Si ëndërr pijanecësh në një klub vrasësish

redaktor

Personalisht mendoj se cdo ditë ka nga një arsye për të protestuar në Shqipëri, aq më tepër për 20 Shkurtin, por jo më me protogonistë shkurtanakët e kësaj klase politike qesharake, injorante dhe të babëzitur deri ne fijen e fundit të barit të këtij vendi. Sepse nismëtarët e 20 Shkurtit të parë u zhdukën nga faqja e dheut dhe idealet e asaj ditë të bekuar u manipuluan nëpër ingranazhet e ndryshkura të retorikës pseudodemokratike përgjatë dy dekadave, në vendin që ishte dhe mbetet edhe sot e kësaj dite më i varfri në kontinent.

Sepse idealet e 20 Shkurtit të parë u shfrytëzuan nga një klasë politike, e vecantë në llojin e vet, turpi i Shqipërisë dhe i gjeneratës politike të tranzicionit në ish vendet komuniste, e paaftë dhe e korruptuar, që merr, përcjell dhe mbron dora dorës pushtet të korruptuar dhe të inkrimunuar deri në palcën e shtetit, mungesën e të cilit e shohim dhe e ndiejmë në cdo pëllëmbë të këtij vendi.

Sepse pronat u hipotekuan nga  shërbëtorët e djeshëm të diktaturës dhe nga parafabrikatet e tyre prodhohen paratë e pista, trafiqet dhe industria e rëndë e korrupsionit, modeli më i shëmtuar për t’u ballafaquar sot me 20 shkurtin e parë.

Sepse thirrjet për t’a bërë Shqipërinë si gjithë Europa, u mbytën nga balta që i hodhëm njëri tjetrit në surrat përpara Europës dhe 20 shkurti i sotëm e gjen vendin tonë më afër Kandaharit dhe Libanit se sa Barit dhe Selanikut.

Sepse shteti shqiptar, nuk ka arritur akoma, as një ditë te vetme të kryejë funksionet e veta si shtet i së drejtës, ku shqiptari të jetë i barabartë me shqiptarin dhe endacaku me Presidentin. Sepse 160 Partitë politike, të krjuara mbi bërthama bajraktarizmi, nepotizmi dhe interesash ekonomike, janë në fakt treguesi më i mjerë i shkollës politike në vend, në të cilën aderojnë akoma të rinj dhe të reja, hallexhinj dhe të mashtruar për një vend pune. Sepse Kushtetuta e këtij vendi e ka nxjerrë qytetarin në orbitë, roli i të cilit nuk ndihet më, as në nivel lokal dhe as në nivel qendror. Sepse pasuritë kombëtare të këtij vendi janë magazinuar njëherë e mirë nëpër galeritë e frikshme të krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar.

Përtej 20 Shkurtit të parë, idealeve të tij dhe mundësive për të shfaqur veten si një popull i qytetëruar, kam bindjen se ne, shumica e shqiptarëve kemi mësuar t’a shohim protestën e 20 shkurtit të sotëm si një ëndërr pijanecësh të një klubi vrasësish…

 

Letër e nënshkruar

Simon Ulndreaj

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *