Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
Këtë refrenin e reformës në drejtësi e kuptoj si një loje kungulleshke që të gjithë i bëjnë bisht detyrimit për t’u vënë para peshores. Reforma janë bërë aq shumë dhe më tepër e kanë koklavitur lëmshin. Po këta krerët e mëdhenj, e tërë shpura e politikanëve që ka gllabëruar e paralizuar për këto dy dekada e gjysmë tërë jetën ekonomike dhe sociale, si ia arrijnë të përballojnë gjithë këtë ngarkesë psikologjike? Të fortë janë! Shaj e puthu, gri sallatë dhe thuaj fjalën e fundit para fjalës së parë, pajtohu kafeneve dhe qilarëve të kësaj hale politikë-bërje, shto këtu edhe tagjinë e ambasadorëve që mësojnë duart me kuzhinën alla shqiptarçe! Si ka mundësi që këta politikanë të përballojnë një trysni kaq të madhe cinizmi dhe hipokrizie? Nuk ka në botë popull që duron me dekada një poshtërim të tillë dhe nuk ka ç’t’i bëjë, se i mungon iniciativa, por kryesisht solidariteti dhe organizimi.
