhe si denim, e kthyen ne shqiperi ku ne luften Nacional-Clirimtare, ishte Komandant Brigade ne Batalionin “Hakmarrja” te Kolonjes.
    Gjyshi Lame ishte mik i Petro Nini Luarasit kurse xhaxhai i Madh Sade Serani kishte ikur me Fan Nolin pas Rrevolucionit te 1924 dhe nuk u kthye me kurre qe nga momenti qe mesoi se gjermanet i vrane te bijen Sabire Serani dhe gruan e tij ne 29 Nentor 1943. ai vdiq ne Argjentine nga ku ne familjen tone, quajtem Argjentina motren tone te vogel per nder te atij vendi, qe mbante xhaxhain tone te dashur dhe te lenduar, ne mergim!
    Ne diten e masakres, ku familja u shua dhe shtepite u rrafshuan nga zjarri qe gjermanet i vune, babai im dhe gjyshi Lame Serani dolen partizane me arme ne dore deri ne clirimin e plote te Shqiperise dhe te dy moren plage lufte ku gjyshi ishte invalid lufte dhe babi mbeti me nje demtim ne sy!
    Sigurisht, qe ne, pasardhesit e tyre, jemi sa krenare aq edhe te pergjegjeshem per emrin e familjes sone, historine tone dhe nderin qe na lane pjestaret e familjes qe u masakruan per se gjalli ne emer te urrejtjes!
    Babai im, Sefer Serani ne kohen qe ishte i gjalle, kur shkonte ne fshat, familjet e ballisteve qe tradhetuan familjen dhe derguan gjermanet ne familjen tone si baze kryesore e partizaneve qe luftonin ne male ku ate dite te mallkaur babai qe ishte edhe Kryetar i fshatit shkoi ne mal tek partizanet ngarkuar me kuajt e tij, rrobat e pastra qe grate e fshatit lanin per partizanet, ushqimet qe fshati kishte mbledhur per ta dhe ilace! Nje nate me pare ai kishte festuar diten e flamurit ne familje por, nuk e imagjinoi kurre se do te ishte e fundit per gjithe familjen pervec tij! Iku dhe i la te gjithe mire dhe kur u kthye nga maja e malit pa shtepine e tij ne tym e zjarr! Zbriti me shpejtesi te medhe dhe u has para pamjes makabre ku i gjithe fshati ishte mbledhur dhe cete partizane qe kishte degjuar krismat ishte perleshur me gjermanet! Por demi ishte bere!
    Sa here qe djemte e familjes sone si vellezerit e mij apo 5 djemte e Rrapos kur shkonin ndonjehere ne fshat, para se te niseshin, babai i porosiste, te mos mendonin kurre per ndonje hakmarrje! Kur ata mberrinin ne fshat, familjet e ballisteve te fshatit qe ishin implikuar ne ate histori gjenocidi, ngunjoheshin ne shtepite e tyre! Babai im nje burre trim nga ana e arsyetimit, nuk denoi kurre asnje perj tyre! Ai gjykonte sepse ata balliste, ishin njerez shume injorante dhe si te tille, nuk mund te denonte familjaret e tyre, per tu hakmarre! Rrapoja te cilit nena ime i mbajti te gjithe jeten e saj “zine” deri me shami te zeze ne koke, ishte nje vella i mrekullueshem qe e respektonte vellain dhe kunaten duke i hequr nga fshati qe kishte shume lendim per tim ate, duke i sjelle ne Tirane ne vitin 1949! Ai u kujdes per ta deri sa dha jeten! Ne jemi edukuar qe gjakun e familjes, ta kemi nje themel te moralit tone! Kjo gje nuk na toleron gabimet!
    Lavdi cdo pike gjaku te familjes sime dhene per atdhe!
    Lavdi xhaxhait tim te mrekullushem, Rrapo Serani
    Lavdi deshmoreve te Kombit Shqiptar !
    Pa te shkuar, ne kurre nuk mund te kemi te ardhme, por kur e shkuara jone eshte e Lavdishme edhe e ardhmje duhet te jete e tille…!!!
    Seferina Serani Selenica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *