Letër e nënshkruar
Gjon Bruçi
Duke medituar për ditën e kobshme t Grdecit, më erdhi në mendje një shprehje që e kanë përdorur mirditorët në të kaluarën. “Bajraktarin, – thoshin ata, – mjer kush e ka armik, dhe mjer kush e ka mik”. Të kishe armik Bajraktarin, apo Kapidanin, do të thoshte të kishe çdo ditë rrezikun mbi kokë. Se Bajraktari apo Kapidani ishte fuqi e madhe e mund të të qiste fare, nëse i kundërviheshe apo e kundërshtoje. Por edhe po ta kishe mik, ishte me rrezik. Se të përdorte për interesat e tij, interesa të cilat shpesh të shpinin drejt rrezikut.
Në rastin tonë, “Bajraktari”, apo “Kapidani” është SHBA-ja.
Historikisht shqiptarët, duke qenë një popull e vend i vogël, por dhe i sulmuar pareshtur nga armiq, veçanërisht nga fqinjët lakmitarë, për të siguruar mbijetesën ka tentuar të sigurojë miq të fuqishëm. Gjografisht këta miq kanë qenë të largët, por distanca e largët është mbuluar me potencën e tyre njerëzore, ekonomike e ushtarake. Shembuli më i qartë i kësaj taktike të shqiptarëve janë aleancat e tij në shtatë dekadat e fundit.
Të jemi realistë dhe të drejtpërdrejtë: Një vend i vogël si Shqipëria jonë, e ka të domosdoshme aleancën me shtete të fuqishme. Por kjo aleancë, kjo marëdhënie e kjo miqësi duhet ndërtuar mbi interesa reciproke të dyanshme, dhe asnjëherë duke i dorëzuar çelësat e shtëpisë.
Le t’i rikthehemi shprehjes së vjetër të mirditorëve: “Bajraktarin (Kapidanin) mjer kush e ka armik, e mjer kush e ka mik”. Si e kishte zgjidhur mirditori këtë dilemë të kohës? Marëdhënieve me Bajraktarin (Kapidanin) nuk kishte se si tu shmangej. Ta konsideronte vetëm armik, për tu mbrojtur prej tij do t’i duhej të merrte arratinë e të bënte jetën e kaçakut. Ta pranonte si mik, duhej të merrte në sy hilet dhe dredhitë e tij, të cilat mund ta rrezikonin njëlloj si ta kishte armik. Atëherë, mirditori i thjeshtë, zgjodhi një rrugë të mesme: ta kishte edhe mik edhe armik. Ta kishte mik, për gjërat që ishin jashtë konakut të tij, dhe ta konsideronte armik, kur bajraktari (kapidani) kërkonte t’i ngacmonte “urët e zjarrit” në oxhak. Për realizimin e kësaj taktike, mirditori, ndërsa i jepte dorën dhe e njatjetonte bajraktarin (kapidanin), në brez mbante kurdoherë nagantin.
Lideri Komunist, Enver Hoxha, ndonëse lidhi miqësi me më të mëdhenjtë e botës, të cilët kishin mundësi ta mbanin Shqipërinë e vogël si “veshkën në mes të dhjamit”, për asnjë moment nuk i hoqi armët nga brezi, veti kjo shekullore e shqiptarëve.
