Si ikona

Ornela

Në çdo frymëmarrje ndiej aromën
e trupit tënd prej trëndafili,
të mbaj në zemër si ikonën,
që nuk i shuhet kurrë kandili!

Kaluan nuk e di sa vite
kur kemi dhënë puthjen e fundit,
s’ia mbaj mend emrin asaj dite,
s’e mbaj mend çastin që na humbi!

s’e di ku ike Amazonë,
s’e di në më kujtove më,
po unë të mbajta si ikonë,
krejt të ndriçuar përgjithnjë!…

Nuk rroj në jetë veç me kujtime,
sepse kështu do isha tretur,
po shpesh qëllon që ora ime
Në dorën tënde më ka mbetur!…

Unë atë orë s’e lëviz dot,
është koha vetë që ka ndaluar,
por ende jemi ne në botë
Yje me dritë, por të larguar!

Kryevepra

O zonjë fisnike dhe e ëmbël,
o dritë që vetëtin në qelqe,
kanë thënë që jeta është një ëndërr,
po imja ishte shumë e keqe!…

Po shpirti im s’e njeh pendesën
dhe pse pa gjumë m’u shua syri,
gjithmonë ti ngrihesh mbi harresën
si një statujë e lartë floriri!…

E cili burrë do kish guxim
një kryevepër të harronte,
edhe të tretej në harrim
siç desha unë të bëja sonte!…

Po asnjëherë nuk ka harresë
sa ende zjarri djeg te gjiri,
ndaj ti u gdhende në kujtesë
si një statujë e lartë floriri!…

Po ç’kemi tjetër nga kujtimet
më të sigurt në këtë botë,
vetëm kujtimet, zonja ime,
as Zoti vetë s’na i vjedh dot!…

Po ti ke qenë në zemrën time
çdo orë të natës dhe të ditës,
ti ishe flakë vetëtime,
po unë nuk kisha rrufepritës!…

Po unë qëndrova krejt zbuluar
përballë rrufesë që flakërinte,
ndaj fundi im i merituar
nga vetëtimat do më vinte.

E kush do ishte ai burrë
t’i hidhte sytë te një tjetër,
jo kjo nuk mund të ndodhte kurrë,
se ishe ti një kryevepër!

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *