Deloitte Albania ka publikuar sot rezultatet e sondazhit “Hapat e parë në tregun e punës”, i cili sjell perceptimin e studentëve shqiptarë sa i përket formimit akademik dhe raportit me tregun e punës. Sondazhi i Deloitte, është një studim që zhvillohet në të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe kryhet çdo dy vite.
Ai synon t’u bëjë me dije punëdhënësve, politikbërësve dhe institucioneve akademike të vendit, aspiratat e brezit të ri. Këtë vit për këtë sondazh janë pyetur 259 studentë, 79 për qind e të cilëve kanë qenë femra. Ndër gjetjet e këtij studimi është që të rinjtë shqiptarë kanë prirje më të madhe për të qenë lider dhe kjo në fakt ndryshe nga të gjitha vendet e Evropës Qendrore.
Nisur edhe nga të dhënat e sondazhit, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi u përqendrua tek Arsimi Profesional, i cili sipas tij duhet të konsiderohet gjithnjë e më shumë si një alternativë serioze nga të rinjtë shqiptarë. “Ne mendojmë që është shumë e nevojshme që të rinjtë të drejtohen nga profesionet dhe punët të cilat do ta bëjnë atë lidership të mirë, por në radhë të parë lidership të mirë të familjes së tij”, tha Klosi.
Ai solli në vëmendje se si historia e këtyre viteve demokraci ka treguar se një numër i madh i atyre që kanë vazhduar shkollat e larta për të marrë një diplomë të pamerituar dhe të pavlerë, sot e kanë të pamundur të gjejnë një vend pune.
“Ne kemi një histori 20 vjeçare në Shqipëri ku njerëzit u orientuan drejt diplomave pa vlerë, që mbasi kanë vajtur 30 vjeç kuptojnë se diplomat e marra në rrugë jo të ndershme janë të panevojshme dhe tani kthehen te arsimi profesional për të marrë zanat”, tha Klosi.
Për këtë arsye, theksoi ai, është e nevojshme që të ketë më shumë orientim drejt arsimit profesional, drejt zejeve apo drejt zanateve që të rinjtë shqiptar të fillojnë që në moshën 18-vjeç të keni mundësi të jetojnë me punë të denjë.
Ai gjithashtu bëri një panoramë të punës së kryer vitet e fundit për ta reformuar Arsimin Profesional sipas modelit dual gjerman, ku studimi bëhet paralelisht me praktikën pranë një biznesi.
Edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka theksuar se kthimi i vëmendjes së qeverisë drejt arsimit profesional është gjëja e duhur për t’i orientuar të rinjtë drejt marrjes së një zanati apo profesioni që do t’u japë një mundësi më shumë për punë. /Dita/
